Aksi rrugor Thumanë-Kashar, i pari i kategorisë A në Shqipëri
2024-06-11 11:17:19

Pamje nga aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar (Foto Gazeta Koha Jonë)

Pamje nga aksi i ri rrugor Thumanë-Kashar (Foto Gazeta Koha Jonë)

Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, pa patur boshte rrugësh cilësore dhe të shpejta, që t’i shërbejnë asaj dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Dy janë boshtet që na shërbejnë si ne, ashtu dhe Bashkimit Evropian, që na do pjesë të tij. Korridori Blu që vjen nga Veriu dhe përfundon në Jug të vendit, si dhe Korridori i Tetë, që nis në Durrës dhe përfundon në Qafë Thanë, në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Korridori Blu i duhet BE-së, sidomos për shërbimet për turizmin dhe zhvillimin rural të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë, shteteve nga kalon.

Ky Korridor tek ne do të përbëhet nga disa segmente rrugorë, ku kryesori është aksi Thumanë-Kashar, për të vazhduar në rrugën e sotme moderne që kalon në by-pass-in e Fierit, shkon në by-pass-in e Vlorës dhe zbret në Jug deri në kufi me Greqinë.

Aksi Thumanë-Kashar, i cili përurohet këtë muaj, është rrugë e kategorisë A të standardeve të Bashkimit Evropian. Është një aks me çertifikatë sigurie të Bashkimit Europian.

Nuk ka dyqane, kafene, bare, hotele, depo, magazina, makina që pozojnë në dy anët e rrugës, duke krijuar një rrezik të përhershëm. Është një aks shpejtësie, i cili do të jetë një vlerë e shtuar për udhëtimin në zemrën e vendit, por ndihmon shumë edhe lëvizjen nga Rruga e Kombit, poshtë për në Durrës, apo edhe më tej, për në Vlorë.

Në kantierin e autostradës së re Thumanë-Kashar, e para e kategorisë A të Bashkimit Europian tek ne, po punohet me tre turne, për të bërë të mundur përfundimin më datën 30 qershor 2024.

Ky aks rrugor është një nga më të rëndësishmit e Korridorit Blu në Shqipëri dhe në rajon. Ai lidh Veriun e Shqipërisë me Jugun, me shpejtësi deri në 140 km në orë.

Punimet në asfaltimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar (Foto Top Channel)

Punimet në asfaltimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar (Foto Top Channel)

Sikurse e theksoi ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, që më 8 shkurt vizitoi rrugën në ndërtim, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, “I kemi thënë afatin firmës ndërtuese, që të jetë data 30 qershor përfundimi. Jemi duke punuar me 12 shtruese. Nuk mendonim se janë 12 makina shtruese në të gjithë Shqipërinë dhe ne kemi 12 shtruese në Thumanë-Kashar. Ndërkohë, po shtrojmë blinder edhe në tunelin e madh, në krahun e tunelit që do të operohet në Llogara.

Pjesa më sfiduese që kemi tani është lidhja e nyjës së Kasharit, që është pjesa e fundit që jemi në fazë konstruksioni, ndërkohë që gjurma prej më shumë se 21 km ka përfunduar gjithë pjesën e stabilizantit. Ajo që shohim është rruga e Rinasit. Tani jemi paralel me rrugën e Rinasit.Me hapjen e kësaj nyjeje realizohet kthimi për në Rinas dhe pastaj kemi Nyjen e Kasharit, që e shpërndan trafikun në autostradën Tiranë-Durrës.

Këto ditë jemi në përfundim të bisedimeve, përsa i përket gjurmës tjetër, nga Kashari deri në Lekaj, duke e lidhur me të gjithë gjurmën e re. Kashar-Lekaj është gjurmë totalisht e re.

Janë tre kontrata, të cilat lidhen në ditët në vazhdim, përpara se sa të përfundojë muaji qershor. Është Kashar-Lekaj, vazhdim i kësaj autostrade. Më pas vijojmë me Lekaj-Fier. Në veri të kësaj autostrade, vazhdojme me segmentin rrugor Thumanë-Milot.

Jemi gati për të hapur garën për Milot-Balldren, ndërkohë që këto 3 kontrata janë negociuar tashmë dhe janë gati për t’u firmosur dhe për të nisur nga puna.

Synimi ynë është që menjëherë pas garës së segmentit Milot-Balldren, të hapet edhe gara për Balldren-Murriqan, duke e mbyllur kështu Korridorin Adriatiko-Jonian për pjesën e re, që ne kemi nisur.


Rruga Thumanë-Kashar (Foto Gazeta Shqiptare)

Rruga Thumanë-Kashar (Foto Gazeta Shqiptare)

Autostrada e re Thumanë-Kashar do të lehtësoje ndjeshëm trafikun, sidomos në pikun e sezonin turistik të verës, për shkak të fluksit të turistëve që vijnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.

Kjo autostradë përfaqëson zgjidhjen europiane të fluksit të rënduar rrugor që po përjetojmë, për shkak të ngarkimit të rrugëve ekzistuese përreth Aeroportit të Rinasit, i cili, në katër vitet e fundit, ka tërhequr rreth vetës një trafik rrugor tre herë më të lartë, në krahasim me vitin 2018.

Të gjitha këto segmente, së bashku me Thumanë-Kasharin që po përfundon, plotësojnë trupin e Korridorit Blu në Shqipëri, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.

Me këtë Korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë, ndërkohë që po punohet fort me zgjerimin e rrugës nga Elbasani në Qafë-Thanë,  pjesë e boshtit tjetër rrugor, Korridorit të 8-të, në mënyrë që ky Korridor të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi, jo thjesht një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot.

Kalimi në Thumanë-Kashar, sikurse është vepruar me Rrugën e Kombit, do të jetë me pagesë. Akset kryesore rrugore të çdo vendi, madje edhe shteteve përreth nesh, është normale të jenë me pagesë. Tarifa në Thumanë-Kashar do të varet nga lloji i mjetit, por nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro.

Kuptohet që, paralel me autostradën e kategorisë A të Bashkimit Evropian Thumanë-Kashar, ka edhe edhe zgjidhje alternative, ku kalimi do të jetë pa pagesë për qytetarët. Ndërsa për qytetarin apo turistin që zgjedh të fitojë në kohë, një tarifë e arësyeshme për të përdorur këtë aks është mëse normale.

Paralelisht me Korridorin Blu, do të vijojnë fort financimet për realizimin e Korridorit të VIII-të, segmentit Durrës-Qafë Thanë, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje-Perëndim, duke përmbyllur boshtet e infrastrukturës rrugore të Shqipërisë 2030, gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Fatos Çoçoli