Raporti i ri tregon shtimin e pyjeve të rizoforeve në Kinë
2024-06-10 10:52:17

Foto nga VCG

Kina mbolli rreth 7 000 hektarë pyje rizoforesh nga viti 2020 deri më 2023, duke u bërë një nga vendet e pakta në botë ku u zgjerua sipërfaqja e pyjeve të rizoforeve vitin e kaluar, sipas një raporti të publikuar nga Ministria kineze e Burimeve Natyrore të shtunën, me rastin e Ditës Botërore të Oqeaneve. 

Rizoforet, një ekosistem i rëndësishëm bregdetar që përbëhet nga pemët e shkurret që rriten në zonën e ndërzbaticës, u zvogëluan në Kinë nga 50 000 hektarë në vitet '50 të shekullit të kaluar në 22 000 hektarë më 2000. Gjatë dy dekadave të fundit, autoritetet kineze kanë bërë një punë të madhe për ta ndryshuar një prirje të tillë. 

Në Kinë janë krijuar të paktën 32 zona të mbrojtura natyrore enkas për bimët, që sigurojnë mjedise natyrore për specie të shumta detare dhe mbrojnë bregdetin nga erërat, valët e përmbytjet. 

Më 2020, në Kinë nisi një fushatë e posaçme pesëvjeçare për mbrojtjen dhe restaurimin e rizoforeve. 

Zonat bregdetare në vend kanë eksploruar mënyra jo vetëm për të mbjellë speciet e rizoforeve, por edhe për të mbrojtur habitatet e tyre. 

I ashtuquajturi bar kordon, një specie e zakonshme pushtuese në bregdetin e Kinës, u fut për herë të parë në Kinë në vitet '70 të shekullit të kaluar si mjet efektiv për të mbrojtur vijën bregdetar nga erozioni. Por zgjerimi i madh i tij kërcënoi gjithashtu rizoforet. 

Shkencëtarët kinezë kanë eksperimentuar me metoda fizike, kimike e biologjike për ta shkatërruar këtë bar. 

Në vitin 2022, Kina nisi një fushatë trevjeçare të posaçme për të eleminuar 90 për qind të barit kordon në vend deri më 2025. 

Kina ka vendosur objektivin për të pasur të paktën 150 000 kilometra katrorë zonë të mbrojtur detare deri në vitin 2030. Objektivi përfshin jetën detare të rrallë e të rrezikuar dhe ekosistemet tipike detare, duke përfshirë rizoforet dhe shkëmbinjtë koralorë. 

Sipas Aleancës Botërore të Rizoforeve, ka 14.7 milionë hektarë pyje me rizofore në botë, gati sa sipërfaqja e Bangladeshit. Një analizë e bërë në fund të majit nga Bashkimi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Naturës tregon se gjysma e pyjeve të rizoforeve në botë rrezikohen për shkak të sjelljes njerëzore.