Jozefina ne kopertine te revistes Stina (Foto personale)
Jozefina Traboini jeton prej vitesh në Stokholm të Suedisë bashkë me familjen e saj. Shkrimtarja nga Shkodra ka botuar disa libra me poezi dhe prozë, që janë pritur mjaft mirë nga lexuesit dhe kritika letrare. Së fundi ajo i ka kushtuar një këngë mbesës së saj të dashur Patris, një bashkëpunim me kompozitorin e njohur shkodran Zef Çoba. E vendosur tashmë mes Shqipërisë dhe Suedisë, ajo tregon për Radio Ejani pjesëza nga jeta e saj në emigrim.
Libri i Jozefina Traboini (Foto personale)
CMG: Prej disa vitesh jeton bashkë me familjen në Suedi. Si është Stokholmi në këtë stinë vere?
Jozefina Traboini: Stokholmi në pranverë dhe verë është shumë i bukur. Nuk ka qytet më të bukur në këtë stinë, pastaj dimri është i egër dhe i freskët. Këtu ka një gjelbërim të paparë, ku parqet janë të mrekullueshme.
CMG: Sa vite ke që jeton në Suedi dhe si ka qenë integrimi juaj në fillim atje?
Jozefina Traboini: Bashkëshorti im erdhi në Suedi para 7-8 viteve dhe direkt pas tij erdha dhe unë. Jam shkëputur për disa kohë, sepse jetoja në Shqipëri, për shkak të nënës së sëmurë. Ndaj dhe e kam bërë vajtje-ardhje. Ka disa kohë që jam shkëputur nga Shqipëria dhe jetoj pranë familjes.
CMG: Ka qenë i vështirë vendimi për t’u larguar nga vendlindja?
Jozefina Traboini: Ka qenë vendim jashtëzakonisht i vështirë, sepse unë me bashkëshortin kemi qenë ndër emigrantët e parë të viteve ‘90, ku ikëm dhe jetuam shumë vite në Itali. Atje lindën fëmijët, ku u rritën dhe u shkolluan. Pastaj u kthyem në Shqipëri, kur Italia pati krizën e madhe. Pasi u kthyem, filluam të punonim, por bashkëshorti kishte vështirësi punësimi dhe vendosëm të marrim sërish rrugët e emigrimit. Gjithsesi emigrimi në moshën tonë është shumë i vështirë, jo se ne e kemi të vështirë të integrohemi, por emigrimi është i vështirë për çdo njeri. Këtu ku jetojmë jetesa është e mirë, por është një mund i madh.
Kopertina e librit te Jozefines (Foto personale)
CMG: Je autore e disa botimeve në fushën e letërsisë. Cila ka qenë krijimtaria juaj letrare ndër vite?
Jozefina Traboini: Kam shkruar që e vogël, e kam pasur shumë pasion shkrimin dhe më ka pëlqyer letërsia. Kam qenë e talentuar në hartime dhe punët e mia lexoheshin para klasës. Kam shkruar vazhdimisht, sidomos poezi. Por, edhe prozë. Vitet e fundit, bashkë me xhaxhanë, bëmë një libër së bashku, “Saga e familjes Traboini”.
Kam botuar tre libra me prozë dhe poezi. Gjithashtu kam botuar shumë artikuj në gazeta, si “Koha Jonë”, “Telegraf” dhe “Panorama”, mbi faktet e jetesës dhe ngjarjeve jetësore të vendit. Poezitë dhe prozat e mia kanë dalë dy herë në kopertinë të reviztës “Stina”. Gjithashtu kam marrë pjesë në mjaft veprimtari letrare.
CMG: Si janë pritur librat tuaj nga lexuesi dhe kritika letrare?
Jozefina Traboini: Librat janë pritur shumë mirë dhe unë i kam dhuruar librat me shpirt. Librat janë lexuar dhe kam marrë shumë komente, sepse kanë qenë poezi dhe proza të ndjera. Edhe kritika letrare ka qenë mjaft e mirë.
CMG: Ke promovuar ndonjë nga librat tuaj në Shqipëri?
Jozefina Traboini: Kam promovuar tri libra në Shqipëri, madje njëri ka qenë me Demir Gjergjin, të cilit i jam shumë mirënjohëse, pasi u ka bërë jehonë shkrimeve të mia. Ai më thoshte që librat e mi duhet të shpërndahen nëpër shkolla, që t’i lexojnë nxënësit.
Jozefina me mbesen Patris (Foto personale)
CMG: Pëlqen më tepër poezinë, prozën apo romanin?
Jozefina Traboini: Lexoj shumë libra, kam lexuar autorë të mëdhenj. Poezia është art në vetvete dhe jo kushdo mund ta bëjë. Poezia për mua është këngë, himn, melodi dhe gjithçka.
Si poezia, proza dhe romani janë zhanret që nuk mund t’i ndaj. Te proza ngulmoj ndoshta më shumë, por poezinë e kam në shpirt dhe e krijoj shumë më shpejt.
CMG: E viziton shpesh Shqipërinë dhe për çfarë të merr malli më shumë kur je larg vendlindjes?
Jozefina Traboini: Në Shqipëri shkoj shpesh sepse kam dhe nënën atje. Më merr shumë malli dhe pse këtu ku jetoj nuk më mungon asgjë, por vendlindja mbetet vendlindje dhe më mungon. Sa herë vij në Shqipëri kam një mall të pashuar. Lotët e mi nuk pushojnë derisa kthej kokën dhe shoh kalanë. Në fakt poezia e parë që i kam bërë Shkodrës ka qenë poezi për kalanë.
CMG: Ke shkruar një tekst kënge dedikuar mbesës, si lindi kjo ide?
Jozefina Traboini: Mbesa ime është 5 vjeçe dhe e dua shumë. Nuk ka gjyshe që nuk e do mbesën, apo nënë që nuk e do fëmijën e vet, por ajo për mua është sikur më jep frymë. Unë Partisës i kam thurur shumë poezi që në lindje, madje nuk ka festë që mos t’ia lexoj poezitë. Këtë projekt e kam pasur dy vjet përpara, ku thosha se do t’i bëja një këngë që ta ketë kujtim, për ta kënduar gjithë jetës duke kujtuar dhe gjyshen e saj, që e ka dashur aq shumë. Kështu që bisedova me Zef Çobën, një nga kompozitorët më të nderuar të vendit. Bëmë një bashkëbisedim të gjatë bashkë se si mund ta krijonim këtë këngë. Ai ma priti shumë mirë idenë time. Kur dëgjova kompozimin, kam qarë nga lumturia, sepse më pëlqeu shumë, sepse ka krijuar një vals shpirti, duke u përshtatur dhe në tekstin tim, i cili ka fjalë të ndjera, që dalin nga zemra e një gjysheje. Por, përshkrimi i notave të muzikës të Zefit i janë përshtatur imazhit në fotografi të Patrisit, e cila është një fëmijë shumë i bukur, me një portret engjëllor.
Më pëlqen shumë kënga dhe i jam mirënjohëse si Zefit që e ka kompozuar ashtu dhe Jozefina Gurit që e ka kënduar. Është një vajzë shumë e talentuar që këndon në Shkodër. Kam qejf që kjo këngë Patrisit t’i këndohet nëpër festivale dhe të shpërndahet sa më shumë, ta dëgjojnë shumë gjyshe, shumë nëna dhe vajza të vogla.
Jozefina me bashkeshortin dhe mbesen (Foto personale)
CMG: Patrisit i ka pëlqyer kënga?
Jozefina Traboini: Asaj i ka pëlqyer shumë. Ditën e ditëlindjes kur ka shkuar në kopsht ia kanë vënë këngën dhe ajo ka mbetur si e hutuar, se e ka kuptuar që ia ka bërë gjyshja e saj.
Ishte prekur shumë nga gjithë ngjarja, e dëgjonte me shumë vëmendje këngën, duke e kuptuar që ishte një dedikim nga gjyshja e saj.
CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhdim në lidhje me krijimtarinë letrare?
Jozefina Traboini: Kam shumë poezi dhe shkrime që i kam ruajtur. Mund të kem shkrime të miat për të botuar dhe 10 libra të tjerë, por kur të më krijohet mundësia do t’i botoj në të ardhmen.
Intervistoi: Gazmend Agaj