Kina ndërton rrjetet më të mëdha të transportit në botë me investime rekord
2024-06-19 16:55:07

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Rrjetet e transportit të Kinës arritën një gjatësi mbi 6 milionë kilometra vjet, me rrjetin më të madh në botë të hekurudhave të shpejtësisë së lartë, të autostradave e të postës së shpejtë, dhe një rrjet të ndërlidhur të objekteve portuale të nivelit botëror, sipas një raporti të publikuar të martën nga Ministria e Transportit e Kinës. 

Sektori kinez i transportit ka njohur një zhvillim të shpejtë, duke nxitur shërbimet e transportit që kanë mbështetur rritjen ekonomike të Kinës. Në vitin 2023, në këtë sektor u bënë investime të rëndësishme, që arritën në 3.91 trilionë juanë (539 miliardë dollarë) në pasuri fikse, me një rritje prej 1.5 për qind në krahasim me vitin 2022, theksohet në raport. 

Këto investime kanë sjellë rezultate mbresëlënëse. Deri në fund të vitit të kaluar, Kina kishte rrjetin më të madh hekurudhor në botë, që arriti një gjatësi të përgjithshme 159 000 km, 45 000 km prej të cilave hekurudha me shpejtësi të lartë. Edhe rrjeti i gjerë rrugor i vendit pati gjithashtu një zgjerim të konsiderueshëm, duke arritur në 5.44 milionë km, me 183 600 km autostrada. Përveç kësaj, në Kinë u shtuan edhe pesë aeroporte të reja komerciale vitin e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 259, vihet në dukje në raport. 

Më 2023 jo vetëm u ndërtua infrastrukturë e re, por gjithashtu u vu theksi edhe në përmirësimin e rrjeteve ekzistuese, me një shtim të 2 776 km linja të reja hekurudhore me shpejtësi të lartë, ndërsa rrjeti i autostradave u zgjat me 6 394 km nëpërmjet projekteve të reja të ndërtimit e zgjerimit. Zonat rurale përfituan gjithashtu, me 188 000 km rrugë të reja apo të rikonstruktuara. 

Përmirësimi i infrastrukturës ka çuar në përfitime konkrete. Më 2023 transporti komercial i mallrave u rrit 8.1 % në krahasim me vitin 2022, me një vëllim të përgjithshëm 54.75 miliardë tonë. Edhe lëvizja e udhëtarëve pati rritje të rëndësishme, me udhëtimet ndërrajonale të udhëtarëve që arritën në 61.29 miliardë, 30.7 për qind më shumë nga viti i mëparshëm, thotë raporti. 

Ministria e Transportit theksoi gjithashtu arritjen me mbulim të plotë nga shërbimi postar i Kinës, duke siguruar që të gjitha fshatrat anembanë vendit të kenë shërbimet postare bazë.