Organizohet në Tiranë Panairi i parë Ndërkombëtar i Pasurive të Paluajtshme
2024-06-19 11:13:07


Panairi Nderkombetar i Pasurive te Paluajshme ne Tirane

Për herë të parë në Tiranë u zhvillua Panairi Ndërkombëtar i Pasurive të Paluajtshme, i organizuar nga “Klik Ekspo Group” dhe Shoqata Kombëtare Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA). Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues nga pushteti lokal dhe ai qendror, por edhe aktorë të rëndësishëm në këtë sektor. Zv.presidenti i “Klik Ekspo Grup”, Luel Muhametaj, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla me në fokus investimet. Ai theksoi se sektori i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit.

CMG: Si do ta cilësoni ju efektin e këtij eventi të rëndësishëm?  

Luel Muhametaj: Sot shënohet një moment historik për Shqipërinë. Ekspozita e parë e pasurive të paluajtshme në Tiranë nënkupton edhe një dëshmi të vizionit tonë kolektiv dhe ambicieve dhe përkushtimit, për të ndërtuar një të ardhme të begatë. Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rritje dhe transformim të jashtëzakonshëm. Qytetet po zhvillohen, horizontet tona po ngrihen dhe komunitetet tona po lulëzojnë. Sektori i pasurive të paluajtshme ka pasur një rol kryesor në këtë zhvillim duke vepruar si një gur themeli për stabilitetin ekonomik dhe një sërë  mundësish.

 Drejtori ekzekutiv i NAREA-s, Reinaldo Pipira, foli me shifra konkrete sa i përket ndikimit që ka pasur sektori i pasurive të paluajstshme në ekonominë shqiptare.

“1/3 e investimeve në vend vjen pikërisht nga sektori i pasurive të paluajtshme. Ky panair vjen në një moment kyç për vendin.  Dy vite pas rregullimit ligjor për këtë industri është koha të hedhim dritë mbi këtë treg. Sot, “Real Estate” luan një rol të rëndësishëm për turizmin dhe investimet”,- u shpreh Pipiria.

Panairi i pare Nderkombetar i Pasurive te Paluajtshme ne  Tirane

Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, deklaroi se tashmë në Shqipëri, tregu i pasurive të paluajtshme është zhvilluar ndjeshëm dhe sot flasim për specialistë të këtij sektori.  “Shqipëria tashmë ka specialistë në tregun e pasurive të paluajtshme. Nuk ka qeveri që të zgjidhë vetë të gjitha problemet, ndaj partneriteti është shumë i rëndesishëm. Në takimet e vazhdueshme për sfidat, grupi juaj nuk përmend vetëm problematikat, por jep dhe sugjerime si të zgjidhen ato. Shqipëria e miliona turistëve, sot përballet edhe me sfida të jashtëzakonshme, ndaj duhet të jemi në lartësinë e duhur për t’i përballuar ato. Pesha specifike e investimeve të këtij sektori është vërtet e madhe”,- deklaroi deputeti Shalsi.

Tirana mbetet qyteti kryesor sa i përket investimeve në pasuri të paluajtshme, por po vihet re edhe një interesim për bregdetin nga investirorët e huaj. Shifrat në lidhje me këtë i prezantoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi.

“Jam zemër plot kur shikoj këtë panair, pasi arriti të gjente rrugën për të qenë një panair identitar dhe jo shtojcë e panaireve të tjera. Investimet e huaja për vitin 2023 ishin 1.5 miliardë euro, nga të cilat 350 milionë euro ishin vetëm në banesa rezidenciale në bregdet”,- tha ai.

Partnerët ndërkombëtar, si nga Konfederata Europiane e Profesioneve të “Real Estate”, por edhe shoqata kombëtare “REALTOURS”, e vlerësuan maksimalisht këtë sektor, duke e konsideruar hapin më të rëndësishëm për një treg të sigurt në pasuritë e paluajtshme.

Kosmas Theodorides, zëvendëspresident i CEPI-t, Konfederata  Europiane e Profesionistëve të “Real Estate”, u shpreh se ishte i privilegjuar që ishte i pranishëm në këtë panair, duke përgëzuar dhe vlerësuar organizatorët për eventin. Ai e cilësoi me rëndësi panairin, si një vend takimi për të bërë miq nga e gjithë bota në Tiranë. “Panairi është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të mirë në këtë sektor. Shpresojmë që Shqipëria të integrohet sa më shpejt në BE. Ky panair është një shenjë e mirë për këtë rrugëtim”,- tha Theodorides.  Alina Aeby, koordinatore globale për Europën Lindore në “REALTORS USA”, tha se Shqipëria është një tregues i rëndësishëm i transformimit dhe zhvillimit. Ajo u shpreh e nderuar që merrte pjesë në panair.  Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jakaj, deklaroi se Tirana është ndër vendet më dinjitoze që konkurron në tregun rajonal dhe jo vetëm në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Në edicionin e parë të Panairit Global “Real Estate 2024” u ndanë edhe çmime dhe certifikata për pjesëmarrësit, përfaqësues të industrisë së pronave të paluajshme.

Jonida Shehu, prezantuese ne Panairin Nderkombetar te Pasurive te Paluajtshme ne Tirane 

Tre çmimet e para u ndanë për:

Lefter Sila, president i “INF93”, me motivacionin: Për përpjekje të vazhdueshme në vendosjen e standardeve profesionale në industrinë e pronave të paluajtshme.

“BALFIN REAL ESTATE”, për: Krijimin e LandMark përmes modelit të biznesit dhe projektimit.

“ORION CONSTRUCTION”, për: Inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në ndërtesat rezidenciale.

Panairi i pare Nderkombëtar i Pasurive te Paluajtshme ne Tirane

CMG: Zoti Lefter, cili do të ishte mesazhi që do të ndanit për këtë event?

Lefter Sila: Ndihem mirë për atë që kemi bërë këto kohë dhe që kemi avancuar, për të ngritur dhe shoqatën për gjithë ndërmjetësit e shoqërisë së pronave të paluajtshme. Kam 30 vite që punoj dhe po 30 vite që kisha një ëndërr për të pasur një panair të tillë. Erdhi pak vonë por tejet i realizuar denjësisht.

Për mikrofonin e Radio Ejani kanë folur disa prej ekspozuesve në këtë panair.

Ekspozuesi i parë: "Mendoj se kishte ardhur momenti që të bëhej një panair i tillë duke marrë parasysh se ky është tregu më i madh i moment dhe secili prej nesh duhet të tregonte veten. Ky ishte një kanal për të krijuar fizibilitet më të gjithë aktorët."

Ekspozuesi i dytë: "Kjo ishte një mundësi e artë për këdo që pati mundësi për t'iu bashkuar këtij panairi, pasi u njohën me të gjithë në këtë treg të madh. Organizimi, bashkë me të gjitha konferencat apo takimet e zhvilluara që ishin të larmishme, u dha mundësinë të gjithëve të tregonin se çfarë mund të bëjnë. Vitin që vjen besojmë se do të kemi edhe më shumë kapacitete teknike."

Ekspozuesi i tretë: "Panairi është përfaqësuar në mënyrën më të mirë pasi ka edhe subjekte private edhe shtetërore. Çdo gjë ka qenë e realizuar në detaj. Dhoma Kombëtare e Noterëve pati mundësinë që t’i ofronte publikut një komunikim të drejtpërdrejtë për këdo që kishte interes në pasuritë e paluajtshme. Gjatë Panairit Ndërkombëtar të Pasurive të Paluajtshme pati aktivitete dhe konferenca të shumta, për zhvillimin e këtij tregu. Panairi u fokusua në tre komponentë kryesorë: vendbdodhja, ekspozuesit dhe vizitorët, të cilët e bënë atë të tërhiqte vëmendjen e shumë qytetarëve, si dhe duke i dhënë më shumë shkëlqim e zë këtij eventi."

Përgatiti: Megi Latifi