Ura më e madhe me kabllo në botë në Kinën lindore pritet të hapet në prill 2025
2024-06-11 10:16:12

Foto nga CMG

Ura më e madhe me kabllo në botë, ura e lumit Changtai Yangtze, arriti lidhjen e plotë të dielën në provincën Jiangsu të Kinës lindore dhe pritet të hapet për trafik deri në fund të prillit të ardhshëm, njofton “CGTN”.

Duke lidhur qytetet Changzhou dhe Taizhou në Jiangsu, kjo urë është objekti i parë ndërlumor që kombinon autostradën, hekurudhën ndërqytetëse dhe rrugët e zakonshme mbi lumin Yangtze, lumi i tretë më i gjatë në botë.

Pas pesë vitesh ndërtimi, ura ka një gjatësi totale prej 10.3 kilometrash, duke përfshirë 5.3 kilometra rrugë dhe seksione hekurudhore.

Kjo vepër përmban një urë kabllore me kafaz çeliku me një hapësirë të jashtëzakonshme kryesore prej 1208 metrash, së bashku me dy ura mbresëlënëse harkore prej çeliku me hapje kryesore prej 388 metra secila dhe të plotësuara nga një urë e vazhdueshme e çelikut që shtrihet 3×124 metra.

Li Haifeng, nënkryetari në kantierin e urës së lumit Changtai Yangtze, deklaroi se tani do të punohet për ndërtimin e objekteve ndihmëse.

Ura pritet të kalojë testimin dhe pranimin e ngarkesës dinamike dhe statike deri në fund të prillit të ardhshëm, kur ajo do të jetë gati për t'u hapur për qarkullim.

Deri atëherë, ura do të përmirësojë ndjeshëm rrjetin rrugor rajonal, duke nxitur zhvillimin e koordinuar brenda grumbullimit urban të deltës së lumit Yangtze. Ky projekt jetik i infrastrukturës do të mbështesë gjithashtu nismat kryesore kombëtare, duke përfshirë nismën “Një brez, një rrugë”, zhvillimin e Brezit Ekonomik të Lumit Yangtze dhe zhvillimin e integruar të deltës së lumit Yangtze, sipas ekipit të ndërtimit. (Fatosi)