Ministria kineze e Tregtisë nxit bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe konkurrencën e shëndetshme Kinë-BE
2024-06-10 14:50:57

Fjala kyçe: 呼吁---[hū yù]---thirrje

Doganerët kontrollojnë kontejnerët e trenit të mallrave Kinë-Evropë në Jinhua të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, 5 qershor 2024. /CFP

Ministria kineze e Tregtisë u ka bërë thirrje Kinës dhe Bashkimit Evropian (BE) që të trajtojnë si duhet fërkimet ekonomike e tregtare nëpërmjet dialogut e konsultimeve, të synojnë bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe të nxitin konkurrencën e shëndetshme.

Duhen bërë përpjekje për të zgjidhur shqetësimet e arsyeshme të të dy palëve dhe për të shmangur përshkallëzimin e fërkimeve tregtare, tha ministria.

foto nga CFP

Ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao kryesoi një takim me sipërmarrje me investime kineze e shoqata biznesi në Lisbonë, Portugali, 4 qershor 2024. /Ministria e Tregtisë Kineze

Ky dikaster ka zhvilluar simpoziume me sipërmarrje me investime kineze e shoqata biznesi në vende të tilla si Spanja, Portugalia e Greqia. Disa përfaqësues biznesi kanë shprehur shqetësime se BE-ja ka shtypur vazhdimisht sipërmarrjet kineze në bazë të të ashtuquajturës konkurrencë e ndershme.

Ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao tha se akuzat për "konkurrencë të pandershme" kundër Kinës janë të pabaza, duke shtuar se konkurrenca e ndershme është konsensusi i të gjitha vendeve e guri i themelit i shkëmbimeve ndërkombëtare dhe nuk mund të përkufizohet vetëm nga disa vende.

Konkurrencë vërtet e ndershme do të thotë përpjekje për përmirësimin e vetvetes dhe jo pengim i të tjerëve. Ajo duhet të jetë e hapur, bashkëpunuese, e barabartë dhe e dobishme për të dyja palët e jo përjashtuese. Ajo do të thotë gjithashtu respektim i rregullave për të cilat ka konsensus ndërkombëtare e jo shkelje apo prishje e tyre sipas dëshirës, tha Wang.

Kina është për bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, por nuk i shmanget konkurrencës e as frikësohet prej saj. Ajo e mirëpret konkurrencën e shëndetshme dhe kundërshton konkurrencën vicioze me qëllim frenimin e shtypjen, vuri në dukje ministri.

foto nga CFP

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez mbajti një fjalim në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së investimeve të përbashkëta midis prodhuesit kinez të automjeteve "Chery" dhe atij spanjoll "Ebro-EV" më 19 prill 2024 / foto nga CFP

Në përgjigje të shqetësimeve lidhur me hetimin antisubvencion të BE-së ndaj automjeteve elektrike kineze, që ka ndikuar në bashkëpunimin ndërmjet  kompanive kineze të makinave dhe homologëve të tyre evropianë, Wang theksoi se mënyra e duhur për trajtimin e njëra-tjetrës nga të dyja palët është zgjerimi i bashkëpunimit dhe arritja e rezultateve me përfitime të përbashkëta në sfondin e konkurrencës së shëndetshme. 

Ai i tha këto gjatë një vizite kohët e fundit në një ndërmarrje me investime të përbashkëta të prodhuesit kinez të automjeteve "Chery" dhe  atij spanjoll "Ebro-EV" në Barcelonë të Spanjës.

Wang shprehu shpresën se pala evropiane do të heqë dorë nga proteksionizmi tregtar dhe do të kthehet në rrugën e duhur të dialogut dhe bashkëpunimit.

Ai tha gjithashtu se shpreson që sipërmarrjet të cilat kanë krijuar ndërmarrje me investime të përbashkëta, do të kapërcejnë vështirësitë, për ta bërë punën e tyre një projekt të rëndësishëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar kino-spanjoll dhe kino-evropian. (Wang Lei/ Artan)