Zhvillimi i turizmit po jep efekt pozitiv në shumë drejtime: në rritjen ekonomike, në përmirësimin e rrezikut të borxhit, në punësim etj. Gjatë një aktiviteti me median, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko rendit disa nga ndikimet pozitive.
Gent Sejko (FIAA Albania)
“Progresi i bërë në fushën e turizmit është i dukshëm. Gjatë vitit 2023, numri i turistëve u rrit në 10.1 milionë, ndërsa të ardhurat e siguruara prej tyre arritën në 4.2 miliardë euro. Në fakt, referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ishte vendi i katërt në botë për ritmin e rritjes së turizmit gjatë vitit 2023. Ky ritëm rritjeje ka vijuar edhe gjatë muajve të parë të vitit 2024, dhe me të dhënat e dispoonuara shohim një rritje me 30 dhe 40% të rritjes së turizmit në vijimësi. Tashmë të ardhurat nga turizmi janë rreth nivelit 20% të PBB-së, duke e shndërruar Shqipërinë në një nga destinacionet turistike më të preferuara në rajon, duke e renditur përkrah Kroacisë dhe Greqisë.”-u shpreh Sejko.
Edhe në sytë e botës, Shqipëria po shikohet tërheqëse për të investuar. Gjatë konferencës së prezantimit të Kalendarit Kombëtar Turistik të ngjarjeve kulturore, artistike dhe të traditës përmes aplikacionit TEA, guvernatori Sejko tha se turizmi rriti besimin tek investitorët e huaj sidomos në zonat bregdetare dhe se formalizoi ekonominë ku vendi doli nga lista gri e Moneyval.
“Zhvillimi i vrullshëm i këtij sektori ka sjellë një përmirësim cilësor të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, duke u pasqyruar në përmirësimin e renditjes së rrezikut të borxhit sovran nga agjencitë e huaja gjatë vitit 2023, nga niveli B+ në nivelin BB- pra një shkallë më lart nga agjencia ndërkombëtare e Standard & Poor’s. Nga ana tjetër, rritja e vizitorëve të huaj ka sjellë dhe përmirësimin e imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj. Shqipëria po përjeton një interes në rritje për investime në sektorin e banesave rezidenciale gjatë viteve të fundit, kryesisht në zonat bregdetare dhe kjo si pasojë e turizmit. Vetëm për vitin 2023, ky investim në këto pasuri në zonat bregdetare arriti në nivelin e 350 milionë eurove. Por nuk duhet të harrojmë që edhe qytetarët shqiptarë që janë rezidentë në shtetet e huaja kanë një status tjetër pasi periudha e tranzicionit dhe kanë investuar konsiderueshëm në pasuritë e patundshme në zonat bregdetare por dhe në gjithë Shqipërinë.”
Turizmi dhe fitimet(Foto BoldNews.al)
Shifrat janë pozitive në disa drejtime. Politikat e ndjekura nga Banka Qëndrore gjithashtu kanë ndikuar në menaxhimin e situatës.
“Të gjitha këto, kanë kontribuuar direkt në rritjen me 3.44% të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023, në rënien e papunësisë në nivelet minimale historike, në nivelin e 10.7%, si dhe në rritjen me 14% të pagave në sektorin privat. Paralelisht me të, gjatë vitit të shkuar, Shqipëria shënoi dhe një rekord historik të investimeve të huaja direkte, në nivelin 1.5 miliardë euro, dhe një rritje me 11.3% të remitancave, duke arritur në nivelin 930 milionë euro. Ndërkohë ne, si Bankë Qendrore, jemi kujdesur në vazhdimësi të ndjekim politika të kalibruara, në ruajtje të stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar, dëshmi e të cilave është niveli i sotëm i inflacionit që ka zbritur nga piku i tij në 8.3% në 2.2% në muajin maj 2024. Së fundi, më duhet të theksoj se edhe sektori bankar ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim, nëpërmjet rritjes së vëmendjes dhe të financimit për sektorin e turizmit, si dhe nëpërmjet digjitalizimit të vazhdueshëm të proceseve dhe produkteve të tij.”- tha Sejko.
Bregdeti shqiptar(Foto syri.net )
Ekonomia po shkon drejt përmirësimit të formalizimit.
“Reformat shumëdimensionale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë viteve të fundit me mbështetjen e qeverisë shqiptare, e veçanërisht ato për adresimin e kredive me probleme dhe për modernizimin e digjitalizimin e sistemit të pagesave, po japin frytet e tyre. Niveli i kredive me probleme, nga rreth 25% 10 vite më parë, ka arritur rreth shifrës 4.7%, dhe kjo falë reformave të ndërmarra. Reformat e përbashkëta kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në rritjen e formalizimit të ekonomisë. Sot, Shqipëria ka dalë nga lista “gri” e Komitetit të Moneyval, duke ilustruar jo vetëm progresin e bërë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, por edhe rritjen e besimit të partnerëve të huaj. “
Pa dyshim, turizmi do të vijojë të jetë një pjesë integrale e rrugës së vendit drejt progresit. Sipas Guvernatorit, zhvillimi i mjeteve të reja për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve turistike nga njëra anë dhe për të promovuar bizneset lokale, nga ana tjetër, është një domosdoshmëri. Teknologjia dhe inovacioni japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të dhënies së shërbimeve.