TEA (Argumentum.al)
Dita ditës po rriten shifrat e turistëve në Shqipëri ku vetëm në muajt e parë të këtij viti rreth 3.3 milionë turistë e kanë vizituar atë. Shifrat janë bërë të ditura nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në promovimin e kalendarit turistik ‘TEA’, ku tha se aplikacioni u vjen në nidhmë turistëve për të gjetur më lehtë shërbimet që ata kërkojnë. Partneriteti me bankat, sipas Kumbaros ka qënë i shkëlqyer.
“Nuk është dhe shumë i rastësishëm fakti që Shqipëria është përzgjedhur për panairin më të madh në botë si vendi i nderit për vitin 2025 në Berlin. 3.3 milionë turistë kemi pritur në muajt e parë të vitit, ose 40% më shumë. Shumë interesante që shifrat përkojnë dhe këtë shifër raporton tregu privat, operatorët për konfirmimet dhe kontratat e lidhura, këto shifra konfirmojnë bankat dhe flukset monetare që hyjnë dhe dalin falë turizmit. Këtë shifër rritje prej 40% për të njëjtën periudhë e konfirmon dhe numri i vizitorëve që e kanë vizituar Shqipërinë për arsye të ndryshme që nga data 1 janar. Partneriteti me bankat, me sektorin privat është padyshim një situate “win win” sepse tashmë të gjithë po orientohen sikurse dhe investimet e qeverisë. “
Turizmi shqiptar ka marrë përmasa të tjera edhe në sajë të promovimeve të vazhdueshme sidomos nga të huaj që vijnë dhe prekin vetë realitetin e bukurive shqiptare.
“Promovomi i turizmit nuk është thjeshtë një detyrë, apo një element sipërfaqësor, përkundrazi është një diplomaci e fuqishme për prezantimin e Shqipërisë. Sepse nuk është për t’u çuditur tashmë sepse vetëm Hashtagu #Albania në Tik tok, në rrjetin social që po pushton botën jo thjesht me emrin, jo thjesht me imazhin por me kontent të prodhuar në mënyrë origjinale nga përdoruesit e turizmit shqiptar në mënyrë spontane prej tyre sot ka krijuar më shumë se 3,8 milionë postime. Një e dhënë që veç se na përforcon bindjen se elementë të tillë digjitalë, elemente virtuale duhet të jenë kryefjala jonë, jo vetëm për të përjetuar dhe prezantuar Shqipërinë e bukur, jo vetëm për t’i ftuar për pushime, por sidomos për të prezantuar Shqipërinë që ka bërë revolucion në vendin që ajo zë në botë falë shumë elementeve të tjerë, por sot edhe falë edhe turizmit.”
Turistë në Tiranë (Foto reporter.al)
Turizmi nuk mund të bëjë pa u ndërthurur me element që e plotësojnë.
“Unë këtu nuk jam vetëm sot, jam me dy kolegë të mi, Anila Denaj ministre e bujqësisë dhe Blendi Gonxhen ministrin e ekonomisë, kulturës dhe inovacionit si dy bashkëpunëtorë shumë të vyer për mua në pasurimin e ofertës tonë turistike që fillon nga agroturizmi tek kulinaria, tek trashëgimia kulturore. Por dua të ndalem tek fakti që ndonëse vitin e kaluar Agjencia Kombëtare e Turizmit propozoi për të parën herë këtë instrument që është kaq praktik në telefonat e të gjithëve, duke u shpërndarë tek shumë turistë, por edhe tek shumë bashkatdhetarë kudo nëpër botë”
Teknologjia do të vijojë ta pasurojë më tej këtë mënyrë promovimi të turizmit.
“TEA 2.0 vjen me një krijimtari të pasur jo thjesht në imazh, jo thjesht në portofolin kulturor të eventeve, por vjen edhe me një prakticitet shumë më të lehtë. Viti i kaluar na tregoi për çfarë kanë nevojë turistët dhe e orientuam këtë instrument drejt nevojave, duke i dhënë në një klik të vetëm gjithçka ku punojnë praktikisht të gjitha bashkitë, të gjitha shërbimet, por edhe shumë shërbime private. Mund të gjejmë brenda sekondit jo vetëm çfarë festivali mund të shohim, por ku mund të hamë, në cilin hotel të shkojmë, çfarë muzesh ka aty rrotull, cila është harta ku mund të orientohemi për shumë shërbime të tjera.”- tha Kumbaro.
Ministrja Mirela Kumbaro (Foto Tirana Diplomat)
Aplikacioni i krijuar në ndihmë të turizmit i jep informacione të shumta vizitorëve.
“Partnerët privatë janë shumë të mirëpritur të bëhen bashkudhëtarët tanë sikurse është telefoni celular, telefonia mobile One tashmë partner zyrtar i Ministrisë së Turizmit dhe i mirëpret turistët sapo hyjnë në territorin e Shqipërisë me një ftesë në telefonin e tyre ku iu prezanton këtë aplikacion që shkarkohet falas, por edhe sloganin tonë të të gjithë Shqipërisë ku mund t’i provojnë të gjitha shqisat dhe ndjesitë. Nuk do të ishte i mundur kjo arritje sot, nëse ne nuk do të kishim bashkimin e të gjitha forcave tona. “
Sezoni veror parashikon kalendar të pasur eventesh e koncerte në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe të gjitha do të jenë te detajuara në aplikacion. “TEA 2.0” është Platforma e dedikuar Kombëtare e Turizmit, e lançuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në cilësinë e koordinatorit kombëtar, në bashkërendim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, si një inovacion i rëndësishëm në fushën e zhvillimit të turizmit, e cila do të mundësojë marketimin dhe promovimin e produktit turistik në të gjithë dimensionet, nëpërmjet zhvillimit të eventeve tradicionale dhe inovative, duke motivuar pjesëmarrjen aktive të turistëve në përvojat shqiptare, atraksionet dhe potencialet e destinacioneve turistike në nivel kombëtar.
TEA është një inovacion i rëndësishëm në fushën e zhvillimit të turizmit dhe do të vazhdojë të pasurohet më tutje edhe me një gjenerator të inteligjencës artificiale, i cili do t’i bëjë të mundur të gjithë turistëve dhe vizitorëve, që të bëjnë personalizimin e planeve të tyre të udhëtimit dhe po ashtu që të kenë në dispozicion harta 3D dhe opsione të reja. Monumentet historike dhe sitet arkeologjike të vendit tonë, vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti kanë tërhequr 182 mijë vizitorë. Ndërkohë që parqet kombëtare dhe natyrore janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë.