"Shenzhou-18": Astronautët kinezë testojnë forcën dhe muskujt në hapësirë
2024-06-18 15:33:35

Foto CMSA

Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSA) publikoi një video të dielën, e cila tregon ekuipazhin e "Shenzhou-18" duke kryer eksperimente të ndryshme në Stacionin Hapësinor të Kinës. 

Tre taikonautët, Ye Guangfu, Li Cong dhe Li Guangsu, kryen një numër testesh për të matur forcën e tyre në hapësirë. 

Këto teste, të cilat përfshijnë ushtrime ulje-ngritjeje me një krah dhe të dy krahët, si dhe vlerësime të forcës rrotulluese, synojnë të kuptohet se si ndryshon forca vepruese e një astronauti në një mjedis mikrograviteti krahasuar me Tokën. 

Duke mbledhur të dhëna gjatë gjithë misionit të tyre, studiuesit shpresojnë të njohin ndikimet e fluturimit hapësiror mbi fiziologjinë njerëzore. 

Ekuipazhi mori pjesë gjithashtu në studime të përqendruara në përshtatjen e muskujve. Duke përdorur pajisje si biçikleta, pista e vrapit dhe makina e stërvitjes për rezistencë, astronautët bënë teste që matën fortësinë e tendinës së Akilit, modelet e lëvizjes së gjymtyrëve të poshtme dhe shpërndarjen e presionit të këmbëve. 

Këto të dhëna do të përdoren për të krijuar një model që parashikon se si mund të balancojnë ushtrimet humbjen e muskujve gjatë misioneve hapësinore të gjata. 

"Shenzhou-18" është një mision gjashtëmujor. Gjatë qëndrimit të tyre në stacionin hapësiror, astronautët planifikohet të kryejnë mbi 90 eksperimente në disiplina të ndryshme shkencore, duke përfshirë shkencën e materialeve hapësirore dhe shkencën e teknologjinë e jetës.