Kryeministri Li: Bashkëpunimi Kinë-Australi mund të kapërcejë Paqësorin dhe dallimet mes tyre
2024-06-17 14:38:55

Kryeministri kinez Li Qiang tha të dielën se për sa kohë të dyja palët e çmojnë atë, bashkëpunimi midis Kinës dhe Australisë mund të kalojë përtej Oqeanit të gjerë Paqësor dhe të kapërcejë dallimet, duke bërë arritje me përfitime reciproke.

Kryeministri kinez Li Qiang në kopshtin zoologjik Adelaide, Australi(Foto: Faqja elektronike e qeverisë kineze)

Ai i bëri deklaratat gjatë vizitës në kopshtin zoologjik Adelaide, i cili bën pjesë në bashkëpunimin Kinë-Australi për mbrojtjen dhe kërkimin e pandave.

Kreu i qeverisë kineze tha se Wang Wang dhe Fu Ni, çifti i vetëm i pandave në Hemisferën Jugore të Tokës, rriten në kopshtin zoologjik të Adelaides. Megjithëse janë larg shtëpisë, ata kanë një kujdesje të mirë, janë ambientuar dhe po gëzojnë një jetë të lumtur në Australi.

Wang Wang dhe Fu Ni u huazuan nga Kina në vitin 2009 dhe janë ndër kafshët më të preferuara të kopshtit zoologjik Adelaide. Ata do të kthehen në Kinë këtë vit, siç është rënë dakord nga të dyja palët.

Kryeministri kinez shtoi se arritjet e Kinës në mbrojtjen e pandave, tregojnë kontributin pozitiv të vendit në ruajtjen e biodiversitetit global dhe kafshëve të rrezikuara. Kina është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me Australinë, për mbrojtjen dhe kërkimin e pandave. Ajo shpreson se Australia do të jetë gjithmonë një shtëpi miqësore për pandat.

Vizita e Li-së shënon një moment historik të rëndësishëm në zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve Kinë-Australi, për thellimin e lidhjeve dhe komunikimin e nivelit të lartë midis dy vendeve.

Në nëntorin e vitit 2022, presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministrin australian Albanese, gjatë zhvillimit të samitit të G20 në Indonezi. Një vit më vonë, Albanese vizitoi zyrtarisht Kinën, ku mori pjesë në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës. Gjatë takimeve të tyre, të dy udhëheqësit shprehën vullnetin për të stabilizuar marrëdhëniet dhe pranuan se ekonomitë e tyre ishin "shumë përplotësuese".

Kryeministri kinez Li Qiang mbërrin në Australi, 15 qershor(Foto: Faqja elektronike e qeverisë kineze)

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis Kinës dhe Australisë është një gur themel i rëndësishëm i lidhjeve dypalëshe. Për 15 vjet me radhë, që nga viti 2009, Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare, tregu më i madh i eksportit dhe burimi nr.1 i importit të Australisë. Strukturat ekonomike të Kinës dhe Australisë janë shumë përplotësuese. Qumështi, mishi viçi dhe vera australiane janë të njohura në Kinë. Qymyri, minerali i hekurit, elbi, sana dhe produkte të tjera janë gjithashtu mirëpritur në tregjet kineze. Sipas një udhëzuesi tregtar të botuar nga Ministria e Tregtisë e Kinës, bashkëpunimi dypalësh ka mundësi të mëdha në fusha si mineralet, automjetet me energji të re etj.

Gjithashtu, të dhënat doganore të Kinës tregojnë se vjet Kina importoi 155.38 miliardë dollarë mallra dhe shërbime nga Australia, një rritje prej 9.3% në krahasim me vitin 2022. Ndërkohë, Kina eksportoi në Australi 73.81 miliardë dollarë mallra dhe shërbime dhe Australia priti mbi 550,000 turistë kinezë në të njëjtën kohë.

Në prillin e sivjetshëm, Australia përfundoi masat e saj anti-dumping kundër kullave kineze të erës për prodhimin e energjisë, pasi Organizata Botërore e Tregtisë vendosi se tarifat australiane ndaj produkteve kineze të çelikut kishin të meta. Kina gjithashtu ka hequr masat anti-dumping të vendosura në vitin 2021 ndaj elbit dhe verës australiane dhe ka hequr ndalimet për disa eksportues australianë të mishit viçit dhe qingjit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Qeveria australiane njoftoi të mërkurën se vendi eksportoi verë në Kinë me vlerë 86 milionë dollarë australianë, në një muaj pasi Kina hoqi tarifat. Kina, dikur tregu më i madh i eksportit për verën australiane, zbatoi tarifa zero për verën australiane, pasi të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të tregtisë së lirë në 2015 dhe shpejt u bë tregu më i madh i eksportit për verën australiane.(Zhang Yan/Elona)