Kina kundërshton standardet e dyfishta mbi të drejtat e njeriut
2024-06-20 12:47:03

Kina foli të mërkurën në emër të shumë shteteve, për të kundërshtuar standardet e dyfishta të disa vendeve, të cilat përdorin të drejtat e njeriut si pretekst për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve në zhvillim.

Foto:VCG

Z. Chen Xu(në të djathtë) në mbledhje të OKB-së/Foto:VCG

Chen Xu, Përfaqësues i Përhershëm i Kinës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në Zvicër, u bëri thirrje mekanizmave shumëpalëshe të të drejtave të njeriut të mbështesin barazinë dhe drejtësinë, të shërbejnë si platforma për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv.

Chen i tha këto kur bëri një deklaratë të përbashkët në emër të Grupit të Miqve për Nxitjen dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut përmes Dialogut dhe Bashkëpunimit dhe një grupi vendesh, gjatë  Sesionit të 56-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Respektimi i të drejtave të njeriut nga të gjithë, është synimi i përbashkët i njerëzimit, tha Chen, duke theksuar se Këshilli i të Drejtave të Njeriut dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë duhet të mbështesin barazinë dhe drejtësinë, të ndjekin objektiva dhe parimet e Kartës së OKB-së, t'i përmbahen parimeve të universalitetit, paanshmërisë, objektivitetit, mospolitizimit dhe pa selektivitetit në punën dhe funksionimin e tyre.

Ai gjithashtu theksoi se këta mekanizma duhet të qëndrojnë të fortë kundër standardeve të dyfishta, bullizmit dhe unilateralizmit. Duhet të sigurohemi që ato të shërbejnë si platforma për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv, midis të gjitha vendeve, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë.

Në deklaratë u theksua se disa shtete ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve në zhvillim, nën pretekstin e të drejtave të njeriut, ndërsa mbyllin sytë ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut brenda kufijve të tyre dhe tek aleatët e tyre. "Ne kundërshtojmë standarde të tilla të dyfishta," tha ai.

Në deklaratë vihet në dukje gjithashtu se nuk ka vetëm një rrugë për zhvillimin e të drejtave të njeriut në botë, pra asnjë vend nuk duhet të imponojë modelin e tij mbi të tjerët.

"Ne duhet të respektojmë kërkimin e secilit vend për rrugën e tij drejt zhvillimit të të drejtave të njeriut, që i përshtatet realitetit të tij kombëtar. Duhet të promovojmë respektimin e të drejtave të njeriut nga të gjithë popujt, me paqe dhe zhvillim, duke nxitur zhvillimin e shëndetshëm të kauzës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. ” tha përfaqësuesi kinez.

Deklarata e përbashkët fitoi mbështetje të gjerë nga vendet në zhvillim, madje shumë vende e bënë jehonë në fjalimet e tyre në seancë.(Zhang Yan/Elona)