Si i mbijetuan peshkaqenë ngrohjes globale 100 milionë vjet më parë?
2024-06-12 11:56:31

Kur mendoni për një peshkaqen, ju ndoshta mendoni për speciet që jetojnë në det të hapur dhe karakterizohen (ndër të tjera) nga të paturit e krahëve kraharorë të zgjatur dhe relativisht të hollë. Megjithatë, është një risi evolucionare relativisht e kohëve të fundit, e cila u shfaq rreth 93 milionë vjet më pare, pas një ngjarje të ngrohjes globale që ndryshoi formën e trupit të shumë specieve, duke çuar në lindjen e grabitqarëve që njohim sot. Kështu thotë një studim i publikuar në Current Biology.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shumë nxehtë

Peshkaqenët u shfaqën rreth 200 milion vjet më parë dhe për një kohë të gjatë ata të gjithë kishin një formë shumë të ngjashme: ata ishin të ashtuquajtur grabitqarë bentikë, të cilët për këtë arsye jetonin në shtratin e detit dhe kishin krahë kraharor të shkurtër e të trashë. Megjithatë, 93 milionë vjet më parë, një seri shpërthimesh vullkanike çuan në rritjen e shpejtë të niveleve të CO2 në atmosferë, duke krijuar një efekt serë që rriti temperaturat globale, duke përfshirë ato të oqeaneve, dhe uli oksigjenin e disponueshëm në shtratin e detit.

Evolucioni

Prandaj, peshkaqenët duhej të gjenin një mënyrë të re për të marrë frymë dhe për të jetuar në ujëra me një temperaturë të përballueshme: prandaj shumë specie iu nënshtruan një evoluimi të shpejtë të formës së trupit të tyre, dhe në veçanti të krahëve të tyre gjoksorë, të cilat janë thelbësore për notin dhe në studim krahasohen me krahët tanë.

Më efikas

Foto:VCG

Foto:VCG

Pendët u bënë më të gjata, trupat e peshkaqenëve u bënë më të efektshëm dhe këto kafshë gjithashtu përmirësonin aftësitë e tyre të notit, duke konsumuar më pak energji falë formës së tyre më hidrodinamike. Rezultati janë selaçianët që njohim sot, të cilët jetojnë në det të hapur dhe kanë pendë të gjata e të holla. Megjithatë, jo të gjithë peshkaqenët e zbatuan këtë strategji: shumë specie bentike ekzistojnë ende sot, të cilat gjetën mënyra të tjera për të mbijetuar në një mjedis më pak mikpritës.

A është e vlefshme edhe sot?

Ju mund të mendoni se, duke qenë se jemi në një periudhë të re të ngrohjes globale, edhe peshkaqenët modernë do të pësojnë një evolucion të ngjashëm, por autorët e studimit shprehen kundër këtij përfundimi, pasi sipas tyre shpejtësia e rritjes aktuale të temperaturës nuk është e krahasueshme me atë të 93 milionë vjet më parë dhe ne ende nuk e dimë se si do të reagojnë peshkaqenët ndaj ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.

Mbrojtja e peshkaqenëve

Foto:VCG

Foto:VCG

Një kafshë së cilës I është dashur të bëjë ndryshime të thella në 100 milion vite për të mbijetuar, sot mbrohet nga Bashkimi Europian. Ky i fundit  ka shpallur mbrojtjen me ligj të peshkaqenëve. Vrasja e këtyre kafshëve, sipas këtij rregulli është e paligjshme. Është fakt se peshkaqenët vriten në sasi të tepërta - rreth 150 milionë individë në vit në mbarë botën, sipas ambientalistëve. Peshkaqenët preferohen për tu përdorur në disa gatime të veçanta, duke u marrë pendët dhe mëlçinë e pjesa tjetër hidhet. Ato përdoren tradicionalisht për të bërë një supë tipike në banketet e dasmave, si shenjë bujarie dhe pasurie. Në fakt, për të marrë një sasi të mjaftueshme pendësh për një festë me shumë të ftuar, duhet të vriten të paktën dyzet peshkaqenë.

Një humbje e vërtetë, sepse pjesa tjetër e peshkut të madh nuk përdoret. Kështu, peshkatarët u bënë zakon të kapnin peshkaqenë, t'u prisnin pendët dhe t'i hidhnin përsëri në det.

Një sjellje që është mizore ndaj kafshës dhe vë në rrezik mbijetesën e ardhshme të shumë llojeve të peshkaqenëve. Vendimi për mbrojtjen e këtyre kafshëve në nivel global u mor në Santiago nëntorin e kaluar, gjatë takimit të fundit Konventës Ndërkombëtare për Speciet në Rrezik Zhdukjeje.

Përgatiti: N. Kraja