Këngëtari nga Vlora Teo Dumani ka përfunduar studimet e larta për kanto në Fakultetin e Muzikës, Universiteti i Arteve, në Tiranë. Ai prej vitesh është fokusuar te muzika popullore tradicionale dhe ka publikuar disa materiale muzikore, që janë pritur mjaft mirë nga publiku. Para pak ditësh këngëtari vlonjat prezantoi një kolazh popullor me motive të jugut, orkestruar nga Genci Malaj. Teo është i pranishëm në koncerte dhe gëzime familjare brenda dhe jashtë vendit. Ai ka qenë pjesëmarrës edhe në festivalin “Luleborë” me një baladë. Në intervistë për Radio Ejani, Teo Dumani flet për karrierën e tij muzikore, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet.
CMG: Para pak kohësh ke publikuar një kolazh me këngë të zgjedhura popullore të trevës së jugut. Si është pritur ky kolazh ?
Teo Dumani: Ky kolazh ka marrrë komente pozitive dhe përshtypje shumë të mira nga publiku. Presim akoma vazhdimin, sepse janë ditët e para të publikumit të këtij kolazhi.
CMG: Si lindi ideja për të realizuar një kolazh me motive dasme?
Teo Dumani: Kolazhi i dasmave është një nga aryet kryesore për të prezantuar evente të ndryshme familjare, por dhe për të risjellë disa këngë të cilat kishin humbur në kohë.
CMG: Ka qenë e vështirë përzgjedhja e materialeve muzikore dhe lidhja e këngëve me njëra-tjetrën në kolazh?
Teo Dumani: Nuk ishte e vështirë sepse i kisha studiuar pak këngët dhe kisha parë se çfarë ishte e dëgjueshme për momentin dhe se çfarë nuk ishte.
CMG: Me cilët ke bashkëpunuar për realizimin e kolazhit popullor?
Teo Dumani: Kolazhin e ka orkestruar Genci Malaj, dhe videoklipin e kam realizuar me Angel Pro Albania.
CMG: Muzika ka qenë pasion yt që në moshë të vogël?
Teo Dumani: Muzika ka qenë një nga pasionet e mia të vetme, që në moshë të vogël dhe deri tani që jam 22 vjeç. Ky pasion është kthyer në profesion tashmë.
CMG: Ke pasur dikë nga familja që këndonte, apo je i vetmi këngëtar?
Teo Dumani: Unë kam qenë i vetmi dhe për momentin jam i vetmi që këndoj. Ndoshta më vonë trashëgimtarët e mi mund ta trashëgojnë nga unë.
CMG: Je lindur dhe rritur në Vlorë, qytetin me tradita në muzikën popullore, por dhe polifonike. Të pëlqejnë këngët polifonike t’i interpretosh nëpër evente?
Teo Dumani: Unë i kam interpretuar këngët polifonike në disa evente të ndryshme, me kërkesën e njerëzve. Për mua kanë të njëjtën vlerë si kënga popullore ashtu dhe ajo polifonike.
CMG: Ke mbaruar studimet për kanto në Universitetin e Arteve në Tiranë. Sa të ka ndihmuar shkolla në rrugën e muzikës?
Teo Dumani: Studimi i muzikës kalsike ka qenë nga të vetmet opsione, pasi unë kisha shumë dëshirë që të vazhdoja për muzikë dhe nuk e shihja veten në asnjëlloj fushe tjetër profesionale. Kam mësuar shumë nga arti klasik, imposturën e qëndrimit, diafragma, gjëra të cilat nuk mund t’i marrë çdokush pa kryer këtë lloj studimi.
CMG: Mendon se vitet e studimit në fakultetin e muzikës të kanë plotësuar për të qenë një këngëtar profesionist?
Teo Dumani: Vitet e shkollës më kanë plotësuar dhe ndihmuar në maksimum për rrugën time të muzikës.
CMG: Do dëshiroje të punoje si këngëtar i muzikës klasike në institucionet e vendit, apo do të qëndrosh te kënga popullore?
Teo Dumani: Për momentin e shoh veten vetëm tek muzika popullore dhe e lehtë shqiptare, pasi muzika klasike nuk ka qenë një nga dëshirat e mia. Njerëzit më duan dhe më shohin më shpesh te profili i muzikës popullore, më duan nëpër dasma, koncerte dhe evente të ndryshme jashtë dhe brenda Shqipërisë.
CMG: Ke qenë pjesëmarrrës te festivali “Luleborë” në Shkodër. Flasim për pjesëmarrjen në këtë event?
Teo Dumani: Festivali i këngës ‘Luleborë” është realizuar në nëntor të vitit të kaluar. Ishte një eksperiencë e re për mua, sepse nuk e kisha provuar ndonjëherë të prezantohesha me një baladë. Njerëzit e pritën këngën time në njëlloj mënyre që unë nuk e prisja.
CMG: Baladat janë të pëlqyeshme sot nga njerëzit?
Teo Dumani: Janë shumë të rrallë ata që i duan baladat, sepse tregu po ndryshon çdo ditë, ku të gjithë këngëtarët po profilizohen në kornizat e tyre. Mendoj se publiku është më tepër i prirur tek muzika ritmike popullore dhe ajo e kërcyeshme. Nuk besoj se i preferojnë shumë baladat e vuajtjeve.
CMG: Ke menduar të realizozh bashkëpunime me ndonjë këngëtar tjetër popullor?
Teo Dumani: Kam tre bashkëpunime me të cilat jam duke punuar dhe në shtator do të publikohet i pari. Pastaj me kalimin e kohës do të publikohen dhe bashkëpunimet e tjera.
CMG: Flasim për këngët e tjera që ke publikuar dhe si janë pritur nga publiku këto këngë?
Teo Dumani: Njerëzit më kanë pritur mirë që në këngën e parë që kam publikuar, më kanë mbështetur shumë dhe më mbështesin akoma më shumë. Prandaj kjo është një shtysë e madhe për të vazhduar më shumë përpara.
CMG: Me cilin kompozitor dhe autor tekstesh bashkëpunon më shpesh ?
Teo Dumani: Këngët e tjera i kam realizuar me kompozitorin Klodian Qafoku. Disa nga tekstet e këngëve mi ka shkruar Florian Zyka, dhe besoj se do kemi akoma bashkëpunime më të bukura në të ardhmen.
CMG: Sa e rëndësishme është paraqitja e jashtme e një artisit në publik?
Teo Dumani: Jam mësuar gjithmonë që ta mbaj veten në përditshmërinë time, dhe sidomos nëpër evente duhet patjetër të paraqitesh mirë. Njerëzit duan të të shikojnë mirë. Është një pikë kyçe shumë e fortë për të gjithë artistët, që kurimi i vetes është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne.
CMG: Flasim për aktivitetet tuaj muzikore, dasmat dhe gëzimet famoljare. Je më i pranishëm në trevën e jugut apo dhe trevat e tjera të vnedit?
Teo Dumani: Koncertet më të shpeshta janë në trevat e jugut, sepse unë jam nga Vlora dhe këngët që kam realizuar janë këngë jugore. Gjithashtu kam patur koncerte dhe evente në veri të Shqipërisë, Kosovë dhe treva të tjera.
CMG: Ke marrë pjesë nëpër koncerte jashtë Shqipërisë?
Teo Dumani: Kam qenë në disa aktivitete të ndryshme në Athinë, Itali, Norvegji dhe në vende të tjera të Europës.
CMG: Si janë marrëdhëniet me këngëtarët e tjerë?
Teo Dumani: Unë jam tip shumë i qetë dhe i dashur, energjinë që përcjellë e marr dhe mbrapsht. Kështu që deri tani kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë kolegët e mi që kam bashkëpunuar, më njohin dhe i njoh. Mendoj se nga ana ime çdo gjë është në rregull në këtë pjesë.
CMG: A ke ndonjë këngëtar të muzikës popullore që e mban si idhullin tënd?
Teo Dumani: Unë jam rritur me këngët e Aurela Gaçes dhe vazhdoj ta kem shumë përzemër dhe xhan si artiste.
CMG: Do kishe dëshirë të bëje ndonjë bashkëpunim me Aurelën në të ardhmen?
Teo Dumani: Pse jo, mendoj se do ishte mirë.
CMG: Cila është e veçanta që sjellin këngët qytetare vlonjate?
Teo Dumani: Këngët qytetare vlonjate janë të trashëguara brez pas brezi. Ato janë të krijuara që nga të parët tanë, dhe gjëja e mirë e tyre është se janë të krijuara para shumë vitesh dhe nuk janë cënuar. Për mua kjo është një gjë shumë pozitive dhe një veçanti në ruajtjen e traditës.
CMG: Beson se brezi i ri e do këngën popullore?
Teo Dumani: Ka shumë të rinj që i kam takuar nëpër koncerte dhe evente të ndryshme, që janë adhurues dhe dashamirës të muzikës popullore. Mendoj se muzika popullore ka simpatizantë të shumtë.
CMG: E ke veshur ndonjëherë kostumin popullor tradicional?
Teo Dumani: Kostumin popullor ma kanë sugjeruar për ta veshur, por nuk e kam veshur sepse kisha menduar veshjet e mia, por në projektet e radhës do ta vesh.
CMG: Cilat do të jenë projektet muzikore në vazhdim?
Teo Dumani: Kam disa produksione të reja muzikore, të cilat jemi duke i punuar. Gjithashtu gjatë sezonit do të jem me koncerte dhe dasma, duke u munduar të bëjmë më të mirën.
CMG: Përveç angazhimit me koncertet gjatë sezonit, ke menduar për pushime?
Teo Dumani: Pushimet e mia do të jenë pushime dimërore të gjata në ndonjë vend të ngrohtë besoj.
CMG: Të pëlqen të udhëtosh?
Teo Dumani: Më pëlqejnë shumë udhëtimet. Kam bërë më shumë udhëtime pune sesa udhëtime qejfi, por kur të plakem do të bëj më shumë udhëtimet e qejfit.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe adhuruesit tuaj.
Teo Dumani: Unë i përshëndes të gjithë, duke i falenderuar shumë për përkrahjen dhe komentet e shumta që më vijnë me Instagram, Facebook dhe kudo ku më ndjekin. Do të shihemi shumë shpejt me projekte të reja muzikore dhe nëpër evente të ndryshme.
Intervistoi: Gazmend Agaj