Garanci sovrane për zhvillimin bujqësor dhe rural në Shqipëri
2024-06-21 11:12:09

Krahas dhënies së 55 milionë eurove për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për këtë vit, ku aplikuan mbi 70 mijë fermerë, qeveria po planifikon edhe akordimin e një garancie sovrane, për kredi bankare për zhvillimin rural.

Përfitues të këtyre kredive të buta, të garantuara nga shteti, do të jenë të gjithë ata fermerë që punojnë për eksport, por edhe investues në agroturizëm dhe në shtimin e bujtinave rurale në të gjithë Shqipërinë.

Garancia sovrane (Foto Shqiptarja.com)

Garancia sovrane (Foto Shqiptarja.com)

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se më 1 korrik 2024, qeveria do të ketë gati një skemë garancie, e cila do të synojë të rrisë sa më shumë aksesin në financë për fermeret. Edhe pse,  sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sektori i bujqësisë kontribuon me gati 20 përqind në prodhimin kombetar të vendit (GDP), ai merr më pak se 3 përqind të portofolit të kreditimit të bankave tregtare.

Aktualisht, ne kemi rreth 359 mijë ferma me një madhësi mesatare prej rreth një hektar. Ato janë shpesh të ndara në parcela edhe më të vogla. Ky nivel i lartë i fragmentimit të tokës kontribuon drejtpërdrejt në produktivitetin e ulët në bujqësi.

Edhe sot, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë rurale nuk ka akses në institucionet zyrtare financiare dhe vetëm më pak se një e treta e banorëve në fshat kanë një llogari bankare. Në bizneset e vogla të fermerëve, më pak se një e pesta e tyre kanë marrë një kredi bankare ose linjë kredie.

Kapitali qarkullues i pamjaftueshëm në bujqesi sjell një cilësi të dobët të farës per t’u mbjellë, një mekanizim të kufizuar të punëve në bujqësi dhe nivele të ulëta të përdorimit të plehrave për hektar, duke ulur më tej produktivitetin.

Shqipëria gjithashtu nuk ka financim nga të korrat bujqësore dhe nga magazinat me produkte bujqësore, ndërkohë që mungojnë mjetet për zbutjen e rrezikut, si sigurimi i shtëpive në fshat, i tokave bujqësore dhe i prodhimit bujqësor.

Qeveria shqiptar mendon dhe beson se krijimi i skemave të garancisë së kredisë bujqësore dhe rurale dhe instrumenteve financiare alternative, si dhe nxitja e krijimit të tregjeve të sigurimit të të korrave dhe motit, mund të zgjerojë aksesin në financa, veçanërisht midis fermerëve të vegjël, duke zbutur rreziqet e kreditimit, me të cilat përballet puna në bujqësi.

Garancia sovrane për sektorin e bujqësisë do të jetë për të gjitha bizneset rurale që duan të investojnë në përpunim, ndërtim agrobiznesesh, eksport produktesh bujqesore, etj.. Ende nuk ka të dhëna për nivelin e fondit të garancisë sovrane, por parashikohet të jetë në disa dhjetëra milionë euro. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) vlerëson këtë garanci

Kreu i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Kreu i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

CMG: Z. Rrapaj, këto ditë Kryeministri njoftoi akordimin nga qeveria të një garancie sovrane, për kredi të butë për aktivitetet e eksporteve bujqesore, të agroturizmit, etj. Komenti juaj ?

Agim Rrapaj: Natyrisht, është një premtim që po afron drejt realizimit. Premtim që është bërë që në hartimin e buxhetit të këtij viti, i cili ishte për fat të keq, më i ulët se ai i vitit të kaluar.

Dhe për këtë fakt, u bë premtimi që në vijim qeveria do të merrte disa masa dhe do të hartonte disa paketa, në mbështetje të zhvillimit bujqësor dhe rural.

Kjo është ndër premtimet që është dhënë dhe besojmë se do të mbahet, sikurse edhe u anoncua përpara disa ditësh nga Kryeministri.  Por ndërkohë, kjo na është premtuar, rast pas rasti, edhe në takimet tona me Ministren e Bujqësise dhe Zhvillimit Rural.

CMG: Duket se kryefjala e mbështetjes shtetërore për këtë vit në bujqësi dhe zhvillim rural është togfjalëshi “bashkim i operatorëve”. Si e gjykoni?

Agim Rrapaj: Togfjalëshi është kooperimi dhe ky bashkim i operatorëve përfaqëson pjesë të kooperimit, i cili është i domosdoshëm.

Fakti është që Shqipëria ka një nivel të ulët kooperimi, krahasuar me mundësitë, potencialet dhe me nevojën e domosdoshme që ka jo vetëm bujqësia, por të gjithë sektorët e ekonomisë së ushqimit,  për kooperim.

Kjo pjesë e bashkimit të operatorëve është e domosdoshme, e mirëpritur dhe që ka dhënë rezultatet e para, që janë të lidhura  me Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Prandaj dhe pati rreth 324 grupime, bashkime operatorësh, që aplikuan, si dhe 13 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor në Skemë.

Kjo bëri që ky togfjalësh (bashkim operatorësh) të gjejë mirëkuptim dhe ambjent të ngrohtë për t’u zbatuar, në funksion të kooperimit.  Kjo qasje duhet vazhduar, pasi nuk është vetëm Skema Kombëtare e Mbështetjes instrumenti që do e bëjë kooperimin efiçient.

Më i rëndësishëm është ligji i ri, përveç Skemës Kombëtare, e cila mbështetet në një vendim qeverie, akt nënligjor, por jo akt ligjor, sikurse janë ligjet e Parlamentit. Ne mendojmë që qeveria duhet të çojë në Parlament për amendim ligjin Nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, i cili është edhe një ndër ligjet  që mbështet kooperimin.

CMG: Nga fondi prej 14 .18 miliardë lekësh ose 140 milionë euro që Buxheti i Shtetit po jep për bujqësinë dhe zhvillimin rural këtë vit, qeveria ka rritur me një të katërtën fondet për ujitje-kullim dhe sigurinë ushqimore. Ka bërë mirë, sipas jush?

Puna në bujqësi (Foto Syri.net)

Puna në bujqësi (Foto Syri.net)

Agim Rrapaj: Natyrisht siguria ushqimore dhe investimet në ujitje dhe kullim janë ndër thembrat e Akilit, në veprimtaritë e bujqësisë sonë sot. Këto aktivitete ende nuk vlerësohen siç duhet dhe nuk ushqehen siç duhet me burime financiare.

Ka dëme të konsiderueshme për fermerët, duke ulur rendimentin e prodhimit. Nga ana tjetër, janë rritur edhe kostot, të cilat nuk janë të favorizuara nga kushte e një moti të thatë dhe me përmbytje.

Duhet të kemi parasysh thatësirën që ka zgjatur në kohë, infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes që nuk ka qenë ajo e duhura. Duhet të kemi parasysh edhe burokracinë në zbatimin e projektit të Bankës Botërore për ujitjen dhe kullimin.

Të gjitha këto ushtrojnë ndikimin e tyre dhe ne duhet të nxitojmë. Megjithatë, masa janë marre. Pra, është një hap në drejtimin e duhur shtimi i fondeve.

CMG: Si është përgatitja e qeverisë për fondet IPARD III, ku po aplikojmë për të nëndë masat e programit, në gjykimin tuaj?

Agim Rrapaj: Do ta ndaja në tre hapa. I pari ka qenë një ecuri e kënaqshme e IPARD II, i cili që nga vitet 2018-2021, dha një sasi të konsiderueshme fondesh.

Programi pati vlerësim të kënaqshëm nga sektori privat dhe këtë mund ta konkretizojmë me një shembull. Ishin 94 milionë euro fonde  të programuara për t’u disbursuar nga IPARD II, ndërkohë që kërkesa nga ana e fermerëve ishte për 249 milionë euro. Kjo tregon që sektori privat ishte mjaft i interesuar për disbursimin e këtyre fondeve dhe kërkesa ishte 3 herë më shumë sesa oferta e bërë.

Dhe në këtë moment, unë do të theksoj që faza tjetër nuk eci sikurse duhet, sipas kontrollorëve të Bashkimit Evropian. Edhe pse, sipas nesh nuk ka patur probleme thelbësore për t’u frenuar në këtë masë dhe zgjatja e kohës së ngrirjes së procesit mund të jetë i dëmshëm, si për vetë strukturat e Komisionit Evropian që e kanë ngrirë, por edhe sidomos për fermerët tanë.

Kjo vlen për të gjitha ndërmarrjet tona e vogla dhe të mesme, që janë pjesë e këtij programi.  Investimi në kohën e duhur është më i mirë, sesa investimi i vonuar. Kjo, pasi pas disa vitesh, ne nuk do të kemi këto kërkesa që kemi aktualisht.  Unë do të kërkoja që kontrollorët e Bashkimit Evropian të nxitojnë në procesin e kontrollit, në mënyrë që IPARD III të fillojë brenda këtij viti.

Takim i ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj për garancinë sovrane (Foto Ministria e Bujqësisë)

Takim i ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj për garancinë sovrane (Foto Ministria e Bujqësisë)

CMG: Si e shikoni prodhimin bujqësor dhe eksportet bujqësore për këtë vit? Qeveria ka shpallur se deri në vitin 20230, objektivi i saj është të eskportojmë një miliardë euro produkte bujqësore në vit.

Agim Rrapaj: Objektivi është ambicioz. Është i arritshëm, është i mundshëm,  duke pasur parasysh potencialet.

Ne kemi një avantazh, i cili është një katalizator dhe ky është turizmi. Turizmi i rritur ndjeshëm po ndikon pozitivisht tek zgjimi i fermerëve të grupimit të parë, të cilët nuk kanë prodhuar për treg.

Tek grupimi i dytë, i atyre që kanë prodhuar më pak për treg dhe më shumë për mbijetesë, si dhe tek grupimi i tretë, që prodhojnë vetëm për treg, turizmi u jep atyre më shumë shpresë për të shitur prodhimet e tyre brenda vendit.

Tashmë, duke patur parasysh që kemi këto avantazhe, në funksion të rritjes së prodhimit, unë mendoj që ekziston  dëshira e fermerëve, ekziston mundësia për të fituar më shumë, edhe me shitjet brenda vendit. Nga ana tjetër, ekziston edhe mundësia, që ne në vitin 2030 të realizojmë objektivin e 1 miliardë eurove eksporte bujqësore, me një kusht.

Ne duhet të fokusohemi tek produktet tona natyrale, tek produktet tona organike dhe të vazhdojmë të thellojmë punën që kemi nisur, përsa i përket çertifikimit të produkteve tona me Global GAP, çertifikimit  organik dhe  rritjes së numrit të fermave organike, si dhe të sipërfaqes së çertifikuar me Global GAP.

Ne duhet të përqëndrohemi tek cilësia, si një faktor kyç, si për kushtet ekonomike që kemi, por edhe për kushtet e klimes që na pret dhe që nuk është më aq e favorshme, sikurse ka qenë dikur.

Intervistoi Fatos Çoçoli