Gjermania forcon kontrollet kufitare për Euro 2024
2024-06-09 16:53:15

Gjermania ka forcuar kontrollet kufitare për kampionatin e futbollit UEFA Euro 2024, me policinë që tani i lejohet të kryejë kontrolle në të gjithë kufijtë e vendit, njoftoi Ministria e Brendshme, citon “Xinhua”.

foto: VCG

foto: VCG

Lëvizja do të prekë gjithashtu kufijtë e Gjermanisë me Danimarkën, Francën, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun, ku nuk kishte kontrolle deri më tani.

Përveç kësaj, udhëtarët nga zona Shengen mund të kontrollohen edhe në aeroporte dhe porte. Sipas ministrisë, kontrollet do të kryhen në mënyrë fleksibël në varësi të situatës, pasi janë një instrument efektiv për të identifikuar në një fazë të hershme dhe për të parandaluar kriminelët e dhunshëm të udhëtojnë në vend.

Kontrollet e përkohshme kufitare janë njoftuar në nivel të Bashkimit Europian deri më 19 korrik, pesë ditë pas ndeshjes finale në stadiumin Olimpik të Berlinit.

Në fillim të javës, ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, deklaroi se situata në lidhje me sigurinë kibernetike dhe terrorizmin islamik ishte e tensionuar. Megjithatë, sipas saj, nuk ka të dhëna konkrete për sulme të planifikuara gjatë Kampionatit Europian të Futbollit.

foto: VCG

foto: VCG

Të premten e kaluar, një 25-vjeçar nga Afganistani sulmoi me thikë gjashtë persona, përfshirë një oficer policie, i cili më vonë ndërroi jetë nga plagët e tij, në sheshin e tregut të Manheim-it gjatë një ngjarjeje politike.

Edhe para incidentit, vetëm një në tre gjermanë ishin të emocionuar për UEFA Euro 2024. Gati 46 për qind e të anketuarve thanë se ishin neutralë për turneun, sipas një sondazhi nga instituti i kërkimit të tregut “YouGov” në prill.

Megjithëse mbështetja publike për kontrolle më të forta kufitare nuk u anketua, pothuajse gjysma e gjermanëve ishin të shqetësuar se mund të kishte sulme terroriste gjatë Kampionatit Europian të Futbollit. (Irma)