Kryediplomati amerikan takohet me opozitën izraelite në Tel Aviv
2024-06-12 11:55:05

Foto nga VCG

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua në Tel Aviv me figurat e opozitës izrealite Benny Gantz dhe Yair Lapid.

Në një deklaratë nga zyra e Gantz, kreu i partisë së Unitetit Kombëtar , thuhet se ai i kërkoi kryediplomatit amerikan të ushtrojë presion maksimal mbi negociatorët për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Sipas deklaratës, Gantz është i gatshëm të mbështesë çdo marrëveshje të përgjegjshme për këtë çështje nga jashtë qeverisë, shkruan “RTSH”.

Gantz, i cili u largua nga koalicioni këtë javë, i ka thënë Blinkenit se nëse kërcënimi nga Hezbollahu në veri bëhet serioz, Izraeli nuk do të hezitojë të veprojë me forcë për të mbrojtur qytetarët e tij.

Sipas zyrës së Lapid, lideri i opozitës i tha Blinkenit se synohet lirimi i të gjithë pengjeve izraelitë dhe se ka nevojë për një marrëveshje.

Gjatë vizitës në Izrael, Blinken u takua edhe me presidentin izraelit, Isaac Herzog, kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Blinken tha se Netanyahu i kishte riafirmuar angazhimin e tij për një armëpushim në Rripin e Gazës, ndërsa e cilësoi si shenjë inkurajuese reagimin e Hamasit që mbështet rezolutën e miratuar nga OKB-ja për një plan armëpushimi.

“Gjatë takimit me Netanyahun ai ripohoi angazhimin e tij ndaj propozimit për një marrëveshje armëpushimi”,- tha kryediplomati amerikan, duke iu referuar planit të paraqitur nga SHBA-ja në OKB. (Elona)