Sfida e bizneseve nga kursi i këmbimit
2024-06-10 11:37:59


Edvin Prençe nga Shoqata Pro biznes (Foto Dosja.al)

Luhatjet e kursit të kembimit kanë goditur drejtpërsëdrejti disa sektorë të ekonomisë, ku çdo përqindje e forcimit të lekut, është përqindje e humbur për bizneset prodhuese dhe eksportuese. Kreu i shoqatës “ProExport Albania” Edvin Prençe thotë se situata mbetet e vështirë.

“Tematika e takimit ishte një diskutim mes grupeve të interesit të cilët preken nga ky kurs këmbimi. Aty ishin pjesëmarrës nga turizmi edhe nga sektori ynë, por edhe nga sektorë të tjerë si bujqësia, transporti apo logjistika. Absolutisht është një situatë shumë e rënduar, duke pasur parasysh që frika më e madhe e të gjithë bizneseve shqiptare dhe prodhuese vendase është pikërisht që ky kurs këmbimi do jetë akoma më agresiv, pra do ketë akoma një rritje të vlerës, të vlerësimit të lekut dhe të rënies së euros.”-tha Prençe.

Sa i takon garancisë sovrane për këtë sektor, të miratuar tashmë nga qeveria, ngecja sipas Prençes qëndron tek zbatimi nga bankat. Sipas tij, deri në datën 3 qershor nuk ka patur asnjë aplikim.

“Kjo është një pikë tjetër shumë e diskutueshme pasi nëse nga njëra anë qeveria ka bërë detyrën e saj me daljen e VKM-së përkatëse dhe gjithë problemet apo burokracitë që ishin të nevojshme. Ajo që po hasim tani është burokracia apo lëvizja shumë e ngadaltë nga ana e bankave të nivelit të dytë për të aplikuar këtë. Dhe sot që po flasim bashkarisht për faj të bankave të nivelit të dytë kemi 0 aplikimeve nga bizneset shqiptare të sektorit të manifakturës, e cila po ndikon edhe po ngadalëson akoma më shumë shpresën që bizneset të ishin të mundur për të patur këtë garanci sovrane, që do i jepte mundësinë dhe një shtysë më shumë bizneseve që të ishin më konkurruese ndaj vendeve të tjera ballkanike, kundrejt brendeve evropiane.”

Shkaqet e zvarritjeve janë të ndryshme.

“Mendoj që kjo ka të bëjë me drejtoritë përkatëse të bankave të nivelit të dytë, pra me të gjithë drejtoritë juridike dhe financiare që duhet të merren me përpilimin e kontratave dhe më pas duhet të firmoset nga bankat e nivelit të dytë dhe bizneseve. Mendoj që jemi në këtë pikë të analizës apo në fazën e përpilimit përfundimtar nga ana e bankave të nivelit të dytë, por nga ana tjetër shohim edhe një mosdëshirë të bankave të nivelit të dytë për të aplikuar dhe për ta bërë reale, sepse nuk ka përgjigje tjetër momentale, për ta bërë reale mundësinë e aplikimit nga ana e bizneseve. Duke qenë se vetëm bankat e nivelit të dytë është i vetmi akses që bizneset kanë për të bërë të mundur aplikimin e kësaj kredi sovrane.”- tha Prençe.

Sektori fason (Foto Gazeta shqiptare)

Përaqësues të Manifakturës i kanë  bërë thirrje  Bankës së Shqipërisë që të përdorë mekanizma për parandalimin e mbiçmimit të mëtejshëm të lekut.

“Jemi të bindur nga studime shumë të sakta, që qeveria dhe Banka e Shqipërisë i kanë mekanizmat në dorë për parandalimin e rënies së euros dhe nëse nuk munden, të paktën të na tregojnë se ku do të shkojë, me qëllim që të paktën edhe ne të marrim masat tona”, u shpreh Florjan Zekaj.

Shume biznese të këtij sektori janë detyruar të ulin qepenët.

“Arsyet janë të shumta, kryesorja është kursi i këmbimit, i cili ka çuar drejt një fikje, apo vdekje klinike të shumë bizneseve. Kjo përkon edhe me faktin që shumë brenda të huaja po orientohen drejt vendeve të tjera duke e parë Shqipërinë më të konkurueshme për sa i takon çmimeve. Falë dhe të rritjes së kostove që tashmë të gjithë e dimë dhe absolutisht ka një ngurtësim të fuqisë blerëse, në rënie, pra në Evropë ka një rënie të fuqisë blerëse, pasi duhet pasur parasysh që ka patur luhatje shumë dhe të kohës dhe si e tillë ka pasur një çorientim dhe të modës së veshjeve për sa i takon blerjeve nga ana e klientëve. Shumë nga këto elementë dhe shumë të tjera kanë çuar drejt ngurtësimit dhe mbylljes së disa linjave prodhuese, por në disa raste kemi mbyllje totale të bizneseve, e cila ka çuar në humbjen e vende të punës. Mendoj që dita -ditës po shtohet por shpresojmë që sa më shpejt të bëhet aktive kjo garanci sovrane për sektorin dhe shpresojmë të ketë ndryshim të interesit ekonomik nga brendet e huaja për të prodhuar në Shqipëri.”

Takimi për kursin e këmbimit (Foto zoom.al)

Për Tv Scan, Prençe tha se  plaga më e madhe e kësaj historie është mbetja pa punë e shumë punonjësve.

“Shifrat janë në kohë, por në kohë reale nga ana jonë si përfaqësues të sektorit mund të garantojë që të paktën një biznes apo dy në ditë kanë filluar apo po bëjnë të mundur largimin e punonjësve të tyre, shkurtim të vendeve të punës, por mund të ketë dhe biznese që të paktën dy në javë kanë çuar drejt mbylljes së këtyre bizneseve. Kemi një luftë ekonomike të paparë në sektorin tonë. Patjetër që ky destabilizim i kursit të këmbimit dhe mos të themi mosgarancia se si do jetë në të ardhmen e të afërt dhe ky kurs këmbimi ka çuar në një destabilizimin e çdo biznes- plani nga ana e bizneseve. Optika e takimit të të premtes ishte për të sensibilizuar ose për të kërkuar institucionet përgjegjëse që është Banka e Shqipërisë të jetë e qartë se çfarë ndërhyrjesh kërkon të bëjë që të ruajë tashmë këtë kurs këmbimi që ato e quajnë normale dhe që ka hyrë në rreth 100 lekë për euro. Ekonomia shqiptare në pikëpamjen tonë do shkojë akoma më thellë dhe rreziku i madh është që të kalojë edhe 95 lekë për euro në periudhën verore, por dhe tashmë në periudhën para verore.”

Referuar të dhënave nga INSTAT për katërmujorin e parë të vitit, eksportet kanë rënë me 17%, importet janë rritur me 0.4% dhe deficit tregtar ka pasur rritje dyshifrore.