Britanikët “zbulojnë” Tiranën: Eksploroni kryeqytetin mahnitës shqiptar!
2024-06-10 17:06:17

Pamje te Tiranes- foto Tirana diplomat

Pamje te Tiranes- foto Tirana diplomat

Nëse jeni në kërkim të një vendpushimi të bukur larg plazhit dhe turmave të vizitorëve, atëherë Tirana në Shqipëri mund të jetë destinacioni  ideal për ju.

Nga muaji i ardhshëm, aeroporti i Bristolit, në Angli, do të ofrojë fluturime direkte drejt Tiranës në Shqipëri, që zgjasin pak më shumë se tre orë. Ky hap i shërben turizmit vendas, i cili vijon të jetë në krye të listës së destinacioneve të preferuara edhe për britanikët. “Një kryeqytet i gjallë dhe plot ngjyra në Ballkan”, kështu e cilëson Tiranën në një artikull të saj e përditshmja britanike “Bristol Live”.

Tirana ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe, ndonëse jo pranë detit Mesdhe, ajo ofron një klimë të butë. Me një bollëk arkitekturash dhe parqesh të bukura, ju mund të kryeni shumë aktivitete, duke e bërë atë destinacionin perfekt për pushime verore në qytet.

Tirana ne vere foto Tv Klan

Tirana ne vere foto Tv Klan

Sipas “Skyscanner”, në javën e dytë të qershorit, vizitorët nga Bristoli mund të kryejnë fluturime direkte vajtje-ardhje për në Tiranë për vetëm 89 paund personi. Nëse preferoni të shkoni me linjë direkte, atëherë fluturimet do të kushtojnë rreth 95 paund me “Ryanair”.

Ndërsa ka një numër të konsiderueshëm opsionesh për pushime në qytet me fluturime direkte nga Bristoli, kjo do të jetë hera e parë që këta vizitorë fluturojnë me linjë direkte në kryeqytetin e Shqipërisë.

Gazeta i bën jehojë kryeqytetit shqiptar duke propozuar edhe disa atraksione interesante. “Ju mund të bëni një vizitë në Bunk’Art 1, shkruhet në artikull, një bunker anti-bërthamor i ndërtuar para viteve -90, i cili tani është shndërruar në një qendër historike dhe arti.

Gjatë vizitës në Shqipëri dhe veçanërisht në Tiranë, ju mund të njiheni me historinë e lashtë të vendit. Muzeu Bunk’Art 1 është një nga vendet më të mira për t’u njohur me të kaluarën e Shqipërisë”.

“Por, Tirana ia vlen të vizitohet, edhe nëse nuk jeni adhurues i historisë”, vijon artikulli. Një tjetër vend i mrekullueshëm që rekomandohet të vizitohet është teleferiku “Dajti Ekspres” i cili ofron pamje mahnitëse të qytetit nga maja e Malit të Dajtit. Teleferiku “Dajti Express” është nje nga atraksionet e preferuara në Tiranë, shkruan artikulli.

Tirana - foto Tirana diplomat

Tirana - foto Tirana diplomat

Ballkoni i Malit të Dajtit është një vend relaksi dhe argëtimi, gjithashtu. Ju mund të shijoni një drekë të shijshme dhe një shishe verë në “Restorant Ballkoni”. Ky restorant është ndërtuar pikërisht në majë të shkëmbit malor, duke ofruar një pamje magjepsëse të Tiranës.

Nëse dëshironi të eksploroni kryeqytetin shqiptar, sheshi Skënderbej u mundëson vizitorëve të zbulojnë lehtësisht qytetin dhe monumentet e tij të shumta”, përfundon artikulli i gazetës britanike.

Tashmë kryeqyteti shqiptar Tirana është kthyer në një destinacion shumë të kërkuar për turistët, të cilët vijnë në Tiranë dhe rrëmbehen nga jeta e saj e vrullshme. Sheshi “Skënderbej”, Muzeu Kombëtar apo Kalaja e Tiranës janë vetëm disa prej pikave më të preferuara të vizitorëve të shumtë. Gjithashtu ajo shërben si pikënisja e tureve turistike kryesore të vendit sipas operatorëve të guidave për të huajt, ose si një portë për të eksploruar jugun dhe veriun e Shqipërisë.

Tirana pret turiste - foto lapsi.al

Pikënisje e të gjitha tureve kulturorë, të bregdetit fillon nga Tirana. Fillon me sheshin Skënderbej, me Opera House me Muzeun Kombëtar, pastaj bëjnë një xhiro bulevardit, pastaj me pjesën e ish-bllokut. Është një pjesë shumë e kërkuar, një pjesë historike që tregon historinë tonë. Bulevardi dhe stadiumi janë bërë pjesë e guidës dhe eksplorimit për të mbyllur mbrëmjet në lokalet luksoze ku të rinjtë mblidhen dhe jeta vazhdon deri në orët e para të mëngjesit.

Ndryshe nga shumë vite më parë, tashmë shumica e vizitorëve nga britania vijnë në mënyrë individuale dhe jo domosdoshmërisht me agjenci turistike.

Përveç pjesës urbane të kryeqytetit, nuk mungojnë edhe zonat atraktive të periferisë që zgjidhen nga turistët. Liqeni i Bovillës një nga atraksionet kryesore është shumë afër me Tiranën dhe është shumë e rrallë për tu parë gjithashtu është edhe mali i Dajtit me teleferikun dhe po ashtu edhe ujëvara e Shëngjergjit shumë e kërkuar si dhe pjesën e Petrelës.

Përgatiti: N. Kraja