Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht në Kinë funksionojnë më shumë se 4,500 kompani të inteligjencës artificiale, gjë që tregon përpjekjet e vendit për të përqafuar bumin e kësaj teknologjie.
Foto:VCG
Shifrat u bënë të ditura nga Shan Zhongde, zv/Ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, në Ekspozitën Botërore të Inteligjencës 2024 në qytetin Tianjin të Kinës Veriore.
Shan tha se Kina ka ndërtuar 421 fabrika demonstrimi të nivelit kombëtar dhe mbi 10,000 të tjera në nivel provincial për prodhim inteligjent.
Nga robotët humanoidë te automjetet pa drejtues, zyrtarët dhe ekspertët në ekspozitë theksuan se teknologjia AI po riformulon me shpejtësi jetën e njeriut.
Teknologjitë si lidhja tru-kompjuter dhe robotët humanoidë do të kenë ndikime praktike në industri si prodhimi, transporti, arsimi dhe kujdesi shëndetësor, tha Wu Zhaohui, Nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Kinës.
Foto:VCG
"Teknologjia AI mund të shtojë gjithashtu fuqi transformimi në rritjen ekonomike rajonale dhe të riformësojë peizazhin e konkurrencës globale," shtoi Wu.
Vlerat e sektorëve kyç të industrisë së inteligjencës artificiale në Kinë i kaluan 80 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2023, shifër kjo 13.9% më e lartë se një vit më parë, tregojnë të dhënat zyrtare.
Në raportin e sivjetshëm të punës së qeverisë kineze u publikua iniciativa AI+, një program strategjik për të nxitur zgjerimin e ekonomisë digjitale dhe për të udhëhequr transformimin dhe modernizimin e sektorëve të prodhimit.
Foto:VCG
Ekspozita Botërore e Inteligjencës 2024, e cila do të zhvillohet nga 20 deri më 23 qershor, është bashkë-organizuar nga bashkitë e qyteteve Tianjin dhe Chongqing të Kinës Jugperëndimore, duke bashkuar Konferencën Botërore të Inteligjencës në Tianjin dhe Ekspozitën Smart China në Chongqing.
Me një sipërfaqe ekspozuese prej 100,000 metrash katrorë, ekspozita ndahet në zona të ndryshme sipas temave si AI, automjetet inteligjente të lidhura me internetin, prodhimi inteligjent, robotika etj.
Në të ardhmen, të dy bashkitë do të organizojnë me radhë Ekspozitën Botërore të Inteligjencës.(Zhang Yan/Elona)