Foto nga Xinhua
Kina ka qenë gjithmonë një anëtare e Jugut Global. Ajo do t'i përkasë gjithmonë vendeve në zhvillim, tha të mërkurën Presidenti i Kinës Xi Jinping.
Xi i bëri deklaratat gjatë një fjalimi video në ceremoninë e hapjes së kremtimeve për 60-vjetorin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD).
Gjatë 60 viteve që nga themelimi i saj, UNCTAD ka avancuar fuqishëm bashkëpunimin Jug-Jug, ka mbrojtur dialogun Veri-Jug dhe ka nxitur ndërtimin e një rendi të ri ekonomik ndërkombëtar, duke dhënë kontribute të rëndësishme në tregtinë dhe zhvillimin global, tha Xi.
Presidenti kinez theksoi përpjekjet për ndërtimin e bashkësisë së përbashkët të fateve të njerëzimit në një mënyrë të përgjegjshme ndaj historisë dhe njerëzve, teksa bota po përballet me ndryshime të vrullshme dhe sfida të reja për paqen dhe zhvillimin.
Xi u kërkoi të gjitha vendeve, veçanërisht atyre të mëdha, të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë, të mbrojnë një botë shumëpolare të barabartë dhe të drejtë, t'u binden qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe të mbështesin UNCTAD-in dhe institucionet e tjera shumëpalëshe për të luajtur një rol më të mirë.
Xi gjithashtu u kërkoi atyre të mbrojnë globalizimin ekonomik universal dhe gjithëpërfshirës, të përmirësojnë liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, të adresojnë çështje si çekuilibri në zhvillim dhe të punojnë për një qeverisje globale më të drejtë dhe të barabartë.
Duke theksuar se është e nevojshme të kapet mundësia historike e inovacionit dhe zhvillimit, Xi bëri thirrje për krijimin e një mjedisi ekonomik dixhital të hapur, gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues, forcimin e rregullave të inteligjencës artificiale brenda kornizës së OKB-së. Gjithashtu nxiti avancimin aktiv të tranzicionit të gjelbër, duke ndihmuar vendet në zhvillim t'i bashkohen trendit të zhvillimit dixhital, të zgjuar dhe të gjelbër.
Ky vit shënon 75 vjetorin e Republikës Popullore të Kinës, tha Xi.
Kina do të zgjerojë në mënyrë aktive importet nga vendet e tjera në zhvillim, do të forcojë tregtinë, investimet dhe bashkëpunimin për zhvillim, shtoi ai.(Çang Çuo)