Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon furnizime të mira të naftës deri në vitin 2030
2024-06-15 12:07:46

Fatih Birol, kreu i IEA-se (Foto Capitalfm)

Ngadalësimi i rritjes së kërkesës dhe oferta në rritje bëjnë që tregjet globale të naftës të kenë teprica të mëdha gjatë kësaj dekade, thuhet në një raport të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), citon “Xinhua”.

Sipas raportit, bazuar në politikat aktuale dhe tendencat e tregut, kërkesa e fortë nga ekonomitë me rritje të shpejtë në Azi, si dhe nga sektorët e aviacionit dhe petrokimikeve, pritet të rrisë përdorimin e naftës në vitet e ardhshme.

Rritja ka të ngjarë të kompensohet nga faktorë të tillë si rritja e shitjeve të makinave elektrike, përmirësimet e efikasitetit të karburantit në automjetet konvencionale, rënia e përdorimit të naftës për prodhimin e energjisë elektrike në Lindjen e Mesme dhe ndryshimet strukturore ekonomike, sipas raportit afatshkurtër të tregut të IEA-së.

Raporti bëri të ditur se kërkesa globale për naftë, përfshirë biokarburantet, ishte mesatarisht pak më shumë se 102 milionë fuçi në ditë në vitin 2023 dhe pritet të ulet në afro 106 milionë fuçi në ditë deri në fund të kësaj dekade. Paralelisht, një rritje në kapacitetin global të prodhimit të naftës pritet të tejkalojë rritjen e kërkesës nga tani deri në vitin 2030.

Kapaciteti total i furnizimit parashikohet të rritet në afro 114 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2030, 8 milionë fuçi në ditë mbi kërkesën e parashikuar globale, konstaton raporti. Kjo do të rezultonte në nivele të kapacitetit rezervë të paparë kurrë më parë, përveç në kulmin e bllokimeve nga Covid-19 në vitin 2020.

Kapaciteti i rezervave në nivele të tilla mund të ketë pasoja për tregjet e naftës, duke përfshirë edhe ekonomitë prodhuese në OPEC dhe më gjerë, sipas raportit. “Këtë vit, ne presim që kërkesa të rritet me rreth 1 milion fuçi në ditë”, tha drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol.

Sipas tij, projeksionet e këtij raporti, bazuar në të dhënat më të fundit, tregojnë një tepricë të madhe të ofertës që shfaqet këtë dekadë, duke sugjeruar që kompanitë e naftës mund të dëshirojnë të sigurohen që strategjitë dhe planet e tyre të biznesit të jenë të përgatitura për ndryshimet që po ndodhin. (Irma)