Turizmi i kroçierave dhe Shqipëria
2024-06-14 10:58:06

Kroçiera luksoze në Durrës (Foto Euronews Albania)

Kroçiera luksoze në Durrës (Foto Euronews Albania)

Sipas të dhënave nga INSTAT, në katër muajt e parë të këtij viti, janar-prill 2024, në Shqipëri hynë rreth 2,3 milionë vizitorë të huaj, ose 38% më shumë se viti paraardhës.

Vetëm muaj prill regjistroi një fluks prej rreth 800 mijë shtetas të huaj, të cilët vizituan Shqipërinë. Ky vit ka nisur me këmbë të mbarë për turizmin dhe ekonominë e vendit tonë. Ndërsa viti 2023 u mbyll me 10.1 milionë vizitorë të huaj, qeveria parashikon që këtë vit numri i tyre të arrijë në 14 milionë, ose 40 përqind më shumë.

Ndërkohë, një segment pak i rrahur i turizmit tek ne ka nisur të zhvillohet edhe ai. Bëhet fjalë për turizmin e kroçierave, që sjell shumë të ardhura. Ky lloj turizmi është shumë i përhapur në rajonin e Mesdheut, me Italinë fqinje që kryeson me një vëllim të ardhurash mbi 4.5 miliardë euro në vit, ose 30 përqind e shumës totale të turizmit të kroçierave në Mesdhe.

Sipas “European Cruise Commission”, shoqata europiane e këtij sektori, shifrat ishin mbresëlënese për vitin 2023 për kroçierat në Detin Mesdhe. Rreth 5,6 milionë pasagjerë janë imbarkuar nga portet europiane vitin e kaluar, me një rritje prej më shumë se 7 përqind, krahasuar me vitin 2022. Nga këta, rreth 4,8 milionë ishin qytetarë europianë, ndërsa 800 mijë vinin nga vende të kontinenteve të tjera. Ndërsa një në tre pasagjerë e ka filluar udhëtimin e tij me kroçierë nga Italia.

Pasagjerët e një kroçiere janë zakonisht qytetarë me të ardhura të mira dhe ardhja e tyre sjell përfitime për ekonominë e vendit tonë.

Sipas kryeministrit Edi Rama në një postim të tij më 13 tetor 2023, gjatë ditëve të fundit të javës së dyte të tetorit, katër anije-kroçiera u ndalën në Portin e Durrësit, ndërkohë që edhe 4 të tjera ishin planifikuar të vinin deri në fund të tetorit, me rreth 2,600 turistë të huaj, duke shënuar kështu një ndër muajt me volumet më të larta të turizmit përmes kroçierave.

Besnik Vathi në intervistë për CMG

Besnik Vathi në intervistë për CMG

Më 28 maj 2024, një kroçierë me 450 turistë në bord nga 22 vende të ndryshme, u ankorua në portin e Durrësit. Vizitorët e kroçierës “Seabourn Quest” mbërritën tek ne me pritshmëri të larta dhe një grumbull informacionesh nga politika e historia. Për kapitenin e kroçierës, ky do të jetë udhëtimi i parë nga shumë të tjere, që ky mjet përgatitet të bëjë në vendin tonë.

Durrësi vjet priti rreth 30 kroçiera, ndërsa porti i Kotorrit në Mal të Zi dhe porti i Korfuzit në Greqi presin 300 deri në 600 kroçiera në vit.

Ç’duhet të bëjmë për ta zhvilluar dhe sjellë këtë turizëm të veçantë, në nivelin e fqinjëve tanë? Ç’duhet të bëjnë ministria jonë Turizmit, strukturat e tjera qeveritare në qendër dhe pushteti vendor në portet tona Durrës, Vlorë dhe Sarandë? Besnik Vathi anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë flet për këtë lloj turizmi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)

 

CMG: Më 28 maj 2024, një kroçierë me 450 turistë në bord nga 22 vende të ndryshme, u ankorua në portin e Durrësit. Vizitorët e kroçierës “Seabourn Quest” mbërritën tek ne me pritshmëri të larta. Për kapitenin e kroçierës, ky do të jetë udhëtimi i parë nga shumë të tjere, që ky mjet pergatitet të bëjë në vendin tonë. Komenti juaj, ju lutem

Besnik Vathi: Industria e kroçierave është industria më e zhvilluar në industrinë e turizmit, në këto 20 -30 vitet e fundit. Është një industri që e ka rritur numrin e klientëve nga viti në vit dhe ka zgjeruar gjeografinë e klientëve, pothuajse nga e gjithë bota.

Në kushtet e një zhvillimi të vrullshëm, kompanitë dhe linjat e kroçierave mundohen që destinacionet e tyre t’i kenë sa më të larmishme dhe të prekin shumë porte.

Vendi ynë akoma nuk është destinacion i rëndësishëm në hartën e kroçierave. E them këtë, pasi ne kemi dy-tre porte, ndërsa në rajon nuk i mbajnë mend datat dhe ndalesat që bëjnë kroçierat.

Kroçierë në Durrës (Foto Shqiptarja.com)

Kroçierë në Durrës (Foto Shqiptarja.com)

Porti i Kotorrit në Mal të Zi ka rreth 400-600 kroçiera që pret në vit. Porti i Korfuzit në jug të Sarandës në Greqi, është me të njëjtët tregues.

Pa folur për detin Adriatik, si në Dubrovnik apo Venecia, porte që kanë kaluar në shqetësimin tjeter, pasi nuk duan kaq shumë ndalesa kroçierash, pasi nuk i realizojnë dhe nuk i plotësojnë dot.

CMG: A ka nisur ky vit me këmbë të mbarë për turizmin tonë dhe a mundet që edhe turizmi i kroçierave të shënojë rritje tek në këtë vit?

Besnik Vathi: Ky vit është pa dyshim i mbarë për turizmin tonë, por Shqipëria, që gjendet në këtë territor të hartës së dendur të turizmit të kroçierave, mundësinë e përfitimit nga kroçierat e ka tepër të madhe. Pse nuk kemi hyrë fort në këtë gjë?

Unë e shoh te mungesa e komunikimeve dhe e analizave të sakta, të bëra për këtë industri.

Ne duam të na paguajnë, sikurse ndodh me aeroportet. Po hyre në aeroport, duhet të paguash, dhe po kështu, presim të ndodhë dhe me kroçierat në portet tona.

Tarifat për kroçierat në portet tona janë shumë të larta. Do të doja që qeveria jonë të mos numërojë turistët çdo tremujor, por të angazhohet në rrugët dhe mjetet që do të donim të kishim, që ne të hyjmë në hartat e tyre dhe të bëhemi destinacion për kroçierat.

CMG: Durresi vjet priti rreth 30 kroçiera, ndërkohë që sipas Drejtorit të Portit të Sarandës, ky qytet ka pritur edhe kroçierë me mbi 1,700 udhëtarë. Janë këto fakte inkurajuese?

Besnik Vathi: Kemi tre porte dhe porti  Durrësit është aktualisht i përshtatshëm për pritjen e kroçierave, si dhe porti i Vlorës disi më pak.

Gjithashtu, edhe porti i Sarandës ka filluar dhe ka më shumë ndalesa se portet e tjera për kroçierat, edhe pse, përsëri, ai nuk është aq i përshtatshëm për pritjen e kroçierave.

Pra, në radhë të parë, ne duhet të kemi porte të përshtatshme, në mënyrë që të presësh dhe të mos ndihet pritja e kroçierave. Përballë portit të Sarandës është ai i Korfuzit dhe aty zbresin 5-6 kroçiera në ditë.

Pritjet e këtyre kroçierave që kanë klientë deri në 5000-6000 pasagjerë për një kroçierë, nuk sjellin kaos, pasi Korfuzi është qytet që ka shtrirje, ka rrugë të organizuara.

Prandaj dhe për ne, kjo duhet studjuar më fort dhe biseduar me kompanitë e kroçierave, që edhe Shqiperia të futet në itineraret e tyre.

Nuk konsumohet Shqipëria se është afër tyre, pra mos të shkojnë në Korfuz, por të vijnë këtu.

 

Turistë britanikë me kroçiera (Foto Klan tv)

Turistë britanikë me kroçiera (Foto Klan tv)

CMG: Jemi në rrugen e duhur, sipas jush, apo jemi ende larg zhvillimit të qëndrueshëm të këtij segmenti të turizmit tonë?

Besnik Vathi: Krocerat ndalojnë edhe në ishuj ku nuk ke as çfarë të bësh, etj,  ndërkohë kur zbritja në Durrës të jep mundësinë për shumë atraksione, lëvizje në Berat, Shkodër apo Tiranë brenda ditës.

Pra, kroçierat tek ne duhet të kenë atraksione. Dhe mundësitë që Shqipëria të rrisë të ardhurat nga turizmi janë të mëdha dhe duhet se s’bën ndikuar dhe biseduar me këto kompani, duke u dhënë incentiva, për të zbritur në portet tona. Kjo është rruga e qëndrueshme.

Në rast se ti si kompani do ulesh 50 herë në Durrës psh., atëhere do të duhet ta kesh taksën e portit zero.

Pra, duhet të ndikojmë tek kompanitë e kroçierave, që qytetet-porte tona të jenë më shumë pritëse dhe mikpritëse.

Kroçierat vijnë në pranverë deri në verë, por shumë kroçiera nuk i ndërpresin udhëtimet edhe gjatë gjithë vitit. Anagazhimi me industrinë e turizmit tek ne duhet të jetë për të gjithë vitin. Pasi edhe bizneset e linjave të mëdha të kroçierave lidhen me llogaritë, me kostot e udhëtimeve që kryejnë.

CMG: Çfarë duhet të bëjë ministria jonë Turizmit, qeveria qëndrore në tërësi dhe pushteti vendor në portet tona kryesore, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, që turizmi i kroçierave të marrë hov edhe tek ne, sikurse ka ndodhur me fqinjët tanë në Greqi dhe Mal të Zi?

Besnik Vathi: Kroçierat i kemi humbur, për të qenë destinacione tek ne për këtë vit.

Pra, për 2024-ën, nuk besoj që Shqipëria ka më shumë se 50-60 zbritje në vit. Madje edhe për vitin 2025, aktiviteti i tyre është i programuar dhe tani punohet për vitin 2026 më pak dhe më shumë për vitin 2027.

Kemi edhe rastet kur anulohet një destinacion dhe zgjidhet një destinacion tjetër. Për shembull, u anulluan këtë vit zbritjet në Izrael dhe përfituan vendet e tjera, por Shqipëria nuk e ka ende këtë mundësi që të hyjë në hartën e kroçierave.

M endoj dhe do të doja që të punohej më gjatë nga autoritetet tona, por nuk jam shumë optimist për portin e ri në Porto Romano, pasi nuk më është konfirmuar se do të jetë port për të pritur kroçierat, por do të jetë port jahtesh.

Mendoj se ai mund t’i bëjë të dyja. Jahtet dhe kroçierat kanë një ndryshim të madh.

Do të doja që të punonim më shumë që të priteshin kroçierat, pasi edhe mundësia e lëvizjes për pasagjerët e tyre është e madhe nëpër bare, dyqane dhe restorante, gjë që nuk realizohet dot në Porto Romano.

Duhet të kemi mendësinë e duhur për pritje dhe të organizojmë projekte tërheqëse në këtë industri. Dhe pastaj na takonte ne bizneseve të operatorëve turistikë, që të krijonim iternerare interesante, por jo vetëm një anije dhe një zbritje në javë.

Të tjerët kanë 15-20 kroçiera që presin në javë. Italia ka 30-35 porte që presin kroçiera dhe Shqipëria pret një herë në javë në Durrës, apo një herë në tre vjet në Vlorë. Kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe për këtë duhet punuar fort.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli