Mund të jetë e vështirë të imagjinohet se çdo vit 40 për qind e violinave në botë prodhohen në Huangqiao, një qytet në Kinën lindore, dikur i famshëm për bukën e susamit dhe jo muzikën.
Një shëtitje nëpër rrugët e Huangqiao, në qytetin Taixing, provinca Jiangsu, zbulon një transformim të mrekullueshëm. Një liqen në formë violine zbukuron sheshin e qytetit, statujat e violinistëve janë të shpërndara përreth dhe mbi 30.000 persona punojnë në industrinë e violinës, duke prodhuar çdo vit rreth 700.000 instrumente me tela. Pothuajse çdo fëmijë në qytet i bie violinës.
foto nga VCG
Violinat e prodhuara nga Huangqiao kanë fituar një reputacion ndërkombëtar. Në Moskë, Rusi, Daniyar Abdrakhimov i shet këto violina në dyqanin e tij të veglave muzikore.
“Nuk është e shtrenjtë, prodhim i shkëlqyer, cilësi e shkëlqyer dhe akustikë e mirë. Edhe fillestarët mund t'i luajnë ato”,- thotë Abdrakhimov.
Huangqiao ka marrë dhe pseudonimin “Kremona e Lindjes”, dedikuar qytetit italian ku lindi violina. Historia fillon në vitet 1960 kur punëtoritë e violinës filluan të lulëzonin në qytetet kryesore kineze si Pekini dhe Shangai.
Disa vendas të Huangqiaos, të cilët e kishin zotëruar zanatin në Shangai, u kthyen në vendlindje dhe hapën një fabrikë për këtë instrument.
Li Shu, krijoi violinën e parë të Huangqiaos në fillim të viteve 1970. Sot, Li është kryetar i “Jiangsu Fengling Musical Instrument Group”, një kompani që eksporton violina në gati 90 vende dhe rajone, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë dhe Rusinë.
“Nuk është e lehtë të kesh instrumente muzikore perëndimore të prodhuara nga Kina të hyjnë në tregun jashtë shtetit”,- thotë Li, duke theksuar se teknikat inovative i kanë bërë violinat e Huangqiao të njohura në nivel global.
Tradicionalisht, druri i violinës duhet të thahet për më shumë se 50 vjet për të siguruar një tingull të mirë dhe për të parandaluar plasaritjen, pasi ky proces redukton ujin, sheqerin dhe rrëshirën.
Kompania e Li zhvilloi një teknologji mikrobiologjike duke përdorur enzimat që gjenden në verë për të hequr sasi të mëdha të papastërtive, duke shkurtuar kështu kohën e tharjes me mbi 20 vjet.
foto nga VCG
Pasi Kina u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë, industria e violinës në Huangqiao u zgjerua me shpejtësi, duke përdorur cilësi të lartë dhe çmime të ulëta për të hyrë me shpejtësi në tregun ndërkombëtar, shton Li.
Në mënyrë të ngjashme, Xu Xiaofeng, beson se një përkushtim ndaj cilësisë së lartë i ka bërë violinat e Huangqiaos një mysafire të rregullt në ekspozitat ndërkombëtare të instrumenteve muzikore.
Megjithëse Huangqiao ka përqafuar prodhimin masiv, Xu është kampion i artit të punimit me dorë, gjë që ai beson se dallon një violinë nga ato të prodhuara në linjat e montimit.
Procesi përfshin konfigurimin e trupit të violinës, bërjen e bishtit, akordimin e akustikës dhe formësimin e instrumentit, të gjitha këto ndikojnë në timbrin.
Duhen rreth 200 hapa për të bërë një violinë. Xu sharron çdo dërrasë dhe shpon çdo vrimë me dorë. Ai ende kujton reagimin e një klienti të huaj kur luajti një nga produktet e tij më të hershme.
foto nga VCG
“E pyeta se si e vlerësonte violinën dhe ai tha: “Është e paimagjinueshme që e keni bërë një produkt të tillë me dorë”,- kujton Xu. Ai gjithashtu krijoi një punëtori për prodhimin e violinës në Huangqiao, ku ka trajnuar qindra krijues violine.
Sot, qyteti ka mbi 200 ndërmarrje të prodhimit të violinës. Industria e violinës jo vetëm që ka krijuar vende pune për banorët e Huangqiao, por ka pasuruar edhe jetën e tyre jashtë punës.
Pushteti vendor promovon edukimin muzikor dhe nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën mund të mësojnë të luajnë violinë. Shumë fëmijë në Huangqiao madje luajnë me violina si lodra.
“Ata jo vetëm mësojnë për industrinë e vendlindjes së tyre, por gjithashtu zhvillojnë hobi dhe shijet e tyre artistike përmes mësimit të muzikës”,- deklaroi Qian Hui, një mësues violine në Huangqiao.
Shumë studentë kanë ndjekur karrierë profesionale muzikore, duke vazhduar studimet në akademi prestigjioze të muzikës brenda dhe jashtë vendit, shton Qian.
Që nga viti 2017, Huangqiao ka qenë një vend i përhershëm për Ditën e Bërjes Muzikë në Kinë. Kjo ditë filloi në Francë në vitin 1982.
Çdo vit, mijëra muzikantë, orkestra dhe dashamirës të muzikës nga mbarë bota mirëpriten në kryeqytetin e violinës të Kinës, të lidhur nga dashuria e tyre për muzikën.
Ajo që filloi si një përpjekje modeste nga disa zejtarë ka lulëzuar në një simfoni globale, duke bërë jehonë shumë përtej kufijve të qytetit.