Avni Hafuzi, jeta dhe veprimtaria e filantropit shqiptar në Hungari
2024-06-10 11:47:21


Avni Hafuzi

Avni Hafuzi ka lindur në Preshevë në  një familje patriotike, që ka ruajtur  traditat shqiptare. Prej gati 50 vitesh ai jeton në Hungari, që për të  është vendlindja e dytë. Në këtë vend Avniu  ka arritur sukses falë angazhimit të tij dhe punës së palodhshme, por edhe familjes, shoqërisë dhe shtetit hungarez. Krahas biznesit, Avniu ka dhënë një kontribut të veçantë bamirës për shtresat në nevojë, si në trojet shqiptare, ashtu edhe në Shqipëri. Ai mban një sërë dekoratash, titujsh, certifikata nderi e mirënjohje të akorduara nga personalitete të shquara të Shqipërisë, Hungarisë, Kosovës dhe Preshevës. Në një intervistë për Radio Ejani Avni Hafuzi tregon për jetën e tij në emigrim, angazhimin në çështjen kombëtare dhe aktivitetet e organizuara në shetin hungarez e më gjerë.

Avni Hafuzi gjate nje aktiviteti 

CMG: Keni gati 50 vite që jetoni në Hungari. Si ka qenë integrimi juaj në emigracion?

Avni Hafuzi: Fillimi si për çdo shqiptar jashtë vendlindjes gjithmonë ka qenë i vështirë dhe për mua në Hungari kanë qenë kohë të vështira, por dalëngadalë duke punuar dhe paralel krijova familjen time. Kështu mu afruan mundësi të mira që të vazhdoj jetën në Hungari. Nuk kam patur vështirësi aq të mëdha.

CMG: Si arritët që në një vend të huaj të krijoni biznesin tuaj dhe a gjetët mbështetje nga vendasit?

Avni Hafuzi: Mendoj se çdo shqiptar që është jashtë vendlindjes ka gjetur mbështetjen të atij vendi ku ka filluar jetën. Kanë gjetur mbështetjen për biznesin, sepse ne shqiptarët jemi korrekt dhe kemi qejf të punojmë e të tregojmë prejardhjen tonë.  Për të treguar që kombi shqiptar është shumë i besueshëm, shumë punëtor dhe shumë i zgjuar. Kështu që dhe unë nuk kam patur vështirësi për të krijuar një biznes. Kam një biznes terminal doganor, që dikur ka qenë shumë e vështirë për një shtetas të huaj apo shqiptar për të patur licensat shtetërore të doganës dhe për të punuar si terminal doganor. Unë në vitet 92-93 e kam fituar licensën nga Hungaria dhe i jam mirënjohës shtetit hungarez.

Avni Hafuzi duke mbajtur fjalen ne nje event

CMG: Gjatë viteve në Hungari keni dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke ndihmuar shtresat në nevojë. Si ndjeheni për këtë nismë tuajën?

Avni Hafuzi: Mendoj se çdo shqiptar është bamirës dhe çdokush me kushtet e veta ka kontribuar dhe do të kontribuojë. Unë e gjeta veten shumë i lumtur që më kërkuan apo trokitën tek unë, për disa ndihma të familjarëve të njerëzve pa strehë apo me kushte shumë të vështira. Kështu që mu afrua mundësia dhe patjetër që kontribuova dhe do të kontribuoj, sepse ne shqiptarët e kemi traditë të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ndjehem krenar për këtë gjë dhe kudo që janë shqiptarët kanë patur mundësitë të kontribuojnë aty ku jetojnë. Është kënaqësi kur kontribuoj në një vend që është mik i kombit tonë dhe mik personal i imi.

CMG: Flasim për iniciativën tuaj për vendosjen e bustit të Skënderbeut në qytetin Eger, si dhe pllakës përkujtimore prej graniti ku janë gdhendur fjalët e himnit të Nënë Terezës nga ju.

Avni Hafuzi: Në vitin 2000 fituam lejen nga qyteti Eger që të emërohet një pjesë e qytetit me emrin sheshi i Skënderbeut. Fillimisht morëm leje për të krijuar  sheshin e Skënderbeut, dhe unë dhe diaspora shqiptare në Hungari filluam më 17 janar të vizitojmë sheshin. Krijuam një miqësi akoma më të afërt me qytetin Eger dhe në 4 maj u mundësua inaugurimi i bustit të Skënderbeut në sheshin e Skënderbeut. Ka qenë e rëndësishme që busti të jetë në sheshin me emrin Skënderbe. Ndërsa për pllakën e granitit të gdhendur për Nënë Terezën, unë kam një miqësi shumë të madhe në Hungari.

Çdo herë që kam hapur biseda për Nënë Terezën dhe kur i kam sqaruar që ajo është bijë shqiptare kanë mbetur pak të habitur, sepse qytetarët apo besimtarët kanë dëgjuar dhe lexuar shumë për Nënë Terezën, por nuk e kanë ditur që është bijë shqiptare. Kjo ka qenë arsyeja që të promovoj Nënë Terezën më shumë dhe më qartë, dhe fillova të dhuroj pllakat e granitit të gdhenduar me himnin e Nënë Terezës nëpër kishat e Hungarisë. Në kishat e Hungarisë kemi pesë pllaka, dhe një pllakë tjetër e kemi vendosur para disa ditëve edhe në Vojvodinë të Serbisë, ku jeton komuniteti hungarez. Ata tani janë më afër me himnin apo njohuritë për Nënë Terezën kur shohin pllakat të dhuruara nëpër kisha.

Avni Hafuzi me kozmonautin e njohur hungarez Bertalan Farkas

CMG: Gjithashtu jeni organizues dhe sponsorizues i shumë aktiviteteve sportive dhe kulturore në Hungari. Flasim për këto aktivitete dhe organizime?

Avni Hafuzi: Ne shqiptarët duam të lemë gjurmë dhe të jemi të aktivizuar kur i kemi mundësitë. Unë mundësitë i kisha për të kontribuar në sport dhe kulturë. Kam kontribuar dhe kontribuoj, që sa më shumë të flitet për kombin dhe kulturën tonë. Kështu që te vendi ynë të flitet për kulturën e Hungarisë dhe në Hungari të flitet për kulturën tonë shqiptare. Jam shumë mirënjohës nga hungarezët që promovoj sportin dhe kulturën tonë. Një shembull shumë më konkret që kam filluar ta shoh këto dy muajt e fundit është mundja e dorës, që për fat të keq ne shqiptarët nuk e përdorin shumë. Mundjen e dorës ne e kemi nga Skënderbeu, ku gjithë bota e përdor, ndërsa kombi ynë për fat të keq e përdor pak. Kam filluar të promovoj në mënyrë profesionale tavolinën e mundjes së dorës së Skënderbeut, ku çdo tavolinë që dhuroj në Hungari e ka emrin tavolina e Skënderbeut me foton e Skënderbeut, duke i thyer duart me çobanin apo të tjerë.

CMG: Për gjithë kontributin tuaj jeni vlerësuar me mjaft medalje dhe dekorata të ndryshme. Si ndjeheni për këto vlerësime?

Avni Hafuzi: Mendoj se vlerësimi im së pari është kur i shoh njerëzit që buzëqeshin në ato momente kur dhuroj diçka. Unë jam i lumtur kur shoh se diku kam kontribuar  dhe personat janë të gëzuar për atë ndihmë që kam dhënë. Normal që jam mirënjohës shumë kur kombi im apo miqtë e mi më vlerësojnë si humanist në ato kushtet modeste që jetojnë në Hungari. Kam shumë mirënjohje nga Hungaria, por që dua të mbes modest dhe mos të them sesa dekorata apo mirënjohje kam. Gjithashtu shtypi hungarez ka shkruar shumë herë për mua. Dëshiroj të përmend dekoratat që kam marrë nga shteti im, ku një dekoratë shtetërore e kam marrë nga Z.Bamir Topi, ish Presidenti ynë i dashur dhe një dekoratë tjerër e kam marrë nga ish Presidenti Ilir Meta. Unë jam shumë i vlerësuar nga vendlindja ime, ku dy presidenta më kanë dekoruar për punë, veprimet apo jetën që kam në Hungari me kombin tim.

Avni Hafuzi ne inagurimin e sheshit Skenderbej ne Hungari

CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Hungari në raste festash kombëtare?

Avni Hafuzi: Diaspora shqiptare në Hungari është një numër i vogël, afro 3000 shqiptarë jetojnë këtu. Kemi bërë organizime të festave kombëtare, si me rastin e 28 nëntorit në ambasadën shqiptare në Budapest, ku gjithmonë ftohemi, këndojmë e festojmë dhe gëzohemi për një festë kombëtare, bashkohemi dhe jemi pak më afër.

CMG: Para pak ditësh keni pritur në familjen tuaj  kozmonautin e njohur hungarez me famë ndërkombëtare Bertalan Farkas. Na tregoni për këtë rast të veçantë

Avni Hafuzi: Unë Z. Farkas e kam mik prej 43 vitesh  dhe 15 vitet e fundit në 2 gusht ditëlindja e tij festohet me miq të përbashkët në shtëpinë time. Rasti i pritjes së fundit ishte fluturimi i 44 vjetorit të kozmonautit hungarez Farkas dhe në orën 8 e 20 minuta të mbrëmjes është festuar tek unë. Ai më kërkoi mua që të hap i pari shampanjën dhe të uroj fluturimin dhe kthimin e tij. Mes gjithë mysafirëve të tij unë kam qenë kryesori që e urova i pari prej të gjithëve që ishin prezent në atë mbrëmje.

CMG: Keni menduar ta sillni për një vizitë në Shqipëri kozmonautin e famshëm hungarez?

Avni Hafuzi: Bashkë me mikun tim Dr. Dashnim Habibin jemi duke përgatitur një organizim në Tiranë. Ai më ka thënë se ka vizituar gjithë botën, por vendlindjen time akoma nuk e ka vizituar. Kështu që jemi në përgatitje të ardhjes së tij në Shqipëri, ku dhe ai me kënaqësi të madhe ka dëshirë sa më shpejt të jetë mysafir i kombit tonë.

CMG: Një mesazh përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Avni Hafuzi: Kam një thirrje për të gjithë bashkëatdhetarët tanë, që të jemi të bashkuar për çështjet madhore të kombit tonë, ashtu siç na e ka lënë amanet Gjergj Kastrioti. Të lemë mënjanë ndarjet dhe inatet, të respektojmë, të nderojmë dhe t’i përulemi me ndjenjë këtyre figurave madhështore të kombit tonë, që edhe kombet më të mëdha do të dëshironin që t’i kishin pjesëtarë të vet. Ata vazhdojnë të ngrejnë lart emrin tonë. Faleminderit për mundësinë që më dhatë në këtë intervistë.

Intervistoi: Gazmend Agaj