Indrit Cakaj ka studiuar në Universitetin e Arteve në instrumentin e fizarmonikës dhe aktualisht është pedagog në Fakultetin e Muzikës pranë këtij universiteti. Ai rrjedh nga një familje e njohur muzikantësh dhe prej 10 vitesh është pjesë e grupit muzikor “Salabeg Band”, me të cilin merr pjesë në aktivitete muzikore brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për Radio Ejani Indriti tregon për fillimet e tij në muzikë si dhe aktivitetet muzikore.
Indrit Cakaj (Foto personale)
CMG: Si e ke organizuar punën tënde në studion muzikore?
Indrit Cakaj: Unë pjesën më të madhe të ditës e kaloj në studion time, duke u marrrë me përmirësimin e performancave të mia, me krijim dhe prodhim të muzikës, duke përfunduar ndonjë projekt artistik të bukur të produksioneve të grupit tim. Pra është rutina ime gjatë ditës, dhe e kam disiplinë timen të përditëshme.
CMG: Si lindi dëshira për të studiuar instrumentin e fizarmonikës?
Indtrit Cakaj: Fati im i mirë është se vij nga një familje artistësh, ku gjyshi ka qenë instrumentist dhe këngëtar në ansamblin e shtetit që në krijimin e tij. Gjithashtu xhaxhai ka qenë fizarmoniçist dhe dirigjent i ansamblit popullor prej shumë vitesh, por dhe babai im ka qenë muzikant që luante në disa instrumente, si dhe dhe xhahai i vogël ka qenë muzikant. Duke qenë se muzika ishte prezent në familje gjatë gjithë kohës, unë u dashurova me tingujt e saj. Hapat dhe mësimet e para në muzikë i kam marrë nga gjyshi im Lakmi Hasimi, që ka qenë profesori im më i mirë. Pastaj kam vazhduar me kurse në pallatin e pionerëve me profesor Agim Çumanin, i cili më përgatiti për konkursin e shkollës së mesme në Liceun artistik “Jordan Misja”. Aty mbarova shkollën e mesme për degën e fizarmonikës, dhe më vonë studimet në Universitetin e Arteve në degën e fizarmonikës klasike, ku sot jam dhe pedagog i fizarmonikës.
Indrit Cakaj bashke me grupin muzikor (Foto personale)
CMG: Ke ekspozuar disa instrumenta popullorë në studio, që tregojnë dhe trashëgimin e muzikës në familjen tuaj.
Indrit Cakaj: Në studion time kam disa instrumenta popullorë si gajdja, një instrument popullor i zonës së jugut, që është bërë me lëkurë keci. Gjithashtu kam një bilbil, që gjyshi e ka bërë vetë. Gjyshi ka qenë klarinetist dhe saksofonist, por luante në shumë instrumenta të tjerë muzikorë. Gjithashtu dhe xhaxhai im Ladi ka qenë fizarmonisçist, babai im kitarist e lahutier, që i binte dhe fizarmonikës e klarinetës.
CMG: Ti luan vetëm në fizarmonikë, apo edhe në ndonjë instrument tjetër muzikor?
Indrit Cakaj: Unë luaj në fizarmonikë, por dhe me tastierë kur bëjmë muzikë live me grupin muzikor.
CMG: Ke ndonjë idhull në fushën e muzikës dhe të fizarmonikës, që e ke ndjekur gjatë rrugëtimit muzikor?
Indrit Cakaj: Sigurisht që të pasurit e një idhulli në muzikë ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e rrugëtimit tim muzikor. Idhulli im dhe pika ime e referimit që i vogël ka qenë Agim Krajka. Ai ka qenë burim frymëzimi për mua, jo vetëm për talentin e tij të jashtëzakonshëm si fizarmoniçist dhe kompozitor, por sepse ai ka lënë shumë gjurmë në formimin tonë kulturor dhe identitetin tonë muzikor si vend. Duke pasur Agim Krajkën si idhull, jam shumë i privilegjuar që ai ka qenë udhërrëfyesi im në këtë rrugë kaq të bukur të artit.
Indrit Cakaj gjate nje performance (Foto personale)
CMG: Të kanë krahasuar me Krajkën. Si ndjehesh për këtë vlerësim?
Indrit Cakaj: Është një vlerësim shumë i madh për mua, që të krahasohem me një mjeshtër të madh si Agim Krajka. Gjithmonë kam ndjekur rrugën e tij, por jam munduar që në muzikë dhe interpretimet e mia të ndjek një rrugë timen në muzikë, të shprehem me anë të mundësive të mia të veçanta. Kam eksperimentuar gjithomonë në shumë zhanra muzikor, dhe jam munduar që të krijoj një identitet timin në muzikë, për të sjellë një frymë të re në skenën muzikore.
CMG: Cilat kanë qenë produksionet muzikore që ke sjellë për publikun?
Indrit Cakaj: Me anë të krijimtarisë unë gjej mundësi për të shprehur identitetin tim, përvojat personale, emocionet e ndryshme që përjetoj në jetë. Krijimtaria ime muzikore është një përzierje e të gjitha këtyre, duke i shprehur me anë të tingujve muzikor. Krijimtaria ime është shumë e larmishme, ku kam luajtur shumë vepra muzikore, dhe pjesa më e madhe e tyre janë të përpunuara nga unë. Kam sjellë produksione muzikore në muzikën klasike, kontenporane, xhaz, moderne dhe muzikë popullore, por gjithmonë duke e sjellë në një mënyrë më të kohës.
Indrit Cakaj me grupin muzikor (Foto personale)
CMG: Cilën nga trevat muzikore shqiptare lëvron më tepër ?
Indrit Cakaj: Mua më pëlqejnë të gjitha trevat, sepse fizarmonika tingëllon bukur në gjitha trevat. Fizarmonika tingëllon po aq bukur në muzikën qytetare shkodrane.
CMG: Cila nga instrumentalet tuaja popullore është pëlqyer më tepër nga artdashësit?
Indrit Cakaj: Dashamirësit e mi në përgjithësi i kanë pëlqyer të gjitha produksionet e mia muzikore, të muzikës moderne dhe popullore. Nuk mund të veçoj se cila është më e veçanta, sepse të gjitha kanë pasur pëlqimet e veta.
CMG: Përveç punës së përditëshme në studio, ti punon me grupin muzikor si dhe jep mësim në Universitetin e Arteve. Cila nga këto të përmbush më tepër si muzikant?
Indrit Cakaj: Secila ka bukurinë dhe emocionin e vet, por veten e gjej më shumë te muzika live.
Indriti me grupin e tij muzikor (Foto personale)
CMG: Duhet që çdo artist të performojë live sot?
Indrit Cakaj: Megjithëse koha ka ndryshuar pak, sepse rinia është përkushtuar më shumë te playback, mendoj se muzika live është gjëja më e bukur dhe kënaqësia që të jep muzika live nuk e përjeton ndryshe. Kur luan muzikë live ke afër publikun.
CMG: Flasim për grupjn muzikor “Salabeg Band” dhe aktivitetet e tij
Indrit Cakaj: Grupi është një nga pikat më të rëndësishme të jetës time artistike. Prej 10 vitesh jam pjesë e bandit muzikor “Salabeg Band”, grup në të cilin unë jam ngritur akoma më shumë profesionalisht, dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në formimin tim artistik. Jemi një grup që luajmë muzikë ndërkombëtare, ku drejtimi kryesor është muzika qytetare. Kemi shumë aktivitete, si brenda dhe jashtë vendit
CMG: Ke publikuar disa instrumentale të muzikës popullore ballkanike. Të pëlqen ta lëvrosh këtë zhanër muzikor?
Indrit Cakaj: Muzika ballkanike më pëlqen shumë sepse afrohet me muzikën tonë.
CMG: Sa të interesuar janë të rinjtë sot për të mësuar një instrument muzikor?
Indrit Cakaj: Unë shoh që ka përpjekje dhe është një brez i talentuar, ka vullnet dhe i pëlqen muzika. Mendoj se sot janë të gjitha mundësitë për të luajtur muzikë live nëpër amjente dhe gëzime familjare, apo dhe në koncerte. Duhet të kesh talent dhe vullnet, sepse muzika kërkon sakrificë dhe studim.
Indrit Cakaj ne interviste per CMG
CMG: Sa kohë kalon në studio dhe cili është momenti më i mirë që frymëzohesh në krijimtari?
Indrit Cakaj: Pjesën më të madhe të ditës unë e kaloj në studio, sepse është vendi ku ndjehem më mirë gjatë ditës. Merrem me produksionet e mia, përmirësoj performancat e mia, kompozoj dhe krijoj muzikë. Nuk mund ta përcaktoj dot momentin e frymëzimit, por varet nga çasti kur lind ndonjë bulzë për kompozim.
CMG: A është e vështirë për një muzikant ta ruajë të pastër muzikën popullore?
Indrit Cakaj: Mua më pëlqen muzika eksperimentale dhe kam qejf të eksperimentoj muzikën, por deri në atë pikë kur ti nuk e prish muzikën, por ta sjellësh atë më bukur. Shoh që sot kompozitorët e rinj e kanë prishur pak muzikën, duke e përzier muzikën tonë folklorike me linjat e ballkanit. Mendoj që muzika qytetare duhet të mbetet e tillë, dhe muzika folklorike e pastër.
CMG: A je i mendimit që po krijohet më pak muzikë popullore sesa është krijuar vitet e mëparshme?
Indrit Cakaj: Të rinjtë më shumë po kopjojnë njëri-tjetrin, duke sjellë më shumë rryma muzikore nga vendet e huaja, dhe nuk po prodhojnë më muzikë shqip. Kemi më shumë muzikë orientale, arabe, turke dhe greke, pra të huazuara nga vendet e tjera. Janë të paktë kompozitorët që po e ruajnë muzikën tonë të pastër. Siç ka qenë burim frymëzimi Agim Krajka për mua, ashtu synoj dhe unë, që të shërbej si burim frymëzimi për të tjerët në të ardhmen. Duhet t’i japim një shembull të mirë brezave që vijnë.
Indrit Cakaj ne studion e tij muzikore (Foto CMG)
CMG: Ke pasur bashkëpunime me artistë të tjerë në studion tënde?
Indrit Cakaj: Kam patur bashkëpunime, por për momentin më shumë jam marrë me produksionet e mia dhe të grupit tim muzikor “Salabeg Band”.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Indrit Cakaj: Projektet që unë kam nisur janë të shumta, por do të ndalem tek më të rëndësishmet. Projekti i parë me rëndësi të madhe është një recital me grupin dhe kemi filluar punën me orkestracionet dhe përzgjedhjen e materialeve. Projekt tjetër i rëndësishëm është produksioni muzikor në studio, që e kam si sfidë me veten, ku muzika moderne do mbizotërojë, por e sjellë në një formë tjetër. Plan tjetër i imi në të ardhmen është dhe promovimi i talenteve të reja.
Intervistoi: Gazmend Agaj