Artisti i ri i talentuar Arianit Ramadani pasionin për muzikën e ka shfaqur në moshën 6 vjeçare, kur ka interpretuar në instrumentin e kitarës, si dhe ka marrë pjesë në performanca të ndryshme artistike me rastin e festave që organizoheshin në shkollë. Me origjinë nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, Arianiti tashmë 21 vjeç ka studiuar muzikë në shkollën fillore “Eqerem Çabej”, duke vijuar në atë të mesmen e muzikës dhe ndjek studimet në Fakultetin e Arteve, dega muzikë në vendlindje. Arianiti gjithashtu angazhohet me netët live, duke interpretuar mjaft nga këngët e njohura shqiptare. Muzika për të është pasion, por edhe profesion. Ai ka realizuar shumë këngë të njohura të artitëve shqiptarë, të regjistruara me video dhe së shpejti pret që të publikojë një këngë të re.
CMG:Ti interpreton covera të njohura shqiptare dhe luan njëkohësisht në kitarë. Cila është kënga që të pëlqen më shumë dhe e luan më shpesh?
Arianit Ramadani: Po, më pëlqen shumë që të këndoj covera të njohura. Kënga ime e preferuar që kam kënduar është e këngëtarit Naser Berisha "Do të doja".
CMG: Këngët që i këndon i sjell të shoqëruara me kitarë, duke i realizuar me video. Mendon se është rruga e duhur drejt famës?
Arianit Ramadani: Çdo gjë e madhe fillon me hapa të vegjël, prandaj edhe këto covera që kam kënduar, i kam shoqëruar me dhe pa video. Së shpejti do të publikoj këngën time të parë autoriale, më pas dalëngadalë mendoj se do shkoj drejt famës.
CMG: A ke marrë ndonjë koment nga artistët që u ke kënduar këngën e tyre?
Arianit Ramadani: Po,kam marrë shpesh herë komente pozitive nga artistë të ndryshëm si Ylli Limani, Dafina Zaqiri, Naser Berisha, etj.
CMG: Cili është artisti yt i prefetuar, që do doje ndoshta një bashkëpunim?
Arianit Ramadani: Kam një artiste shumë të preferuara dhe ajo është Dafina Zeqiri. Shpresoj që të kemi një bashkëpunim së bashku.
CMG: Cili është zhanri i preferuar muzikor, që i përshtatet vokalit tënd?
Arianit Ramadani: Zhanri im i preferuar muzikor është muzika pop dhe baladat. Më shumë vokalit tim mendoj se i shkojnë baladat.
CMG: Ti e ke pasur pasion muzikën që në moshë të vogël. Kush e zbuloi talentin tënd?
Arianit Ramadani: Talentin tim e kanë zbuluar prindërit e mi. Ndërsa frymëzimin për muzikë e kam më shumë nga babai im.
CMG: Në cilat aktivitete ke marrë pjesë?
Arianit Ramadani: Kam marrë pjesë nëpër manifestime të organizuara nga shkolla, kam qenë pjesë e korit nëpër koncerte individuale dhe performanca me kitarë. Kam qenë pjesë edhe e garave të ndryshme në solfezh, ku kam marrë edhe vendin e parë në nivel komune, por edhe në nivel shtetëror.
CMG: Të kujtohet kënga e parë që ke kënduar?
Arianit Ramadani: Më kujtohet kënga ime e parë me titull "Fshatarja ime", e artistit Sabri Fejzullahu. Kjo është edhe një ndër këngët e mia të preferuara.
CMG: Studion në Fakultetin e Arteve dega Muzikë. E sheh të ardhmen tënde në muzikë?
Arianit Ramadani: Muzikën e kam pasion, por edhe profesion.
CMG: Ti shoqëron veten me kitarë. Kur ke nisur të mësosh këtë instrument? Cila është më e dashur për ty, kitara apo kënga?
Arianit Ramadani: Me instrumentin e kitarës kam filluar të merrem që në moshën 8 vjeçare, nuk mund t'i ndaj njërën nga tjetra, të dyja e kanë një vend të veçantë tek unë.
CMG: Cila është dëshira jote më e madhe për të realizuar në aspektin artistik? Ku e sheh veten pas një dekade?
Arianit Ramadani: Dëshira ime më e madhe është realizimi i disa këngëve të mia. Pas një dekade e shoh veten si një artist të njohur dhe me famë.
CMG: Ti interpreton shpesh në netët live, cili është repertori yt muzikor?
Arianit Ramadani: Jam munduar që të zgjedh këngët më të bukura, këngë shqiptare dhe të huaja, këngë të cilat nuk vdesin kurrë.
CMG: Cilat janë planet e tua të afërta?
Arianit Ramadani: Jam duke u përgatitur për këngën time, të krijuar posaçërisht për mua. Më mirë po e le surprizë se kur do të publikohet dhe se për çfarë bëhet fjalë.
Intervistoi: Sava Lena