Senati italian miraton reformën e diskutueshme kushtetuese
2024-06-20 10:17:34

Foto:VCG

Foto:VCG

Senati italian miratoi reformën e diskutueshme kushtetuese të paraqitur nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni.

109 anëtarë votuan në favor të reformës, në dhomën më të vogël nga dy dhomat e Parlamentit italian, ndërsa 77 votuan kundër.

Reforma ende përballet me disa pengesa të tjera përpara se të bëhet ligj, shkruan “ATSH”.

Pas votimit, opozita protestoi dhe mbajti në mënyrë simbolike kopjet e kushtetutës.

Reforma kushtetuese parashikon që në të ardhmen kryeministri do të zgjidhet drejtpërdrejt për pesë vjet dhe koalicionit që mbështet kandidatin fitues do t’i jepen të paktën 55% të vendeve në të dy dhomat e Parlamentit, për t’u siguruar që të ketë një shumicë të zbatueshme.

109 votat e siguruara në Senat ishin shumë larg shumicës së dy të tretave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese në të dy dhomat e Parlamentit italian. Gjithashtu nuk pritet që drafti të marrë një shumicë të tillë në Dhomën e Deputetëve.

Nëse shumica e dy të tretave nuk sigurohen, masa duhet të hidhet në referendum.

Herën e fundit që u mbajt një referendum i tillë, në vitin 2016, kreu i qeverisë së atëhershme Matteo Renzi humbi votën dhe si rezultat duhej të jepte dorëheqjen.

Qeveria e krahut të djathtë në Itali dëshiron të përdorë reformën për të luftuar paqëndrueshmërinë kronike të qeverive italiane.

Reforma e qeverisë Meloni është kritikuar ashpër nga opozita. Ata kanë frikë se kryeministrja mund t’i heqë pushtetet e rëndësishme Parlamentit dhe presidentit.

Opozita njoftoi synimin e saj për të ndërmarrë veprime kundër planit. (Elona)