Ksamil(Foto nga ATSH)
“Duhet të vini në Shqipëri sepse është një vend me histori, kulturë dhe gjuhë unike dhe njerëz jashtëzakonisht miqësorë”, shkruhet vazhdimisht në median e huaj, të cilat shtojnë se Shqipëria është vendi fantastik, sidomos për pushimet familjare. Shqipëria është vendi ku mund të ndërthurësh pushimet e këndshme për fëmijët, në det ose pishinë, me zbulimin e vendeve të panjohura argëtuese për të rriturit. Shqipëria është relativisht e përballueshme dhe miqësore me buxhetin.
Deri në vitet ’90 Shqipëria nuk ishte e njohur si vend turistik, por sot ajo shfaqet si një destinacion i lakmuar. Viti i kaluar ishte viti më i ngarkuar i turizmit në Shqipëri deri më tani, me më shumë se 10 milionë vizitorë të huaj. Megjithatë, nëse më përpara vendi ynë tërhiqte më shumë çifte, tani po rritet në popullaritet për familjet dhe është e lehtë të kuptohet pse.
Berat (Foto nga Atsh )
Nga fshati përrallor i Thethit në Alpet Shqiptare në veri deri te ishujt e përsosur të Ksamilit në jug, vendi ynë ka shumë për të ofruar si për fëmijë ashtu edhe për të rritur. Bujtinat në Theth janë ideale për familjet me fëmijë të vegjël, ndërkohë shumë impresionuse për turizmin familjar mbeten natyra e Bjeshkëve të Namuna dhe Syrtn të Kaltër në veri.
Është ndërhyrja unike e bukurisë mahnitëse natyrore, e kombinuar me vendet historike që e bëjnë Shqipërinë një vend ku të gjithë turistët do të ndihen të lumtur në fund.
Qytetet historike të Beratit, Gjirokastrës dhe Krujës janë mjaft të lehta për t’u eksploruar brenda një dite. Qyteti i Durrësit ka një bregdet të bukur dhe duket si një kartolinë e viteve 1970. Ka një amfiteatër romak dhe shumë kafene të këndshme.
Po kështu rrugicat e pjerrëta të Beratit, të ftojnë në pasdite të qeta, duke eksploruar mes vlerash të trashëgimisë botërore që mbrohen nga UNESCO. Qyteti daton që nga epoka bizantine. Ai njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” falë ndërtesave të tij unike që ngrihen në kodër pranë lumit Osum deri në një akropol.
Një tjetër ekskursion i preferuar për familjet është Shkodra, në veri të vendit pranë kufirit malazez – dhe porta për në “Bjeshket e Namuna”. Shkodra është një qytet turistik i qetë me një qendër me pedonale, ku turistët mund të bëjnë shëtitje dhe të shijojnë një kafe jashtëzakonisht të mirë. I lirë, i sigurt dhe i qetë, qyteti ka një horizont të dominuar nga Xhamia e madhe Ebu Bekër dhe kumbarorja e Kishës së Madhe, por gjithashtu ndodhen përreth shumë ndërtesa të bukura e të ulëta.
Dhermi (Foto nga ATSH)
Adoleshentët që duan të impresionojnë miqtë e tyre në Tik Tok nuk do të zhgënjehen pasi do të kenë shumë materiale për video shumë të bukura duke pasur parasysh një mori aktivitetesh nga rafting në ujërat e bardha në kanionin e Osumit e deri tek sporti me ski jet në plazhet e rivierës shqiptare.
Sa i përket akomodimit ka plot resorte e hotele përgjatë bregdetit nga Saranda në Ksamil të cilat ofrojnë dhoma të përshtatshme për çdo udhëtar.
Deti Jon është i ngrohtë dhe i sigurt për të notuar dhe restorantet buzë detit ofrojnë pjata të mrekullueshme me prodhime të freskëta deti. Por pothuajse të gjitha shkrimet reklamuese të Shqipërisë veçojnë restorantin e preferuar të këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa, atë të Mrizit të Zanave, i cili cilësohet si një nga më të mirët në vend.
“Mrizi i Zanave”, një restorant i stilit agroturizëm në veri të Shqipërisë, është vendi më i kërkuar nga turistët e huaj që kërkojnë pushime familjare. Të informuara për ekzistencën dhe mënyrën e funksionimit të këtij agriturizëm të suksesshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjërë, përmes jehonë së medias ndërkombëtare, por edhe shënimeve personale të udhëtarëve të ndryshëm që e kanë provuar, ky lokal është në fokusin e pothuajse të gjithë turistëve kur vizitojnë Shqipërinë e veriut. Lokali që prej vitesh funksionon si referenca e suksesit të kulinarisë shqiptare, është një vend shumë i dashur për të gjithë. Një vend që tërheq turistët me familjet e tyre, për konceptin, origjinalitetin, shkrirjen me natyrën, cilësinë e ushqimit dhe raportin sasi /cilësi.
Përgatiti: N. Kraja