foto nga CMG
Festa tradicionale kineze e Varkës së Dragoit, ose Festa Duanwu, sivjet përkon me Ditën Ndërkombëtare për Dialogun ndërmjet Qytetërimeve të sapovendosur nga Kombet e Bashkuara. Të hënën, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Konsullata e Përgjithshme Kineze në Çikago organizuan në shtëpinë e zonjës Sarah Lande në Muskatine të shtetit të Ajovës veprimtarinë "E shkruar në qiell: Vizitë në shtëpinë e mikes së vjetër të Kinës Sarah Lande në Festën Duanwu". Përmes një darke të veçantë familjare, zonja Lande i ftoi miqtë nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të shijojnë ushqimin kinez, të kremtojnë Festën e Varkës së Dragoit dhe të përjetojnë kulturën tradicionale kineze. Kryetari i Grupit Mediatik të Kinës (CMG) dhe zv.ministër i Departamentit të Promovimit të Komitetit Qendror të PKK-së Shen Haixiong i shkroi zonjës Lande një letër për t'i shprehur miqësinë. Konsulli i përgjithshëm i Kinës në Çikago Zhao Jian mori pjesë në këtë veprimtari dhe mbajti një fjalim. Miqtë e Kinës nga Ajova, zoti dhe zonja Kimberley, si edhe kryetari i Komitetit të Miqësisë me Kinën të Muskatines në Ajova, Dan Stein, morën pjesë në këtë veprimtari.
foto nga CMG: Dorëshkrimi i znj. Lande "Shtetet e Bashkuara dhe Kina promovojnë paqen nëpërmjet miqësisë”
Shen Haixiong-u shkroi në letër se Festa e Varkës së Dragoit është një festë tradicionale kineze, dhe vende të ndryshme të botës zhvillojnë aktivitete të pasura për ta kremtuar e përjetuar këtë festë dhe për të ndier forcën tërheqëse të kulturës kineze. Ai i shprehu falënderimin zonjës Lande që përgatiti posaçërisht një darkë familjare në këtë ditë dhe ftoi miq të Kinës nga ShBA-ja dhe disa përfaqësues nga CMG-ja për të shijuar ushqimin kinez dhe për të festuar. Marrëdhënia ndërmjet vendeve qëndron në afërsinë ndërmjet njerëzve. “CMG-ja është e gatshme të punojë me ju dhe miq të tjerë amerikanë për të ndërtuar një urë për të promovuar lidhjet, shkëmbimet e mësimin e ndërsjellë mes Kinës e Shteteve të Bashkuara dhe për të shkruar kapituj më të mrekullueshëm të miqësisë mes dy popujve,” tha ai.
foto nga CMG: Letra e kryetarit të CMG-së Shen Haixong për zonjën Lande
Zonja Lande i shprehu mirënjohjen kryetarit të CMG-së për letrën e tij. Ajo tha: "Në vitin 1985, në të njëjtën tryezë si sonte, pata nderin të prisja zoti Xi. Në vitin 2012, unë e mirëprita atë përsëri në shtëpinë time. Përgjatë dhjetëra vjetëve të fundit, këtu kemi dëshmuar shkëmbimet miqësore ndërmjet popujve të të dy vendeve. Sapo mësova se pak ditë më parë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të propozuar nga Kina për të vendosur një Ditë Ndërkombëtare për Dialogun ndërmjet Qytetërimeve, duke caktuar 10 qershorin. Sivjet kjo datë është edhe Festa e Varkës së Dragoit. Unë jam e kënaqur që kam ftuar konsullin e përgjithshëm Zhao Jian dhe miqtë kinezë në shtëpinë time, dhe falënderoj CMG-në që ka organizuar këtë aktivitet. Le të kremtojmë së bashku Festën Duanwu, të shijojmë ushqimin tradicional kinez dhe të përjetojmë festën. Mendoj se ky është dialogu më i mirë i qytetërimeve ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.”
foto nga CMG: Konsulli i përgjithshëm i Kinës në Çikago Zhao Jian
Konsulli i përgjithshëm i Kinës në Çikago, Zhao Jian, u shpreh se kishte një ndjenjë ngrohtësie duke parë miqtë e vjetër të pranishëm. “Pikërisht për shkak se zonja Sarah Lande, zoti dhe zonja Kimberly dhe shumë miq amerikanë e vlerësojnë dhe e mbështesin kauzën e miqësisë kineze-amerikane mes njerëzve, popujt e Kinës dhe ShBA-së mund të ndërtojnë një ‘urë miqësie’ përgjatë Paqësorit. Sot është Festa e Varkës së Dragoit në Kinë dhe është Dita Ndërkombëtare e Dialogut ndërmjet Qytetërimeve. Presidenti Xi Jinping njoftoi në San-Francisko vitin e kaluar se do të ftonte 50 000 adoleshentë amerikanë për të zhvilluar shkëmbime dhe për të studiuar në Kinë në pesë vitet e ardhshme. Ne jemi të inkurajuar dhe shpresojmë e besojmë se më shumë studentë amerikanë do të shkojnë në Kinë për të përjetuar nga afër kulturën, traditën dhe zhvillimin e Kinës, të njohin historinë e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella ndërmjet popullit kinez e popullit amerikan dhe të krijojnë një të ardhme më të ndritshme dhe më të mirë për marrëdhëniet kino-amerikane.”
foto nga CMG
foto nga CMG: Gjella krijuese “Varka e Dragoit dërgon bekime”
Për t'u përgatitur për këtë darkë të veçantë familjare, znj. Rande mësoi më shumë rreth historisë e sfondit kulturor të Festës së Varkës së Draogit dhe punoi me kuzhinierin kinez për të përcaktuar një listë gjellësh unike. Midis tyre, një gjellë krijuese, e quajtur “Varka e Dragoit dërgon bekime”, paraqiti gjallërisht zakonin unik të garave me varka dragoi dhe të urimit për fat të mirë.
foto nga CMG: Miqtë e Kinës nga Ajova, zoti dhe zonja Kimberley
Rick Kimberley tha se përmes dekadave të ndërveprimeve me miqtë kinezë, ai ka ndier vërtet ngrohtësinë dhe miqësinë e popullit kinez. Ai dhe bashkëshortja e tij Martha Kimberley janë të gatshëm të vazhdojnë të kontribuojnë për afrimin e dy popujve dhe promovimin e marrëdhënieve kino-amerikane.
foto nga CMG: Kryetari i Komitetit të Miqësisë me Kinën të Muskatines në Ajova Dan Stein
Kryetari i Komitetit të Miqësisë me Kinë të Muskatines në Ajova Dan Stein tha se pavarësisht sfidave me të cilat përballet globalizimi, popujt e të gjitha vendeve duhet të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin për të zgjidhur së bashku problemet e shumta me të cilat përballen. “Është shumë e kuptueshme pjesëmarrja në darkën familjare të znj. Lande në Ditën Ndërkombëtare të Dialogut ndërmjet Qytetërimeve, sepse shkëmbimet në fushën e ushqimeve dhe kulturës mund t'i afrojë njerëzit. Është me rëndësi të madhe të punojmë me miqtë kinezë për të promovuar miqësinë njerëzore kino-amerikane,” theksoi ai.
foto nga CMG
foto nga CMG
Të ftuarit pjesëmarrës përjetuan zakone të veçanta kulturore të Festës së Varkës së Dragoit, si bërja e zongzi-ve. (Fang Xiaoyu/Artan)