Më 12 qershor 2024, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, firmosi aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në zonën gjeografike të Sistemit Unik të Pagesave në Euro, SEPA (Single European Payment Area).
Kjo përbën një ditë historike jo vetëm për sistemin financiar në vend, por për të gjithë qytetarët shqiptarë. SEPA ka nisur funksionimin në vitin 2008 dhe është plotësuar në vitin 2016, duke përfshirë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe 9 shtete të tjera në Europë dhe përtej.
Integrimi i pagesave, i realizuar nga SEPA, ka kontribuar në eficiencën e pagesave të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe ka përmirësuar konkurrencën e ekonomisë europiane në tërësi.
Guvernatori i Bankes se Shqiperise Gent Sejko (foto: Euronewsalbania)
Gjatë të 16 viteve të funksionimit të tij, sistemi i pagesave SEPA u ka dhënë qytetarëve të Bashkimit Europian me qindra milionë euro përfitim, në tarifa më të ulura të pagesave ndërkufitare.
Si pjesë e Planit të Rritjes Ekonomike të Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian, që të bëhet pjesë e SEPA-s. Ky sistem eliminon dallimet midis pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare.
Shqipëria është bërë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që aplikon për t’u bërë pjesë e SEPA-s. Kjo erdhi, falë harmonizimit të plotë të kuadrit rregullator nga ana e Bankës së Shqipërisë.
Përfituesit e parë më të mëdhenj do të jenë emigrantët që sjellin para në Shqipëri, për familjet e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, ngritja e sistemit ndërbankar në vend, për transfertat në euro, që nga viti 2022, u kurseu qytetarëve rreth 47 milionë euro. Me integrimin në Zonën Unike Evropiane të Pagesave, kursimet do të rriten në disa herë.
“Me pjesëmarrjen në SEPA, bizneset dhe qytetarët shqiptarë do të fitojnë me qindra milionë euro, nga komisionet më të ulura dhe nga shpejtësia e kryerjes së transfertave. Duhet të kemi parasysh se turizmi është një nga motorët e zhvillimit të ekonomisë dhe nëpërmjet transfertave bankare më të shpejta dhe me kosto më të lira, do të përfitojnë të gjithë agjentët turistikë, vizitorët dhe turistët, por edhe investimet e huaja direkte. Të gjithë qytetarët shqiptarë që punojnë jashtë Shqipërisë po ashtu do të përfitojnë nga kryerja e transfertave nëpërmjet SEPA-s.
Banka e Shqiperise (foto: Euroactiv.com)
Tani e kemi përmbyllur punën për aplikimin në Këshillin Europian të Pagesave dhe do të vazhdojmë procesin, derisa të bëhemi një vend anëtar.
Lajmi i mirë është që Shqipëria është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që e ka dorëzuar aplikimin për t’u bërë vend anëtar i SEPA-s. Banka e Shqipërisë në këtë Projekt ka pasur rolin udhëheqës dhe ka kryer punën kryesore, duke qenë se është institucion financiar. Që nga viti 2021, ne kemi punuar për të plotësuar Paketën e Aplikimit, por kjo punë është kryer dhe me disa institucione të tjera, si Ministria e Financave, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti i Konkurrencës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe institucione të tjera.
Paketa ligjore për aplikimin në SEPA është kompletuar dhe është vlerësuar nga Banka Botërore, që Shqipëria është në përputhje të plotë.
Pas aplikimit, do të komunikojmë ngushtë me Këshillin Europian të Pagesave, për të parë nëse do të ketë kërkesa të detajuara, apo kërkesa teknike”,- deklaroi guvernatori Sejko.
Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është iniciuar si një nga masat e parashikuara në projektin rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, në kuadër të përmbushjes së Planit të Ri të Rritjes së Bashkimit Europian.
Ai ka mbështetjen e Komisionit Europian, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe të Bankës Botërore. Realizimi i anëtarësimit në SEPA ka përfitime shumëdimensionale për Shqipërinë, nga pikëpamja e procesit të integrimit në familjen e madhe europiane, por dhe për ekonominë shqiptare dhe tregun vendas të pagesave.
SEPA (foto: Suppluchaindigital)
Hartimi i aplikimit për në SEPA ka qenë një punë voluminoze dhe sfiduese, e drejtuar nga Banka e Shqipërisë. Falë përgatitjeve të mëparshme dhe bashkëpunimit të ngushtë të një sërë institucionesh shtetërore, ky projekt u realizua me sukses.
Thjeshtësia, komoditeti dhe efikasiteti janë tre nga përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi për konsumatorët dhe bizneset edhe të Shqipërisë.
Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta, sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Europian dhe anasjelltas. Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj.
Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, vetëm në vitin e parë të anëtarësimit, qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë do të përfitojnë gati 20 milionë euro.
Projeksionet janë që në një periudhë afatmesme, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA.
Futja e Shqipërisë në SEPA do të ndikojë në formalizimin e ekonomisë sonë, në rritjen e përfshirjes financiare, në modernizimin e pagesave dhe paralelisht, në edukimin financiar të popullsisë.