Gjatë pushimeve verore fëmijët janë të prirur të kalojnë kohë të lire duke u argëtuar, por dhe në shoqërinë e pajisjeve elektronike. Shqetësim për prindërit është si të organizojnë kohën e lire të fëmijëve gjatë pushimeve, duke shmangur qëndrimin e tepruar të tyre me pajisje elektronike. Si mund t’ia dalin prindërit me sukses kësaj sfide? Gjatë pushimeve të verës fëmijët kanë shumë nevojë për nxitje. Lidhur me këtë, profesori i psikologjisë në Universitetin Sifa, Fatih Kalkinc ka theksuar në lidhje me pushimet e gjata nga shkolla, se si mund të ndikojnë tek fëmijët, nëse ata nuk lexojnë gjatë këtyre pushimeve. Ai ka thënë: “Nëse merrni një minutë kohë dhe imagjinoni se nuk e ndizni makinën tuaj për katër muaj, bateria e makinës mbaron”.
Foto nga beezeebodies
Me këtë shprehje ai lë të kuptojmë se leximi është mënyra më e mirë e ushtrimit të trurit të fëmijës, duke e ndihmuar që të zhvillojnë imagjinatën e tyre. Përveç kësaj, leximi është një mënyrë e mjaft e mirë për fëmijët që të mësojnë fjalorin e ri, si dhe të sfidojnë veten mendërisht. Para pushimeve të verës, fëmijët është mirë që të zgjedhin vetë zhanrin e librave të tyre të preferuar, por krahas tyre edhe prindërit mund t’u shtojnë në listën e tyre tituj librash që mendojnë se janë të duhurit për ta. Nëse fëmijët kanë dëshirë që të lexojnë libra humoristikë, atëherë është mirë që prindërit t’u sugjerojnë edhe librat klasikë, madje dhe fantashkencë. Kjo do t’i ndihmojë ata që të zhvillojnë mendjen dhe t’u pasurojë dijen, duke i bërë më të aftë në përdorimin e fjalëve të duhura, si dhe për të shprehur mendimet e tyre. Drejtimi tek libri është i rëndësishëm sidomos gjatë periudhës së verës, pasi të lexosh një libër jashtë klase do të thotë të njohësh botën, ngjarjet që ajo përcjell, personazhe të njohur apo të panjohur. Libri është një dritare e hapur ku përpara nesh kalojnë personazhe me historitë e tyre që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Libri është mjeti i pazëvendësueshëm, është ai që mbush me informacion të gjitha mjetet e tjera teknologjike. Por krahas leximit një mënyrë mjaft e mirë për të kaluar ditët e gjata të pushimeve verore janë edhe aktivitetet fizike. Të ushtrohesh në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm gjatë pushimeve verore, është një përfitim mjaft i mirë që i bën vetes çdo individ, e padiskutim që është shumë e rëndësishme edhe për fëmijët, pasi i ndihmon ata në zhvillimin e tyre fizik dhe psikologjik. Ushtrimi fizik ka shumë përfitime përtej një trupi më të fortë, ai i përmirëson gjithashtu edhe gjumin fëmijëve. Shumë të rëndësishme janë edhe udhëtimet. Një mënyrë e shkëlqyer për t’u njohur fëmijët edhe me botën që na rrethon.
Cilat janë mendimet e prindërve në lidhje me organizimin e pushimeve verore për fëmijët e tyre? Në intervistë për Radio Ejani mësuese Alba nga Tirana, e cila është prind i tre fëmijëve, ka treguar se si do e organizojë kohën gjatë pushimeve të verës për fëmijët e saj.
Foto nga Luxurious Magazine
CMG: Përshëndetje Alba! Si ke menduar ta organizosh kohën e fëmijëve të tu gjatë tre muajve të pushimit?
Alba: Mendoj se është një gjë shumë e vështirë. E para sepse fëmijët gjatë vitit shkollor lodhen pasi studiojnë gjatë gjithë kohës dhe u ngelet shumë pak kohë për të luajtuar. Tani që erdhën pushimet e verës, do i udhëzoja që të bënin pak nga të gjitha. Lexim jashtë klase, ndoshta librat që pëlqejnë më tepër, apo libra me fantashkencë, gjithashtu edhe plazh, të kalojnë kohë me prindërit dhe me të afërmit e tyre. Sigurisht që edhe pjesën e teknologjisë nuk duhet tua lemë gjatë gjithë kohës, por as nuk duhet t’ua heqim plotësisht nga përdorimi, pasi të gjithë shokët e tyre përdorin telefonin. Gjithashtu kam menduar që t'i angazhoj me aktivitete fizike, të mos jenë pushime pasive, por të jenë aktive, si shëtitje me familjen në plazh, apo të bëjnë ecje në natyrë.
Ndërsa Elvisi, një emigrant shqiptar, i cili prej vitesh jeton me familjen e tij në Gjermani, tregon se si ka menduar që të organizojë pushimet verore për fëmijët e tij gjatë periudhës së verës.
CMG: Si keni menduar ju si prind të organizoni kohën e fëmijëve tuaj gjatë pushimeve të verës?
Elvisi: Unë jam Elvisi nga Tirana, por jetoj prej disa vitesh në Gjermani. Një pjesë të pushimeve të verës ne do i kalojmë në jug të Shqipërisë, i nisim më 1 gusht, e më pas do bëjmë vizita nga të dy gjyshërit. Bashkë me kushërinjtë, moshatarët e fëmijëve kemi menduar që të vizitojmë malin e Dajtit, që fëmijët të shohin Tiranën nga lart, sa e madhe duket me ndryshimet tani. Gjithashtu kemi menduar që të vizitojmë edhe disa qytete të vendit si Shkodrën, Lezhën, Krujën, pra pak a shumë të mund të vizitojnë kalatë e vendit të tyre, të njihen me historinë e Shqipërisë, të mos harrojnë kush jemi dhe nga vijmë. Pak a shumë këto kemi menduar.
Foto nga Portali shkollor
CMG: Përveç planeve që ju keni organizuar si famije për 15 ditët e pushimeve, kur të ktheni në Gjermani, si mendoni që ta kalojnë pjesën tjetër të kohës fëmijët tuaj, deri në momentin që ata do t’i kthehen vitit të ri shkollor?
Elvisi: Në Gjermani fëmijët nuk kanë tre muaj pushim nga shkolla si në Shqipëri, por kanë vetëm 6 javë, kjo për shkak se ata kanë edhe gjatë vitit disa herë pushime të tjera edhe për shkak të motit të keq. Kur të kthehemi nga pushimet, edhe ne do i kthehemi punëve tona, ndërsa fëmijët do i regjistrojmë në qëndra për fëmijë këtu në Gjermani, ku fëmija mund të qëndrojë që nga mëngjesi deri pasdite. Aty organizohen lojëra, aktivitete të ndryshme, etj. Nëpër këto qendra ka fëmijë të ndryshëm dhe kjo është një mënyrë e mirë, që përveç argëtimit, ata të krijojnë edhe njohje të reja me moshatarët e tyre. Kjo është perfekte edhe për ne prindërit që punojmë dhe të jemi të qetë ndërkohë që fëmijët argëtohen gjatë pushimeve. I uroj të gjithëve pushime të mbara!
-Ndërsa Zoi, është një zonjë nga qyteti i Korçës, e cila ka treguar për Radio Ejani si ka menduar që të organizojë pushimet verore për fëmijët e saj.
Foto nga The Hub Riverside
CMG: Si keni menduar ju t’i organizoni pushimet verore për fëmijët tuaj?
Zoi: Unë jetoj në Korçë me familjen. Pushimet verore janë një sfidë e vërtetë për ne prindërit, sepse nga një anë ne duhet të vazhdojmë me përmbushjen e detyrave tona profesionale dhe nga ana tjetër meqënëse janë dhe pushimet verore të fëmijëve, po mendojmë të organizojmë edhe aktivitete argëtuese për ta. E mira është që çdo vit, ne mundohemi që të gjejmë aktivitete të ndryshme, ku disa prej tyre janë shumë të pëlqyera prej fëmijëve, që ne i organizojmë çdo vit të vizitojmë gjyshërit në fshat, ose organizimi i piknikëve në natyrë. Fëmijët e ka shumë qejf fshatin, kanë pasion lulet dhe kafshët, ata angazhohen çdo vit, që të ndihmojnë gjyshërit e tyre në punët e përditshme në fshat. Aty ata luajnë në natyrë me bashkëmoshatarët e tyre, çka i ndihmon të largohen paksa edhe nga interneti apo teknologjitë e fundit. Pikniku është një tjetër aktivitet i pëlqyer i fëmijëve tanë , por jo vetëm. Në ditët tona të pushimit, një piknik në kodrën e qytetit të Korçës , apo në malin e Moravës, është shumë relaksuese kur fëmijët shijojnë bukuritë e natyrës. Çka do të jetë e veçantë këtë vit për pushimet tona, do të jenë edhe pushimet në det. Do të shkojmë për 10 ditë në plazh, pasi fëmijët e kanë shumë qejf detin, u pëlqen të notojnë, por dhe të luajnë në rërë.
Foto nga ukactive
-Për shkak të punës së përditshme, për shumë prindër vështirësia më e madhe është se ku do të qëndrojnë fëmijët gjatë periudhës së pushimeve verore. Dikush që i ka gjyshërit afër mund t’i ndihmojë në këtë drejtim, dikush tjetër detyrohet që t’i dërgojë fëmijët tek të afërmit e tyre në qytete të tjera të vendit. Por sipas psikologëve largësia e fëmijëve nga prindërit nuk është zgjidhja më e mirë. Sipas tyre rekomandohet që gjatë kësaj periudhë të pushimeve verore, prindërit duhet të punojnë shumë më tepër me fëmijët e tyre, në mënyrë që të mos bjerë kreativiteti i tyre. Ata sugjerojnë që t’i angazhojnë fëmijët me punë të ndryshme, në mënyrë që të rrisin aftësitë e përgjithshme të tyre, por e rëndësishme është edhe zgjimi herët. Sugjerimi i tyre është padiskutim edhe angazhimi i udhëtimeve, të paktën një herë në javë, do të ishte shumë efektive për fëmijët. Kjo do të sillte mjaft kreativitet tek fëmijët, por njëkohësisht, duke vizituar qytete të ndryshme të vendit, ata do mësojnë më shumë për krahinat dhe kulturën e vendit.
Intervistoi: Sava Lena