MJK: Kina, e gatshme për të promovuar shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve dhe paqen e zhvillimin botëror
2024-06-11 21:05:54

foto nga VCG

foto nga VCG

Më 7 qershor, sesioni i 78-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri rezolutën e propozuar nga Kina për të vendosur Ditën Ndërkombëtare për Dialogun ndërmjet Qytetërimeve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian tha në një konferencë të rregullt për shtypin të mbajtur të martën se Kina është e gatshme të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të zbatuar në mënyrë aktive këtë rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe të bëjë përpjekje të pandërprera për të promovuar shkëmbimet e mësimin e ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve dhe paqen e zhvillimin botëror.

Lin Jian tha se rezoluta merr thelbin e “Katër propozimeve të përbashkëta” të Nismës së Qytetërimit Global të paraqitura nga presidenti Xi Jinping si linjë kryesore, sqaron se të gjitha arritjet e qytetërimeve janë pasuri e përbashkët e shoqërisë njerëzore, nxit respektin për diversitetin e qytetërimeve dhe thekson se dialogu ndërmjet qytetërimeve është thelbësor për ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e zhvillimit të përbashkët, për të rritur mirëqenien e njerëzve dhe për të arritur përparimin e përbashkët. Po ashtu, rezoluta nxit dialogun e barabartë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve të ndryshme, duke vendosur 10 qershorin si Ditën Ndërkombëtare për Dialogun ndërmjet Qytetërimeve dhe duke ftuar shtetet anëtare të OKB-së dhe agjencitë e sistemit të saj për të shënuar këtë ditë ndërkombëtare.

foto nga VCG

foto nga VCG

Lin Jian-i theksoi se rrugët e modernizimit me karakteristika të ndryshme në vende dhe rajone të ndryshme në botë sot i kanë rrënjët në trashëgiminë e pasur, të larmishme dhe të kahershme të qytetërimeve. “Sot, kur e ardhmja dhe fati i të gjitha vendeve janë të lidhura ngushtë, bashkëjetesa gjithëpërfshirëse, shkëmbimet dhe mësimi i ndërsjellë mes qytetërimeve të ndryshme luajnë një rol të pazëvendësueshëm në promovimin e procesit të modernizimit të shoqërisë njerëzore e në lulëzimin e ‘kopshtit’ të qytetërimeve botërore,” u shpreh ai. Rezoluta mori përgjigje entuziaste dhe mbështetje të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar, vijoi më tej zëdhënësi, duke theksuar që shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara e bashkënënshkruan dhe e mbështetën rezolutën. Edhe organizatat ndërkombëtare, si Aleanca e Qytetërimeve e Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-ja, e vlerësuan lart rezolutën dhe e pranuan plotësisht rëndësinë e saj. 

foto nga VCG

foto nga VCG

“Komuniteti ndërkombëtar e mbështeti unanimisht vendosjen e Ditës Ndërkombëtare për Dialogun ndërmjet Qytetërimeve, gjë që dëshmon plotësisht se Nisma e Qytetërimit Global është në përputhje me prirjen e kohës e plotëson nevojat e kohës dhe se zgjidhjet kineze po kuptohen, po mbështeten dhe po gjejnë përgjigje nga gjithnjë e më shumë vende,” shtoi Lin Jian-i.   (Fang Xiaoyu/Artan)