Presidentja e KE-së mbështet planin e paqes së SHBA-së për Gazën
2024-06-15 11:33:44

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ofroi mbështetjen e KE-së për planin e paqes në Rripin e Gazës të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden.

“Plani me tri faza i presidentit Biden meriton mbështetjen tonë të plotë. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm, lirimi i pengjeve dhe një fund i qëndrueshëm i kësaj krize. Ne jemi gati të luajmë rolin tonë me veprime të shpejta dhe efektive për rimëkëmbjen dhe rindërtimin që çon në një zgjidhje me dy shtete”,- tha von der Leyen gjatë samitit të G7-s, të zhvilluar në Bari të Italisë.

Plani i paraqitur nga presidenti amerikan në fund të majit, në fazën e parë parashikon një armëpushim të plotë që zgjat gjashtë javë, gjatë së cilës një grup pengjesh do të lirohen në këmbim të lirimit të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Faza e dytë parashikon përfundimin e përhershëm të armiqësive dhe lirimin e pengjeve të mbetura.

Rindërtimi i Rripit të Gazës do të fillojë në fazën e tretë.

Lufta në Gaza u nis nga sulmi i paprecedentë i Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 250 të tjerë.

Rreth 120 persona janë ende në duart e Hamasit, por ekziston frika se shumë prej tyre mund të kenë vdekur.

Izraeli iu përgjigj sulmit me një ofensivë masive ushtarake në Gaza, në të cilën janë vrarë të paktën 37.232 persona dhe mijëra të tjerë janë plagosur, sipas burimeve nga autoritetet e Hamasit.

Të dhënat e OKB-së tregojnë se rreth 85% e popullsisë në Gaza, gati 1.9 milionë persona, janë zhvendosur me forcë pas sulmeve izraelite. (Irma)