Delta e Lumit Jance, zonë pilot për zhvillimin ekonomik të Kinës
2024-06-13 11:08:44

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Në fillim të qershorit u zhvillua në qytetin Wenzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore mbledhja e drejtuesve kryesorë të rajonit të Deltës së Lumit Jance. Tema e mbledhjes ishte “Të hapim një kapitull të ri të integrimit të Deltës së Lumit Jance dhe të bëhemi pionierë të modernizimit kinez”.

 

Falë integrimit të mëtejshëm dhe të vazhdueshëm, ekonomia në këtë rajon ka treguar gjallëri dhe elasticitet shumë të fuqishëm. Në vitin 2023, niveli i GDP-së së tre provincave dhe një qyteti të varur nga qendra në këtë rajon (Jiangsu, Zhejiang, Anhui dhe Shangai) i kaloi 30 trilionë juanët, me një rritje 5.7 % në krahasim me vitin pararendës dhe duke zënë 24.4 % të GDP-së së vendit. Në tremujorin e parë të 2024-s, vëllimi i përgjithshëm ekonomik në këtë rajon shënoi vlerën 7.4 trilionë juanë, duke zënë rreth 25 % të nivelit të përgjithshëm të vendit.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shangai furnizon mikroçipat dhe softuerët, qyteti Changzhou, që ndodhet 200 km në perëndim të Shangait, ofron bateri dhe qyteti Ningbo 200 km në jug prodhon makineri industriale... në Deltën e Lumit Jance, me anë të zhvillimit në mënyrë të koordinuar, prodhimi i makinave elektrike ka pasur zhvillim të shpejtë. Një uzinë e prodhimit të makinave elektrike mund t’i sigurojë të gjitha pjesët e këmbimit brenda 4 orësh. Këtu është formuar “qarku industrial 4-orësh”.

 

Me hyrjen në fazën e zhvillimit cilësor, edhe procesi i integrimit të Deltës së Lumit Jance është futur në një fazë të re. Përveç sektorit industrial, edhe sektorët e transportit dhe të kërkimit shkencor e inovacionit kanë pasur zhvillim të dukshëm.

 

Deri tani, brenda rajonit të deltës është formuar rrjeti i transportit të shpejtë, me linja të shumta hekurudhore mes Shangait, Ningbo-s, Hangzhou-t dhe Hefei-t.

 

Në këtë rajon janë vendosur mjaft laboratorë kombëtarë, laboratorë projektesh të rëndësishme dhe parqe kombëtare me teknologji kryesore inovative, të cilat kanë krijuar një bazë të fuqishme për teknologji strategjike. Tani kanë nisur 28 projekte të përbashkëta të kontingjentit të 2-të mbi teknologjitë kyçe dhe teknologjitë e përparuara. Ndër to, tetë projekte pilot janë planifikuar rreth tre sektorëve kryesorë, siç janë qarqet e integruara, biofarmaceutika dhe inteligjenca artificiale.

 

Krahas këtyre, është nxitur vazhdimisht edhe hapja me nivel të lartë. Në terminalin ndërkombëtar të hapjes Hongqiang, procesi i ndërtimit po ecën mbarë dhe 24 masa të reja për ngritjen e efektivitetit janë në zbatim të shpejtë. Gjithashtu, ekspozita ndërkombëtare e importit CIIE ka luajtur rol stimulues për hapjen e rajonit. Siç mësohet, në gjashtë edicionet e para të CIIE-së janë firmosur kontrata me vlerë prej mbi 420 miliardë dollarësh amerikanë.

 

Inovacioni ndodhet jo vetëm në kërkim dhe prodhim, por edhe në anën e administrimit. Në vitin 2023, janë publikuar 24 arritje të reja të inovacionit të sistemit. Në katër vjetët e fundit janë shënuar 136 arritje të tilla inovuese dhe 42 prej tyre janë promovuar në mbarë vendin.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Që prej vitit 2018, zhvillimi i integruar i Deltës së Lumit Jance është ngritur në strategjinë shtetërore të Kinës. Qysh nga ajo kohë, mbledhja e drejtuesve kryesorë të rajonit zhvillohet një herë në vit.

 

Nga tema “Të krijojmë polin e gjallërisë së fuqishme të rritjes” deri te “T’i shërbejmë modelit të ri të zhvillimit, të ecim në rreshtin e parë të modernizimit” e “Të hapim një kapitull të ri të integrimit të Deltës së Lumit Jance dhe të bëhemi pionierë të modernizimit kinez”, Delta e Lumit Jance po ecën në “shinat” e “integrimit” dhe “cilësisë së lartë”.

 

Profesori i ekonomisë i Universitetit të Xiamen-it Sun Chuanwang u shpreh që çdo vit, qyteti organizator i kësaj mbledhjeje është qyteti që ka bërë punë të mira në procesin e integrimit. Sivjet, Wenzhou është zgjedhur si qyteti i organizimit. Kjo ka rëndësi të veçantë, sepse Wenzhou është një vend i rëndësishëm i lindjes së ekonomisë private në Kinë.

 

Një sipërmarrës që mori pjesë në këtë mbledhje u shpreh që vitet e fundit, ndërmarrjet i kanë ndier thellësisht ndryshimet e sjella nga lëvizja e faktorëve prodhues dhe bashkëpunimi brenda rajonit. Kjo ka krijuar lehtësira shumë të mëdha për biznesin ndërrajonal të ndërmarrjeve dhe ka përshpejtuar shumë efektivitetin e shpërndarjes së burimeve, si dhe inovacionit.

(Jiang Lei)