UNRWA-ja: Mbi 1.3 milionë njerëz janë zhvendosur nga Rafah në pjesë të tjera të Gazës brenda 6 javëve
2024-06-19 17:27:30

Kriza ne Gaza (Foto Rtsh)

Kriza ne Gaza (Foto Rtsh)

Më shumë se 1.3 milionë njerëz besohet se janë zhvendosur nga Rafah në pjesë të tjera të Gazës, pa specifikuar vendqendrimet, në një hark kohor prej gjashtë javësh, bëri të ditur Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), shkruan “Panorama”.

“Rreth 65.000 njerëz janë strehuar në Rafah”,- shkroi UNRWA-ja në një postim në “X”, duke shtuar se gjashtë javë më parë ishin rreth 1.4 milionë.

“Që nga fillimi i luftës, familjet në Gaza janë detyruar të ikin përsëri dhe përsëri. Ata vazhdojnë të kërkojnë siguri aty ku nuk ka”,- bëri të ditur agjencia e OKB-së.

Javën e kaluar, Këshilli Norvegjez për Refugjatët nënvizoi në një raport se pothuajse një milion njerëz, gjysma e popullsisë së Gazës, janë zhvendosur në muajin e kaluar pas operacioneve të zgjeruara ushtarake të Izraelit në Rafah.

Raporti theksonte se po bëhet gjithnjë e më e vështirë për njerëzit e zhvendosur në Gaza të zhvendosen sërish, duke u përballur me probleme të tilla si rrugët e bllokuara, mbipopullimi, mungesa e karburantit dhe një rritje gjashtëfish e kostove të transportit.  (Irma)