TEDA dhe kompanitë që kanë përparësi të bëhen pjesë e saj
2024-06-17 10:54:41

Në Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik të Tiranës TEDA tashmë idetë janë të qarta për konceptin se cilat kompani i shërbejnë të ardhmes dhe cilat gjenerojnë më shumë vende pune. Në një intervistë për mediat Genc Kojdheli Drejtor i Investimeve Strategjike dhe Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës tregon se cilat biznese janë të dëshiruara në këtë njësi të re të rëndësishme ekonomike. Pas një studimi të bërë nga grupi i punës është përcaktuar qartë se cilat kompani nuk janë të përshtatshme për këtë format.

“Në studimin që ne kemi bërë kemi tentuar të listojmë ato prioritete teknologjike dhe ekonomike të cilat do t’i përkasin të ardhmes. Pra një kompani shqiptare që sot operon në treg dhe prodhon produkte ushqimore nuk futet dot në TEDA, një fason nuk futet në TEDA. Por një kompani shqiptare që mund të prodhojë pjesë të një makine elektrike mund të futet në TEDA sepse i takon automotivit. Një nga industritë që i kemi dhënë prioritet në TEDA është automotivi. Çdo lloj industrie që ka lidhje me teknologjinë është e mirëpritur.”- shprehet Kojdheli.

foto: Euriskon

foto: Euriskon

Hapësira është e gjerë edhe për kompani të tjera.

“Automotive, të gjitha format e teknologjisë, të gjitha format e ICT, të gjitha format e asaj që quhet Advance BPO, shërbimet outsource, që kompanitë e huaja i kalojnë për shërbim në Shqipëri dhe paguajnë mirë procese teknologjike pune, pra mbajtjen e llogarive online, kërkimin dhe zhvillimin, Research and develop, zhvillimin  e teknologjive të reja, transferimin e teknologjisë, logjistikën e avancuar, qendrat e të dhënave, data center,  janë disa industri të së ardhmes. Teknologjia bioteknologjike dhe biofarmaceutike janë teknologjitë e së ardhmes dhe janë të mirëpritura sepse i mungojnë tregut, por gjithashtu garantojnë dhe vende pune stabël dhe afatgjata. Ndërsa një fason që investon, pa paragjykuar industrinë fasone pasi është një nga kontribuuesit e rëndësishëm në ekonominë shqiptare prej vitesh, nuk është një industri që ofron vende pune  të mirëpaguara, të mirëtrajnuara, ndërkohë që sot ka zhvillime teknologjike në botë që ofrojnë rroga mbi 1 mijë euro për individ. Kjo do të ishte shumë në linjë edhe me aspiratat që ne kemi për ta rritur mesataren e rrogës në një qytet si Tirana, që praktikisht gjeneron thuajse ½ e inputit ekonomik të vendit. Kjo është lista dhe e kemi të publikuar, se cila është lista e bizneseve që do mirëpriten.”- u shpreh ai.

Në intervistën për Report Tv, Kojdheli tha se TEDA do te jetë një hapësirë e gjerë me kapacitetë të mëdha punësimi.

“Kapaciteti i TEDA-s mendohet në kapacitetin e plotë nga 5 mijë deri në 7 mijë vende pune dhe pritshmëria jonë është për rreth 40 kompani. Sigurisht që mund të ketë dhe kompani që vijnë më herët dhe të jenë të mëdha dhe atëherë të na bjerë kapaciteti në terma numrash, por synimi për sa i përket numrave të të punësuarve është mes 5 mijë dhe 7 mijë. Nëse ne e shikojmë që do ketë një kërkesë të madhe në vijimësi për më shumë terren, aty ka kapacitet për t’u zgjeruar pak më tepër gjeografikisht, në terma hapësinorë. Ky është qëllimi sa i përket numrave. Besojmë se përmirësimi i infrastrukturës dhe faza e dytë e punimeve do mbarojë brenda vitit dhe 2 apo 3 muajt e parë të vitit 2025. Nga ana operacionale struktura që do ta menaxhojë dhe struktura pritëse do jetë gati për të lidhur kontratat e para me kompanitë, të cilat do duan të operojnë tek TEDA Tiranë.”

foto: Newsbomb.al

foto: Newsbomb.al

A është Teda në Kashar një zonë e mirëfilltë e lirë ekonomike?

“Në ligjin shqiptar nuk ka zona pastërtisht të lira ekonomike. Ka disa zona, në të cilat favorizohen bizneset dhe kompanitë që të hyjnë aty, duke marrë suport dhe disa inciativa fiskale, që kanë të bëjnë me TVSH me zbritje të saj, nëse investon para të caktuara në kërkim dhe zhvillim, nëse investon në trajnim, nëse i bën vetë pjesën më të madhe të transferimit teknologjik. Pra nuk janë zona taksimi zero. Këto janë zonat e lira ekonomike. Ne nuk kemi të tilla. Unë personalisht dhe shumë njerëz që merren me këtë fushë mendojnë dhe besojnëë se zonat pastërtisht ekonomike nuk janë shumë të favorshme sepse shteti fiton pak gjë, nga zonat pastërtisht të lira ekonomike. Ka disa vende që e bëjnë këtë gjë pasi kanë ekonominë shumë të fortë, kanë monedha shumë të forta dhe u intereson qarkullimi. Në rastin specifik ne nuk na intereson tregtia, pra në një zonë si TEDA, na intereson që të vijnë vende punë cilësore, të qëndrueshme afatgjata, të cilat nuk sjellin disa punë të pakualifikuara, të paguara rëndom. Por shpresojmë që të sjellin gjeneratën e re të punëve të cilat janë afatgjata, të qëndrueshme dhe që sjellin tek ne pak më shumë sesa para, duke sjellë teknologji, që nuk ke sesi dhe ku t’i gjesh pa ardhur këto kompani dhe punë cilësore.”- u shpreh Kojdheli.

Aty janë parashikuar të ngrihen të gjitha strukturat lidhëse me bizneset që operojnë.

“Zona, emri fillestar ka qenë zona Kashar, TEDA Kashar, edhe pse tani për facilitet edhe në komunikimet ndërkombëtare e kemi kaluar në TEDA Tiranë, sepse ndërkombëtarisht njihet shumë më tepër Tirana se Kashari. Është në zonën paralele Tiranë-Durrës, mbi Mëzez,  në trekëndëshin Kombinat, Kashar, Mëzez. Aty është një hapësirë shumë e madhe, ku kishte një pjesë të pronës, e cila ishte e shtetit dhe i janë bashkangjitur disa prona private të shpronësuara. Është krijuar një hapësirë e madhe dhe po mbaron tani përmirësimi i pronës, rrethimi dhe rregullimet e brendshme. Do vijohet me ngritjen e infrastrukturës mbështetëse, zyrat e doganës, zyrat e të gjithë mbështetjes që ofron shteti për kompanitë që do futen brenda dhe kompanisë menaxhuese nga Bashkia Tiranë. Duhet theksuar që kjo është TEDA e parë, ose zona e parë TEDA në Shqipëri e cila jo vetëm bëhet realitet, por do menaxhohet nga shteti, nga një strukturë shtetërore, nuk do t’i kalohet privatit.”

Deri tani, sipas Kojdhelit, shumë kompani ndërkombëtare kanë shprehur interes, kompani që operojnë në fushën e industrisë automotive, teknologjike apo bioteknologjike. Janë kompani nga  Izraeli, Italia, Franca, Holanda, Britania dhe të tjera, që pritet të shfaqin interes, pasi po bashkëpunohet me  AIDA-n për të lançuar TEDA në forume ndërkombëtare. Synimi është që kompanitë e huaja në TEDA-s të punësojnë vendas dhe jo të sjellin të huaj.