Turistë në muzeun Gjergj K. Skënderbeu (Foto shqiptarja.com)
Turistë të huaj në Krujë (Foto Kruja Albergo Diffuso)
Turizmi tashmë e ka marrë kurbën rritëse në Shqipëri dhe shifrat janë optimale në shumë qytete. Një ndër destinacionet më të kërkuar është qyteti historik i Krujës. Në një intervistë për Radio Ejani, Olsi Pengili, CEO i Visit Kruja dhe themelues i “Kruja Albergo Diffuso” thotë se një matje e mirë e turistëve në Krujë janë shifrat e hyrjeve në Muzeun Historik Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
“Për sa i përket fluksit të turistëve në qytetin e Krujës, numri i tyre është në rritje siç është në gjithë Shqipërinë. Treguesi më i mirë është numri i vizitave në Muzeun e Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Në më pak se 5 muaj kemi një numër mbi 50 mijë vizitorë dhe krahasuar me vitin 2023 kemi një dyfishim të vizitorëve. Vetëm gjatë muajit maj kemi mbi 20 mijë vizitorë dhe kjo tregon një numër të lartë të vizitorëve në qytetin e Krujës.”
Turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Duke marrë shkas nga interesimi i lartë, qytetarët e Krujës kanë nisur të shfrytëzojnë kapacitetet akomoduese në funksion të turizmit për t’iu përgjigjur kërkesave.
Olsi Pengili (Foto personale)
Olsi Pengili (Foto CMG)
“Përgjithësisht këta vizitorë janë nga shtete si Italia, Gjermania, Polonia, Franca, Anglia dhe Spanja, shtetësi të vizitorëve që përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve në qytetin e Krujës. Duke parë këtë rritje të numrit të vizitorëve ka pasur normalisht edhe një reflektim të qytetarëve apo bizneseve në qytetin e Krujës. Kanë investuar në përshtatjen e shtëpive apo strukturave, hotele- bujtina, duke bërë të mundur rritjen e kapaciteteve akomoduese si një pjesë tregut dhe rritjes masive të numrit të turistëve në qytetin e Krujës. Kemi vetëm brenda këtij viti mbi 20 apo 25 struktura të reja të hapura me rreth 150 dhoma te reja dhe po hapen struktura të reja çdo ditë. Një nevojë përtej pjesës akomoduese që duhet të reflektohet në këtë moment është dhe ofrimi apo pasurimi i sa më shumë produkteve, që vizitojnë qytetin e Krujës, duke bërë të mundur që të jemi një kohë më të gjatë qëndrimi se një natë.”
Shifrat japin sinale të qarta për një dëshirë të turistëve për të qëndruar më shumë netë në Krujë, por duhen parë shërbimet që ofrohen. Turistët kanë nevojë për aktivitete të ndryshme që të qëndrojnë më gjatë, si eksplorim në natyrë apo pjesa e zbulimit të kulinarisë.
“Sipas statistikave që jep dhe platforma me e madhe e shitjeve të pjesës akomoduese të shërbimeve akomoduese Booking, kemi rreth 80% që vijnë në qytetin e Krujës, që rrinë një natë qëndrimi kemi 15% dhe pjesa tjetër që rrinë mbi dy netë, diku tek 7 apo 8%. Kjo tregon nevojën e domosdoshme të reflektimit me shërbime të tjera plotësuese, duke filluar nga restorantet, prurjet e ndryshme në natyre, eksperiencave të ndryshme, artizanate të ndryshme, cooking classes apo të degustimit të verës. Është e domosdoshme të kemi një plotësim sa më të madh të plotësimit të paketës dhe ofertës turistike në qytetin e Krujës. “
Pazari i vjetër i Krujës (Foto Konica.al)
Pengili na njeh edhe me shifra të tjera.
“Gjithashtu një statistikë tjetër që tregon profilin e turistëve që vijnë në qytetin e Krujës 95% janë turistë të huaj dhe 5 % janë turistë vendas, që vijnë për të qëndruar, duke marrë shërbimin e akomodimit. Gjithashtu, sipas platformës Booking, profili i turistëve që vijnë në qytetin e Krujës, jane çifte që përbëjnë pjesën më të madhe 48%, familjare 24 %, grupe 12% dhe udhëtarë të vetëm 6%. Vetëm gjate muajve të fundit kemi një rritje për akomodim në qytetin e Krujës rreth 80% që tregon edhe trendin në rritje të numrit të turistëve, që po vizitojnë dhe qëndrojne në qytetin e Krujës .”
Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër i Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.