Art Fest Lissus ( foto personale)
Art Fest Lissus është konkursi i zhvilluar në Lezhë për të inkurajuar dhe zbuluar talente lokale, duke u dhënë të rinjve një platformë për të shfaqur aftësitë e tyre artistike dhe për të mësuar nga profesionistët e skenës. Gjatë festivalit, shtatë shkolla të mesme morën pjesë dhe prezantuan talente të ndryshme në performancat e tyre, duke përfshirë këngë, aktrim, dhe multimedia. Diversiteti i talenteve i dha më shumë ngjyrë dhe sharm festivalit. Pjesëmarrja në këtë event i shërben të rinjve për të rritur dhe zhvilluar aftësitë e tyre, si dhe për të krijuar miqësi të reja. Bashkia Lezhë ka vazhduar të mbështesë aktivitetet rinore dhe të krijojë mundësi për të rinjtë, duke u përpjekur të ndërtojë një rini aktive dhe të pasur kulturisht. Anisa Mollaj, specialistja e rinisë në qytetin e Lezhës flet për këtë event kulturor, talentet e prezantuara dhe projektet rinore verore që po zhvillohen në Lezhë.
Anisa Mollaj ( foto personale)
CMG: Si ka qenë dhe vijon të jetë eksperienca juaj në këtë punë të përditshme?
Anisa Mollaj: Është një punë e përditshme dhe sfiduese, por njëherësh tepër e bukur për mua personalisht sepse ndjesia që merr kur mendon që po bën bashkë të rinjtë për t’i integruar vazhdimisht ata është tepër ndjesi e mirë. Kjo punë na lejon që t}i ndihmojmë në ecurinë e tyre të punës së përditshme. Ndihem e motivuar prej energjisë së të rinjve dhe kjo përkthehet më pas në më shumë punë.
Art Fest Lissus ( foto personale)
CMG: Si lindi ky konkurs?
Anisa Mollaj: Lindi si një ide e koreografes në Tiranë, Rudina Demaliaj të cilën unë gjej edhe mundësinë që ta përshëndes e falënderoj. Si ide lindi në vitin 2021, deri në atë kohë ishte Lezha Talent Show, por nuk përfshinte shkollat e mesme. Tashmë ky event i përvitshëm pritet me shumë interes pasi të rinjtë kanë një mundësi si të shfaqin talentin e tyre. Ata e kanë këtë si mundësi për të promovuar veten, por edhe për të mësuar nga artistët e mëdhenj të skenës. Kjo nismë ka luajtur një rol të rëndësishëm për të zbuluar talente lokale dhe më pas duke i inkurajuar që të ndjekin pasionet e tyre artistike.
CMG: Si zhvillohet ky event dhe sa e rëndësishme është nata finale ?
Anisa Mollaj: Ky aktivitet nuk mbyllet me netët finale. Gjithçka nis para më shumë se katër muajsh sepse të rinjtë përzgjidhen dhe punojnë ngushtë me profesionistë të fushës, të cilët janë udhërrëfyes të tyre në çdo moment dhe ky proces është i vlefshëm sepse i rrit ata profesionalisht dhe i përgatit për të qenë ose jo konkurent në finale. Përgatitja përfshin edhe sigurimij logjistik me skenën dhe çdo pajisje tjetër e cila është e nevojshme për ta. Për ne është e rëndësishme që kjo eksperiencë për secilin prej të rinjve të jetë e paharrueshme.
Art Fest Lissus ( foto personale)
CMG: Sa shkolla morën pjesë dhe çfarë talentesh spikatën?
Anisa Mollaj: Këtë vit morën pjesë shtatë shkolla të mesme të qytetit dhe njësisë administrative dhe çdo shkollë solli talente të veçanta që u spikatën dhe vlerësuan nga publiku edhe nga profesionistët. Performanca kishte diversitetit si përshëmbull, këngëtarët, aktorët, multimedia etj. Vetë diversiteti i dha me tepër jetë këtij festivali.
CMG: Për çfarë ju shërben të rinjve kjo pjesëmarrje?
Anisa Mollaj: Ata rriten bashkë me punën këtu në këtë event. Vetë rregulli në këto ditë pune i bën ata të vlerësojne më tepër kohën dhe çdo gjë tjetër. Mbi të gjitha duke shfaqur talente ata krijojnë edhe miqësi të ndryshme që përshtaten më tepër me njëri tjetrin.
Art Fest Lissus ( foto personale)
CMG: Si u ndanë çmimet?
Anisa Mollaj: Çmimi i parë në këngë - Erina Zefi
Çmimi i parë në kërcim solo - Xheni Selita
Çmimi i parë në kërcim në grup - Gjimnazi jopublik "Rogacionistet"
Çmimi i parë në interpretim- Alesia Alcani
Çmimi i parë në multimedia - Xhorxhela Zymaj
Çmimi i parë në instrument- Kledi Hamzi
Art Fest Lissus ( foto personale)
CMG: Bashkia Lezhë vijon të jetë një ndër bashkitë që i mbështet tepër të rinjtë ?
Anisa Mollaj: Bashkia po i mbështet tepër të rinjtë dhe synimi ynë ka qenë të krijojmë një rini aktive, gjë të cilën tashmë e kemi fale punës dhe investimeve që kemi bërë për të krijuar mundësi të ndryshme dhe facilitete për të rinjtë.
CMG: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë ?
Anisa Mollaj: Nje ndër kryesoret është të mos kenë frikë të tregojnë kush janë dhe çfarë talente kanë. Të rinjtë janë e ardhmja e këtij vendi ndaj ne jemi krenarë për çdo arritje të tyre.
Intervistoi:Megi Latifi