Biznes në Dubai (Foto propertyfinder.ae)
Shqiptarë të ndryshëm po shkëlqejnë edhe në Dubai me veprat dhe kompanitë e tyre. Mundësitë atje janë të shumta për të bërë biznes në disa fusha. Sipërmarrësi shqiptar Sokol Çili ka vendosur të investoje në këtë vend, duke ndërtuar kompaninë e tij në fushën e Real Estate. Ai thotë se shqiptarët kanë gjetur treg në Dubai në ndërtim, kryesisht në rikonstruksionet e veprave, në punime arti, gdhendje, punime floriri, pikturë etj. Duke qënë në një lokacion të favorshëm gjeografikisht me vende të të tjera, Dubai sipas Çilit mund të jetë një treg i mirë edhe në fushën e IT, teknologjisë, inovacionit etj. Veç prestigjit, thotë sipërmarrësi, Dubai ka një konsum të madh për shkak të numrit të banorëve dhe tregu është i etur për shërbime.
Sokol Çili me eksperiencë në fushën e biznesit edhe në Shqipëri, tregon për rrugëtimin e tij.
Sipërmarrësi Sokol Çili (Foto personale)
“Unë kam rreth 10 vite që ushtroj aktivitetin në fushën e pasurive të paluajtshme këtu në Shqipëri dhe prej tre vitesh jam zhvendosur në Dubai, ku kam hapur kompaninë time me një staf të vogël, por të specializuar. Ne të fushës së biznesit jemi aty ku ka oportunitetet. Sot na është hapur dhe horizonti, kemi mundësi të lëvizim, kemi mundësi të shohim. Informacioni është i madh, nëpërmjet internetit, e kisha studiuar pak. U bë shkas një ftesë e qeverisë shqiptare që të na çojë një grup biznesmenësh për Ekspo, ishte Ekspo 2020 por në 2021 pas pandemisë. Aty u njoha për herë të parë, pashë që ishte gjithçka që lëvizte me një shpejtësi marramendëse, dhe thashë pse jo, ta provoj.”
Real Estate në Dubai (Foto Knightsbridge Group)
Sipas Çilit, mënyra e menaxhimit në Dubai bën që të jetë me interes hapja e një biznesi.
“E thjeshtë nuk është në asnjë vend, por është e realizueshme, aty ka një menaxhim shumë të mirë, politikat janë totalisht vetëm ekonomike, nuk është një vend që ka qenë politik në tërësi. Ka vetëm menagment që të sjellë sa më shumë njerëz dhe ata njerëz të jetojnë dhe ushtrojnë aktivitetin.”
Sipërmarrësi Çili shpjegon se si trajtohet një investitor shqiptar, i cili dëshiron të blejë një pronë të patundshme në Dubai,.
“Dubai është pjesë e Emirateve, jo të gjitha Emiratet janë atraktive. Dubai ka qenë si një dele e zezë në zonën aty, në pjesën arabike. Ka thyer shumë tabu, ka krijuar një lloj lirie që është në të vërtetë mahnitëse, ka vetëm lehtësira nuk ke shqetësime, me energji pozitive, që në mëngjes deri në darkë, nuk të bezdis askush. Kjo gjë është bërë atraktive për të jetuar atje, por për të bërë biznes ka disa kosto, nuk është kollaj, aty është një vend që nuk ka asgjë falas. Por të paktën ti e di dhe merr shërbim për atë që paguan. Nuk të shkon dëm ajo që investon.”
Sokol Çili në Dubai(Foto instagram )
Lehtësitë fiskale janë të prekshme.
“Historia tregoi që edhe aty pati një ndryshim dhe më përpara taksa ishte 0, ndërsa tani duke patur dhe trysni nga bota kanë vënë një taksë 9%, për kompanitë, por tatim individi nuk ka. Domethënë ti kur t’i vendosësh rrogën vetës sa të duash, mund të kesh fitime sa të duash si individ dhe paguan 0. Kompania në rast se nuk e kalon 100 mijë euro fitim, ka 9 % taksë kompanie, ka dhe një 5% tvsh.”
Për Tv Scan sipërmarrësi Çili tha se sektori i ndërtimit dhe Real Estate në Dubai janë pikë e fortë.
Pamje nga Dubai (Foto Mansion Global)
“Aty biznesi i pronave është shumë i zhvilluar, kompanitë e ndërtimit kanë arritur nivele të larta, si në cilësi, në mënyrën e menaxhimit të pronës, ka facilitete. Me qenë pallati më i lodhur në shkretëtirë, ka një pishinë, ka një palestër, ka parkingun e garantuar. Aty apartamentet nuk shiten pa parking, e kanë ligj. Ka dy lloj kategorish, ka nga ato që e kanë për investim, sidomos këto që e marrin në fazë fillimi të ndërtimeve dhe kalon pak kohë dhe e rishesin. Ke dhe nga ata që e marrin për ta lënë me qira, ke dhe nga ata që jetojnë pastaj. Kanë filluar shumë nga Evropa të jetojnë në Dubai”.