Takimi BRICS bën thirrje për përmirësimin e qeverisjes globale
2024-06-12 17:06:28

foto nga MJK

foto nga MJK

Në qytetin rus të Nizhny Novgorod u mbyll takimi dy ditor i ministrave të jashtëm, që i përkasin Grupit BRICS të ekonomive në zhvillim. Të gjitha palët bënë thirrje për forcimin e multilateralizmit, përmirësimin e qeverisjes globale dhe ngritjen e zërit për përfaqësimin e vendeve në zhvillim.

Takimi, i cili u mbajt nga e hëna në të martën, shënon mbledhjen e parë të grupit që pas zgjerimit në janar, nga pesë anëtarë (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) në nëntë anëtarë zyrtarë, me shtimin e Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gjatë ditës së hënë, vendet e Grupit BRICS u angazhuan në diskutime të thella mbi bashkëpunimin, si dhe tema të nxehta ndërkombëtare dhe rajonale. Pas takimit u publikua një deklaratë e përbashkët e Ministrave të Jashtëm të BRICS-it.

Palët diskutuan gjatë për rolin e rëndësishëm të BRICS-it dhe arritjet e zgjerimit të anëtarësimit të tij. Ata ranë dakord se pranimi i më shumë vendeve në BRICS ka përshpejtuar procesin e multipolarizimit botëror dhe ka promovuar një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe të barabartë. Ata shprehën gjithashtu mbështetje për krijimin e vendeve partnere.

Të gjitha palët kërkuan t'i përmbahen multilateralizmit, të kundërshtojnë unilateralizmin dhe proteksionizmin, të promovojnë reformën e arkitekturës financiare ndërkombëtare, të përmirësojnë qeverisjen globale dhe të rrisin përfaqësimin dhe zërin e vendeve në zhvillim.

Ata gjithashtu theksuan zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore përmes dialogut dhe konsultimeve, si dhe mbështetjen e të gjitha përpjekjeve të favorshme për zgjidhjen paqësore të krizave.

foto nga MJK

foto nga MJK

Gjatë ditës së dytë u zhvillua një dialog midis vendeve të Grupit BRICS dhe 12 vendeve në zhvillim, përkatësisht Tajlandës, Laosit, Vietnamit, Bangladeshit, Sri Lankës, Kazakistanit, Bjellorusisë, Turqisë, Mauritanisë, Kubës, Venezuelës dhe Bahreinit.

Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë strategjike të dialogut, duke vënë në dukje se modeli BRICS+ lehtëson unitetin dhe bashkëpunimin midis vendeve në zhvillim, duke rritur ndikimin e vendeve të Jugut Global dhe duke ndërtuar një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe më të arsyeshëm.

Ata kërkuan reforma në sistemin financiar ndërkombëtar, bashkëpunim të zgjeruar në ekonominë dixhitale, infrastrukturë dhe fusha të tjera, ruajtjen e stabilitetit të zinxhirit global të furnizimit industrial, ngushtimin e hendekut të zhvillimit dhe arritjen e përparimit të përbashkët.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, gjatë takimeve theksoi sigurinë universale, zhvillimin e përbashkët dhe qeverisjen globale.

foto nga MJK

foto nga MJK

Ai tha se BRICS-i duhet të marrë drejtimin në mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar, me Kombet e Bashkuara në thelb të tij. Gjithashtu duhet të nxisë një botë shumëpolare, të barabartë dhe të rregullt, si edhe globalizim ekonomik gjithëpërfshirës.

Në lidhje me krizën në Ukrainë, ministri Wang përsëriti qëndrimin e vendit. Kina përkrah konsultimet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm në Gazë. Ajo mbështet anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB dhe zgjidhjen me dy shtete, për të realizuar paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Gjithashtu Kina përkrah thirrjen e një konference paqeje, të njohur nga të dyja palët ruse dhe ukrainase, tha Wang.

Ministri i Jashtëm bëri thirrje për më shumë përpjekje, për ta orientuar grupin drejt një mekanizmi të ri bashkëpunimi shumëpalësh, midis tregjeve në zhvillim dhe vendeve në zhvillim, që karakterizohet nga hapja dhe gjithëpërfshirja. Ai kërkoi forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit brenda grupit, për të adresuar interesat e vendeve të Jugut Global, për të promovuar globalizimin dhe për të ruajtur stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit global industrial.  (Fang Xiaoyu/Elona)