Zhvillohet "Nata kineze e filmit dhe televizionit" në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shangait
2024-06-17 18:22:55

Si një pjesë përbërëse kryesore e Festivalit të 26-të Ndërkombëtar të Filmit të Shangait (SIFF), në Portin Mediatik Ndërkombëtar të Shangait u mbajt të dielën mbrëma edicioni më i fundit i "Natës kineze të filmit dhe televizionit", një veprimtari vjetore për të nderuar personalitet e filmit dhe televizionit në Kinë që qëndrojnë si përpara, ashtu edhe pas kamerave. 

Kjo veprimtari, që kishte si temë "Historitë kineze në botën e dritës", nderoi disa nga veprat më të mira origjinale të Kinës. Po ashtu, personalite të filmit dhe televizionit ndanë historitë e tyre pas skenës, duke shpërfaqur përkushtimin e pareshtur të tyre për të rrëfyer historitë kineze dhe për të paraqitur një pamje të gjithanshme e të vërtetë të Kinës nëpërmjet gjuhës kinematografike. 

Gjatë segmentit retrospektiv, u shfaqën vepra të shquara vendëse, si filmi epik fantastik "Krijimi i perëndive", komedia "YOLO" dhe filmi i animuar me temë nga dinastia Tang "Tredhjetë mijë kilometra nga Changan-i", si edhe drama televizive të parapëlqyera nga publiku, duke përfshirë "Gëzimi i jetës" (sezoni 2), "Si një lumë që rrjedh" (sezoni 3),  "Gonxhet" dhe "Qyteti i qytetit". Ndërsa në seksionin e veprave që do të shfaqen në të ardhmen, u paraqitën prodhimet e parashikuara për t'u transmetuar në kanalet e Grupit Mediatik të Kinës. 

Ndërsa ky vit shënon 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Francës, si edhe Vitin e Kulturës dhe Turizmit Kinë-Francë, gjatë "Natës kineze të filmit dhe televizionit" u njoftua gjithashtu nisja zyrtare e "Javës së filmit francez" nën kujdesin e posaçëm të SIFF. Gjatë kësaj veprimtarie, 38 filma francezë do të shfaqen në 156 pika anembanë Shangait, duke i krijuar publikut kinez mundësinë për të marrë pjesë në shkëmbimet e pasura kulturore dypalëshe, ndërsa lidhjet ndërmjet të dy vendeve po forcohen.