Jet, fituesi i vendit të dytë në “X Factor Albania”2024
2024-06-09 18:35:24

Artisti i ri i talentuar, një zbulim i spektaklit ‘X Factor’ Jetmir Kanani me emrin e artit Jet, u shpall fituesi i çmimit të dytë i këtij talent show. Me pasion të spikatur për muzikën që në fëmijëri, Jet ka konkuruar në vitin 2019 në Festivalin “Kënga Magjike”, ku kaloi vetëm fazën e parë në kategorinë ‘New Artist’. Talentin e tij e vuri në dukje gjatë spektaklit ‘X Factor’, ku mes 2000 konkurrentëve, arriti të fitonte zemrat e publikut dhe jurisë, duke u vlerësuar me çmimin e dytë. Në intervistë për Radio Ejani, Jet rrëfen emocionet e këtij spektakli, si dhe të reja.

Jet në spektaklin X-Factor Albania (FOto nga instagrami) - Kopjo

Jet në spektaklin X-Factor Albania (FOto nga instagrami) - Kopjo

CMG: Përshëndetj Jet! Ti quhesh Jetmir, por që nga pjesëmarrja jote në spektaklin ‘X Factor’ je pagëzuar me emrin e artit, Jet. Të pëlqen?

JET: Po, më pëlqen shumë. Këtë emër ma ka gjetur regjisorja Vera Grabocka, të cilën e falenderoj shumë, sepse ka qenë një mbështetje e madhe për mua. Që në audicionet e para e vlerësoi emrin tim, dhe më tha që stili im i të kënduarit ishte shumë i veçantë për Shqipërinë, për skena ndërkombëtare. Dhe kështu më vendosi dhe emrin artistik, Jet.

CMG: Si ndjehesh tani pas “X Factor”, ku je ndarë me çmimin e dytë?

JET: Ndjehem si fitues, sepse të arrish deri në finale është një gjë shumë e madhe. Isha askushi, ja arrita të shkoja deri në finale dhe u bëra dikushi. Kjo ishte diçka shumë e madhe për mua dhe e vlerësoj shumë, gjithashtu edhe TV Klan që më dha këtë mundësi.


Jet & Alis në finale të X-Factor Albania (FOto nga instagrami) - Kopjo

Jet & Alis në finale të X-Factor Albania (FOto nga instagrami) - Kopjo

CMG: Në fund mbetët ti dhe Alis. Ai një djalë mjaft i  talentuar, gjithashtu edhe ti një zbulim i këtij talent show. Të dy me vokale të ndryshme, por të dy shumë të talentuar. Çfarë po mendoje në momentet para ndarjes së çmimit të madh?

JET: Para se të ndahej çmimi kisha ndjesinë se ndoshta do e fitoja unë çmimin e parë, ndërsa po i thoja vetes; “Jet, përgatitu për çdo gjë”. Nga emocionet po ja shtrëngoja dorën trajnerit tim Zerkës.  Ishim të dy shumë të fortë, çfarë kishte Alis nuk e kisha unë, e çfarë kisha unë nuk e  kishte Alis. Ishim të dy shumë ndryshe nga nëri-tjetri dhe në fund fitoi më i miri.

CMG: Në këtë kompeticion, ishit të 16 finalistët mjaft të mirë, gjithsecili me veçantinë e vokalit të tij. Njëri më i mirë se tjetri, sa juria dhe publiku e kishin të vështirë për të vlerësuar më të mirin, mes më të mirëve.

JET: Këtë vit ka qenë shumë e vështirë si garë sepse ka patur shumë talente dhe kisha frikë nëse do e kaloja audicionin, duke parë gjithë ata talentë shumë të mirë.

Jet & Alis  në finale të  X-Factor Albania (FOto nga instagrami) - Kopjo

Jet & Alis  në finale të  X-Factor Albania (FOto nga instagrami) - Kopjo

CMG: Por unë kujtoj përgjigjen tënde në natën e parë kur Alketa të pyeti, se nëse do e kaloje apo jo fazën e parë, përgjigjja jote ishte: “Kam ardhur të shkoj drejt e në finale”. Ke patur siguri brenda vetes?

JET: (Qesh) Unë kam diçka, përpara se të hyj në skenë vetbesimi im është shumë poshtë, por kur hyj në skenë më kap një energji dhe filloj ndryshoj komplet, dhe në këtë moment mund ta kem thënë këtë.

CMG: Kur ka nisur rrugëtimi yt muzikor? A merreshe me muzikë përpara spektaklit “X Factor”?

JET: Unë e kam nisur muzikën që në klasën e tetë, falë mësueses time Shigjeta Tafani, e cila hapi një konkurs në shkollë për talente të e reja. Disa u paraqitën me kërcim, aktrim, e disa me këngë. Unë isha një prej tyre, ku dola në finale me një vajzë, dhe në fund dola fitues. Ishte fitorja ime e parë, e më pas mora pjesë edhe te Kënga Magjike në vitin 2019, ku kalova vetëm fazën e parë. Më pas nuk u angazhova më me muzikën, sepse vazhdova shkollën për mjekësinë  e përgjithshme.

Jet në X-Factor Albania (FOto nga instagrami

Jet në X-Factor Albania (Fito nga instagrami

CMG: Nuk ke patur asnjë angazhim tjetër gjithë këto vite?

JET: Jo, nuk kam patur. Këndoja vetëm në familje, apo në dush.

CMG: Cila ka qenë kënga e parë që ke kënduar?

JET: Ka qenë kënga “Impossible” dhe drejtoresha e adhuronte si këngë. Kur e kam kënduar unë atë këngë, ajo më tha; “Ti ke një zë magjepsës, do arrish majat”. Për çdo festë që kishte shkolla, unë këndoja këtë këngë.

CMG: Ke interpretuar shumë këngë në ‘X Factor’, por për mendimin tim, i qëndronin shumë mirë vokalit tënd këngët e Bob Marley apo  Michael Jackson. Ku e ndjeje veten më mirë?

JET: Unë mendoj se më mirë i rrinë vokalit tim këngët e Michael Jackson. Rryma rrok apo R & B janë rymat që më shkojnë më shumë nga të gjitha.

CMG: Në “X-Factor” ke interpretuar vetëm këngë në gjuhë të huaj, por kur do të këndosh këngë edhe në gjuhën shqipe?

JET: Ndoshta  marr pjesë në ndonjë kompeticion, ndoshta në ‘Kënga Magjike’, shpresoj që të vij momenti që të këndoj edhe unë një këngë në gjuhën shqipe edhe pse në gjuhën angleze e ndjej veten më rehat.

Jet në X-Factor Albania  (Foto instagrami)

Jet në X-Factor Albania  (Foto instagrami)

CMG: Publiku të ka pëlqyer që në fillim të spektaklit dhe thërriste emrin tënd gjatë gjithë kohës. Si e ke ndjerë veten, pasi u  bëre i famshëm?

JET: Me thënë të drejtën në fillim nuk e kam pritur që të kisha kaq shumë impakt tek publiku, ngaqë përpara disa vitesh konkurova në kategorinë e të rinjve në ‘Kënga Magjike’  dhe nuk e  kalova fazën e dytë. Të njëjtën gjë mendova që edhe këtu, që ndoshta mund të kaloja disa faza, e do mbarojë rrugëtimi im në ‘X Factor’. Por ka qenë një emocion i paparë kur unë këndoja dhe dëgjoja dhe publikun që këndonte me mua, ishte një emocion i pashpjegueshëm. Duke punuar me Zerkën dhe me Egzonën, të cilët i përshëndes shumë, ata kanë qenë gjithmonë aty për mua. I vlerësoj shumë si njerëz dhe i jam shumë mirënjohës.

CMG: E prisje famën e menjëhershme?

JET: Me thënë të drejtën jo, sepse jo të gjithë artistët e marrin adhurimin nga publiku, ndaj edhe unë e kisha shumë frikë këtë gjë, mendoja se nuk do më pëlqenin, pasi tek ne vazhdon ende  racizmi, gjykimi dhe mendoja se do vazhdonin përsëri.

CMG: Por në fakt publiku të ka pëlqyer dhe mbështetur që në natën e parë…

JET: Ka qenë vërtetë e papritur për mua.

CMG: Jet, si e sheh të ardhmen, brenda apo jashtë vendit?

JET: Pse jo në Shqipëri, por edhe jashtë, në mënyrë që ta shpalos talentin tim edhe më shumë.

CMG: Ke diçka të re konkretisht?

JET: Ka shumë gjëra të reja në fakt, por për momentin dua t’i le surprizë.

CMG: Do kesh ndonjë bashkëpunim me trajnerin tënd Young Zerka, ose ndonjë nga talentët e “X Factor”?

JET: (Qesh) Edhe mund të ketë, edhe s’mund të ketë.

Jet në X-Factor Albania (FOto nga instagrami)

Jet në X-Factor Albania (Foto nga instagrami)

CMG: Ke përfunduar studimet e larta në Universitetin e Mjekësisë në Prishtinë. Për çfarë dëshiron që të ndjekësh specializimin?

JET: Unë preferoj degën e Neurokirurgjisë, por nuk e prisja që të kisha këtë sukses në “X Factor”. Tashmë jam në mëdyshje, që të nis specializimin , apo të vazhdoj të merrem me muzikën. Për momentin kam vendosur që t’i përkushtohem muzikës sepse më kanë ardhur shumë oferta dhe mund të them se janë oferta mjaft të mëdha dhe nëse gjithçka ecën mirë, do të vazhdoj me muzikën. Nëse nuk eci mirë me muzikën, do vijoj studimet për Neurokirurgji.

CMG: Është e vërtetë që  momentalisht je duke lundruar në ujërat e famës dhe të suksesit, saqë gjithçka e mirë dhe e bukur të pret në vazhdimësi.  Ke lindur dhe jetuar në Tiranë, por prej disa vitesh jeton pranë nënës tënde në Prishtinë. Sakrificat kanë qenë të mëdha për gjyshen  dhe gjyshin tënd, të cilët të kanë rritur. Çfarë do u thoje atyre?

JET: Unë u jam mirënjohës dhe do u jem gjithë jetën time. Ata kanë sakrifikuar kaq shumë për mua deri sot që jam këtu. Familja pasqyrohet tek fëmija dhe gjyshja dhe gjyshi, më kanë bërë ky që jam sot dhe gjithë jetën time do jem në borxh me ata. Kur isha në moshën 7 vjeçare  ka ndodhur ndarja e prindërve të mi  dhe kjo gjë nuk ka ndikuar mirë tek unë, sepse ndarja ndikon gjithmonë tek fëmija. Prej asaj kohe unë kam qenë një fëmijë i mbyllur, nuk dilja, shoqëri nuk kam patur, por kam qenë vetëm një njeri i mësimeve, një fëmijë shumë i urtë dhe pak mund të luaja. Gjyshërit kanë qenë pjesë e jetës time që në fëmijëri dhe deri sa shkova tek mami im në Prishtinë. Më pas fillova të rritesha me mamin, e cila ka qenë prezente, por jo shumë pasi për shkak të punës së saj si këngëtare, ka qenë më së shumti në udhëtime, por aty ku unë kisha nevojë, ajo ka qenë në jetën time. Dua ta falenderoj shumë sespe ajo ka sakrifikuar shumë, ka luftuar shumë derisa unë vijova studimet në fakultet.

Jet X-Factor Albania (Foto nga instagrami)

Jet X-Factor Albania (Foto nga instagrami)

CMG: Kanë investuar shumë, që  të bëheshe ky që je sot.

JET: Po, është e vërtetë që kanë investuar shumë dhe unë jam në borxh me gjyshërit, por edhe me mamanë time, si edhe me dajën tim, i cili vazhdon ende të jetë me mua edhe pas “X-Factor”.

CMG: Reflekton në sytë e tu, dashuria dhe mirësia që gjyshërit dhe e gjithë familja të ka dhuruar.

JET: Çfarë mund të them më tepër, ata janë mirësia vetë.

CMG: Ky është momenti yt, ky është momenti i famës tënde, mundohu ta menaxhosh më së miri dhe të të shohim jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato botërore.

JET: Shumë faleminderit!

Intervistoi: Sava Lena