Europoli shkatërron rrjetin ballkanik të drogës nga Amerika Latine
2024-06-15 10:52:29

Europoli (Foto Panorama)

Europol ka prangosur 40 persona dhe sekuestroi 8 tonë kokainë si rezultat i një operacioni katërvjeçar të policisë ndërkombëtare, që synonte rrjetin kriminal që trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut në Europë nëpërmjet Afrikës Perëndimore dhe Ishujve Kanarie, shkruan “Panorama”.

Hetimi disavjeçar, që u drejtua nga forca spanjolle Guardia Civil, dhe e koordinuar nga task forca operacionale e Europolit, zbuloi se një kartel ballkanik përdorte qendra logjistike në Afrikën Perëndimore dhe Kanarie për të kontrabanduar kokainë nga Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori në vendet e BE-së.

Pasi droga arriti në Europë, ajo u shpërnda në të gjithë kontinentin duke përdorur qendra të trajtimit në Belgjikë, Kroaci, Gjermani, Itali dhe Spanjë.

Në një deklaratë të publikuar nga Europoli bëhet e ditur se drejtuesit e këtij karteli ishin vendosur përkohësisht në Turqi dhe Dubai.

“Nga atje, ata operonin qendrat e kontrollit dhe komandës së rrjetit kriminal. Hetimet në këtë rrjet identifikuan një kërcënim të rëndësishëm, aftësinë e aktorëve kriminalë për të bashkëpunuar ngushtë në baza afatgjata në vende për të lehtësuar operacionet e tyre të trafikut të drogës në shkallë të gjerë”,- thuhet në deklaratën e Europolit.

Agjencia Europiane për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit bëri të ditur se bashkëpunimi midis nëntë forcave kombëtare, përkatësisht të Brazilit, Belgjikës, Kroacisë, Gjermanisë, Italisë, Serbisë, Spanjës, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ka rezultuar vendimtar për evidentimin e rrjetit. (Irma)