Arti për mua dhe muzika gjithashtu është një formë e shprehjes të njeriut. Mendoj që vjen në forma të ndryshme dhe nuk mendoj që arti ose muzika kanë diçka gabim ose të drejtë. Mendoj që është i vetmi moment që njeriu nuk e ndjen veten të gjykuar në art dhe kjo është një ndër arsyet se pse mua më pëlqen shumë arti dhe muzika sepse ti mund ta shprehësh veten tënde në çfarëdo forme që ti e ndjen, dhe si të vjen edhe nuk duhet gjykuar për atë gjë.
Muzikën e kam pasur gjatë gjithë fëmijërisë sime. Mendoj që më kanë ndjekur edhe pse nuk vij nga familje muzikantësh, po mendoj që prindërit e mi fillimisht kanë dëgjuar muzikë shumë të bukur edhe ajo gjë më ka influencuar si fëmijë, por pastaj erdhi një pikë që kur i dëgjoja këto këngë thoja edhe unë dua ta kem një këngë timen dhe mundohesha të imitoja në një farë mënyre artistët që i kisha të preferuar në atë kohë dhe kështu lindi kreativiteti dhe dëshira për të krijuar. Gjatë periudhës të krijimit normal që shija ka ndryshuar duke marë sa më shumë kreativitet nga arte të ndryshme, nga artistë të mi të preferuar duke ndikuar nga gjëra të ndryshme në jetë. Kështu nisi gjithçka dhe mendoj që ka qënë pak delikate për mua pjesa e gjuhës sepse unë fillimisht shkruaja në gjuhën angleze, por pastaj kam pasur një profesoreshë Besarta Myrtezani që më ka frymëzuar që të shkruaj prapë shqip dhe prej atëhere e kam parë që të shprehesh në shqip është diçka shumë e bukur edhe është një gjuhë shumë poetike edhe prandaj vazhdova të shkruaja në shqip. Unë gjithmonë them për artistët e mi të preferuar që nuk e kam një të preferuar, por nëse do të zgjidhja jë artist që ka udhëtuar me mua gjatë gjithë kësaj periudhe të jetës time në muzikë është Adele dhe Sam Smith, gjithashtu janë dy artistë që ua di të gjitha muzikat e të gjitha këngët. Dhe e di që sëshpejti do të shkoj te koncerti i Adele, nëse jo këtë vit vitin e ardhshëm edhe do të lë telefonin dhe vetëm do e shijoj atë moment. Mendoj që ka shumë botë edhe ka shumë jetë në atë që bën, në çdo gjë. Nuk e di e ndjej veten shumë të përfshirë në muzikën e saj edhe mendoj që ajo më ka frymëzuar shumë edhe akoma vazhdon e më frymëzon. Përndryshe medoj se ndikohem nga gjëra të ndryshme, nuk ka diçka specifike që unë frymëzohem ose një artist që mua më pëlqen. Por që këta të dy i kam pak më shumë përzemër.
Frymëzimi tek unë vjen shumë në mënyrë të natyrshme dhe nuk mundem ta shpjegoj. Vetëm është një ndjesi që thjesht në atë moment duhet ta nxjerr këngën që përshembull më ka ndodhur me këngën “Moment” e cila fillimisht ka ardhur në studion time muzikore në shtëpi, as nuk është studio, por diçka shumë e vogël, pastaj për një moment më erdhi një vijë melodike edhe mora kitarën, i bëra disa akorde dhe pastaj u zhvillua teksti dhe fjalia e parë që më erdhi ishte: A e mban mend atë moment? Dhe kështu pastaj u zhvillua e gjithë kënga. Nuk mendoj që ka diçka specifike ndoshta thellë brenda më ka prekur diçka, gjëra të ndryshme që ndodhin në jetë por asnjëherë nuk di të them diçka specifike por kur vjen, vetëm vjen edhe gjëja e parë është: e inçizoj këngën në voice recording pastaj i shkruaj Jerisit: “Jeris kam një këngë dhe duhet të vij patjetër sa më shpejtë në studio që ta inçizojmë.” Pastaj i gjithë procesi kryhet në studio ku zhvillohet kënga. Unë krijoj një brumë shumë të vogël pastaj me Jerisin e zhvillojmë dhe e bëjmë shumë më të madhe.
Kënga ime e parë ka qenë anglisht dhe e mbaj mend. Ka qenë e frymëzuar nga një lojë që ishte një patate që duhej ta ushqeje edhe tek loja thuhej “Turn on the light” edhe unë vetëm me erdhi si frymëzim edhe krijova këngën me tekstin: “Turn on the light and let me shine all day...” dhe pastaj prej aty mora kitarën dhe e zhvillova të gjithën si këngë. Normal mbeti një këngë thjesht me kitarë dhe aq, por ishte shumë e çuditshme sepse u frymëzova nga një lojë. Ndoshta sepse isha shumë e vogël nuk kishte se çfarë të më frymëzonte por më pas tek pjesa e produksionit mendoj një këngë që e kam punuar më shumë dhe që i kam dhënë më shumë rëndësi është kënga “Kujtime”. E kam nisur në fillimet e mia kur po mësoja për produksionin tek Muza Akademi, aty e nisa këtë si këngë. Është shumë e veçantë mendoj. Kemi futur shumë elemente interesante kënga, është diçka që e kemi bashkë me profesorin tim Endri Kasmi. Pastaj është edhe kënga “Dritat” që e kam bërë vetëm në dhomën time të gjumit, me aq instrumenta sa kam pasur edhe ajo këngë është pëlqyer shumë nga njerëzit, ndoshta sepse ishte e natyrshme.
Kur vjen pjesa për tek teksti i jap shumë rëndësi sepse dua të përçoj një mesazh tek këngët e mia. Nuk ka një moment që thjesht të shkruaj këngën vetëm se tingëllon bukur ose kjo fjalë shkon me atë fjalë, prandaj jam shumë e natyrshme edhe tek teksti. Kam shumë shumë këngë të papublikuara. Këngë që i kam shijuar shumë dhe nuk e kam pasur momentin për ti publikuar. Është një temë pak delikate pak tek kjo pjesa sepse nëse e rikthej një këngë të vjetër nuk do e ndjej ashtu siç e kam ndjerë atëherë. Mendoj që kjo është pjesa pak më e vështirë për të rikthyer këngët që unë i mbaj diku fshehur në sirtarë por ka ndodhur tani veçanërisht kënga e tretë mendoj që do të jetë e ardhshme, është një ndër këngët e vjetra edhe rastësisht duke parë në lap top se çfarë kisha, e dëgjova këtë, më pëlqeu edhe më dha prap atë ndjesinë e njëjtë siç ma kishte dhënë në atë kohë, duke i shtuar diçka edhe më të re dhe e zhvilluam edhe më shumë bashkë me Jerisin në produksion kështu që prapë janë aty por mendoj që në kohë të ndryshme vijnë me ndjesi të ndryshme.
Në tregun muzikor është shumë e vështirë të jesh vetvetja sot, sepse muzika është bërë vetëm për t’u dëgjuar edhe jo për ta shijuar të gjithë procesin edhe për ta kuptuar realisht një artist dhe për t’ja kuptuar botën. Për mua ndoshta nuk ka qenë shumë e vështirë të mos jem vetja sepse kjo është gjëja e vetme që di ta bëj shumë më mirë dhe nuk di të jem ndryshe dhe kam qëndruar vetvetja sepse nuk e kam bërë që kënga të bëhet hit. Unë thjesht e kam artin si një formë që unë shprehem edhe unë ndjehem mirë aty dhe kjo ka qenë një ndër arsyet që unë kam qëndruar gjithmonë vetvetja. Edhe pse jam munduar me këngët e fundit jam përshtatur, i kam bërë pak më ritmike, që ndoshta janë pak jashtë natyrës sime, e kam sfiduar dhe eksperimentuar veten time. Por gjithmonë në çdo këngë timen e kam një element, dhe ai element është Besa dhe ajo do të ngelet gjithmonë ashtu. Po ndryshova ndonjë ditë nuk e di. Ndoshta mund të ndryshoj nuk e di dhe pastaj do e shikojmë këtë intervistë. Por nuk e besoj. Është diçka e vështirë që unë të dal nga natyra ime.
Unë veten time në të ardhmen veçanërisht në muzikë e shikoj më shumë tek teknologjia sepse që e vogël jam marë edhe me teknologji edhe me muzikë. Fillimisht mendoja që muzikën e kam pasion dhe që nuk do të merresha gjithmonë me muzikë, nuk e mendoja kurrë që do të bëja këtë intervistë që po bëj tani, pikërisht për muzikën, sepse fokusin e kisha tek teknologjia. Por pastaj gjatë rrugës gjërat ndryshuan edhe mendoj që thellë ne veten time jam njeri shumë shpirtëror edhe muzika ma mbush atë pjesë më shumë, por në të ardhmen shoh veten në një bashkim të teknologjisë edhe të muzikës. Të paktën ky është synimi im. Edhe zhvillimi në atë fushë sepse unë e mendoj që teknologjia do të marë në dorë gjithçka, tanimë ka marë gjithçka në dorë, por ne mund që të mësojmë sa më parë për të dhe ta përdorim në të mirën tonë që ta sjellim artin në forma të ndryshme dhe në ato bllokime që mund të kemi.
Mendoj se këshilla më e bukur që më kanë dhënë është nga profesori im Edi Balili. Ka qenë një moment që unë isha pak me nerva dhe thoja pse është muzika këtu kështu? Pse gjërat janë kështu, ku askush nuk të ndihmon? Mendoj që ai më dha një përgjigje shumë të bukur edhe unë gjithmonë e rikujtoj këtë si moment, si këshillë sepse ishte shumë e vërtetë. Po thoja për një këngëtar, që nuk dua t’ja përmend emrin edhe thashë: Pse nuk më ndimon? Ose të bëjmë një bashkëpunim. Dhe më tha: Besa, po përse duhet të të ndihmojë? Çfarë përfitimi ka ai prej teje? Edhe unë një moment u ndala. Ai vazhdoi: edhe ti i do gjërat shumë shpejt. Prit, ke kohë. Duhet gradualisht të arrish aty ku do ti. Sepse nëse ai do të të ndihmojë ti do fillosh t’ia marësh reklamat, koncertet etj. Ti gradualisht duhet të arrish në atë shkallë që edhe bashkëpunimi të jetë në të njëjtin nivel bashkë me atë këngëtar ose këngëtare. Dhe mendoj që ishte një këshillë shumë e bukur sepse ndonjëherë kur mendon se dikush të ndihmon në fakt të bën keq. Disa gjëra duhet t’i përjetosh vetëm, në disa gjëra duhet të rrëzohesh edhe të çohesh prap vetëm. Mendoj se ashtu e krijon më shumë veten tënde si njëri fillimisht por edhe si artist.
Besës së vogël do t’i thoja se çdo gjë realizohet. Çdo gjë është e mundur. Çdo gjë do kohën e vet. Duhet të vazhdosh të jesh vetvetja gjithmonë. Është në rregull të jesh ashtu siç ti je edhe t’i bësh gjërat në mënyrën tënde sepse gjithmonë do të gjesh rrugën me mënyrën tënde edhe mos mendo se muzika është qëllimi yt i jetës. Muzika është një eksperiencë që po e shijon në jetën tënde, por nuk është gjithçka. E di që unë e ndjej si gjithçka po në thelb ka shumë vlera të tjera si shpirt edhe mundohu ta shesësh veten si shpirt dhe jo si diçka tjetër. Mendoj që do ja rikujtoja këtë që në fund të ditës je një shpirt në formë njeriu.