Kryeministri kinez Li Qiang mbërrin në Wellington të Zelandës së Re, më 13 qershor 2024, për një vizitë zyrtare në Zelandën e Re. /foto nga Xinhua
Në prill 2024, turistët kinezë përbënin 10 për qind të 225 000 vizitorëve të huaj në Zelandën e Re, duke u renditur në vendin e dytë pas turistëve australianë, sipas departamentit neozelandez të statistikave "Stats NZ".
Kina dhe Zelanda e Re janë të gatshme për rritjen e shkëmbimeve turistike, ndërsa evoluimi i parapëlqimeve për udhëtim dhe shtimi i bashkëpunimit tregojnë një të ardhme premtuese për sektorin e turizmit të të dy vendeve.
Gjatë një takimi të enjten me homologun e vet neozelandez Christopher Luxon, kryeministri kinez Li Qiang, që ndodhet për vizitë në Zelandën e Re, njoftoi se Kina do ta përfshijë Zelandën e Re në listën e vendeve me të cilat zbaton politikën e heqjes së njëanshme të vizave dhe shpreson që pala neozelandeze do të krijojë më shumë lehtësi për shtetasit kinezë që vizitojnë Zelandën e Re.
Li është në një vizitë zyrtare në Zelandën e Re, ndalesa e parë e turneut të tij në tre vende nga 13 deri më 20 qershor, gjatë të cilit ai do të vizitojë gjithashtu edhe Australinë e Malajzinë.
Një ceremoni nënshkrimi për një letër qëllimi midis gjigandit të bulmetit të Zelandës së Re "Fonterra" dhe Qendrës Ndërkombëtare të Ekspozitës të Kinës (CIEC) gjatë aktivitetit promovues për Forumin e Pestë të Asamblesë së Biznesit Zelanda e Re-Kinë dhe për Panairin e Zinxhirit të Furnizimit Ndërkombëtar në Auckland të Zelandës së Re, më 19 prill 2024. /foto nga Xinhua
Në takimin me guvernatoren e përgjithshme të Zelandës së Re Cindy Kiro, Li shprehu vlerësim për përparimin e madh në marrëdhëniet dypalëshe dhe "të parat" e shumta të arritura në bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve.
Kjo vizitë, me rastin e 10-vjetorit të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Zelandës së Re, është një udhëtim miqësie dhe bashkëpunimi, shtoi Li.
Zelanda e Re ka qenë një pioniere në tregtinë ndërkombëtare me Kinën, duke qenë vendi i parë i zhvilluar që njohu statusin e ekonomisë së tregut të Kinës, filloi bisedimet e tregtisë së lirë dhe nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për nismën "Një brez, një rrugë".
Si rezultat i bashkëpunimit të tyre me përfitime të përbashkëta, Kina është bërë partnerja më e madhe tregtare dhe destinacioni më i madh i eksportit për Zelandën e Re dhe blerësja më e madhe e vetme e bulmetit, mishit, drurit dhe frutave të Zelandës së Re.
Kina nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë (MTL) me Zelandën e Re në prill 2008, që hyri në fuqi në tetor të po atij viti. Kjo ishte MTL-ja e parë dypalëshe gjithëpërfshirëse e Kinës që mbulonte tregtinë e mallrave e të shërbimeve dhe investimet.
Në vitin 2021, të dyja vendet nënshkruan një protokoll mbi përmirësimin e MTL-së së tyre, pakësimin e mëtejshëm të tarifave e të pengesave jotarifore, zgjerimin e bashkëpunimit në krijimin e rregullave dhe nxitjen e tregtisë dypalëshe të shërbimeve.
Si pjesë e MTL-së Kinë-Zelandë e Re, pas heqjes së masave të posaçme mbrojtëse mbi pluhurin e qumështit qysh nga 1 janari 2024, të gjitha produktet neozelandeze të bulmetit tani mund të hyjnë në Kinë pa taksa e pa kuota.
Pavijoni i Australisë në Qendrën Kombëtare të Konventave të Kinës gjatë Panairit Ndërkombëtar të Kinës 2022 për Tregtinë e Shërbimeve në Pekin, Kinë, 4 shtator 2022 / foto nga Xinhua
Australia do të jetë ndalesa e dytë e udhëtimit të Li Qiang-ut. Bashkë me homologun e tij australian Anthony Albanese, kryeministri kinez do të kryesojë takimin e nëntë vjetor të udhëheqësve Kinë-Australi dhe do të ketë kontakte të gjera me personalitete nga qarqet e ndryshme të Australisë, për të shkëmbyer pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët.
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar është forca lëvizëse më aktive në marrëdhëniet kino-australiane. Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare, tregu më i madh i eksportit dhe burimi më i madh i importit për Australinë për 15 vjet me radhë që nga viti 2009.
Më 2023, në krahasim me vitin 2022, tregtia dypalëshe e mallrave u rrit me 4.1 për qind, investimet australiane në Kinë u shtuan 11.7 për qind dhe numri i ndërmarrjeve me investime australiane në Kinë u ngrit me 40.2 për qind.
Shumë mosmarrëveshje tregtare ndërmjet të dy vendeve janë zgjidhur nëpërmjet konsultimeve dhe negociatave. Në prill 2024, Australia ndërpreu masat e saj të antidumpingut kundër kullave të turbinave të erës nga Kina, pasi Organizata Botërore e Tregtisë vendosi se taksat doganore të Australisë ndaj produkteve kineze të çelikut kishin mangësi.
Kina ka hequr gjithashtu masat e antidumpingut mbi elbin dhe verën australiane, si edhe ndalimet ndaj disa eksportuesve australianë të mishit të viçit dhe qengjit. (Wang Lei/ Artan)