Rejna Koçi (Fituese e çmimit të parë në Festivalin e Shkodres ne kategorinë e fëmijëve 6-9 vjeç)
E ftuar Aurela Gaçe me vajzat e saj (Foto nga instagrami)
Edicioni i 62-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve nisi më 30 maj dhe nata finale u shfaq më 1 qershor, Ditën e fëmijëve në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Kjo garë muzikore u prit me shumë gëzim nga fëmijët dhe nga autorët e teksteve dhe kompozitorët e këngëve për fëmijë. Në natën finale garuan 23 këngë, të ndara në dy kategori, ku fëmijët u vlerësuan me 3 çmime për kategorinë e fëmijëve të moshës 6-9 vjeç, si dhe 3 çmime për kategorinë e fëmijëve nga 10-14 vjeç. Fituese e çmimit të parë për kategorinë e moshës 6-9 vjeç u shpall kënga “Dashuri sjell në këtë botë” me tekst nga Isea Çili dhe kompozim nga Sajmir Çili, interpretuar nga Rejna Koçi. Ndërsa fituesja e çmimit të parë për kategorinë e fëmijëve më të rritur, e fitoi kënga “Sytë e saj” me tekst nga Eriona Rushiti, kompozim nga Enis Mullaj, interpretuar nga Ameis Demiraj.
Në intervistë për Radio Ejani, ka shprehur emocionet e saj pas fitores së çmimit të parë këngëtarja Rejna Koçi. Për të arritur deri tek kjo fitore, këngëtarja Rejna Koçi ka punuar fort me mësuesen e saj të kantos, mjaft të përshkushtuar dhe të palodhur me fëmijët Alma Strazimiri.
CMG: Sapo ka përfunduar festivali i 62- i Festivalit Mbarëkombëtar në Shkodër, dhe fitove çmimin e parë në kategorinë e fëmijëve 6-9 vjeç. Si u ndjeve pasi dëgjove emrin tënd se ishe fituesja?
Rejna Koçi: Shumë e lumtur kur dëgjova emrin tim. E gjithë salla duartrokiste e unë nuk i mbaja dot lotët.
CMG: E prisje këtë fitore në këtë festival kaq të rëndësishëm mbarëkombëtar për fëmijë, që këtë vit shënoi edicionin e tij 62-të?
Rejna Koçi: Gara ishte shumë e fortë dhe unë nuk e prisja çmimin e parë. Është fillim shumë i bukur për mua. Jam e lumtur që këtë fitore e arrita pikërisht në këtë festival, që do lumturonte çdo fëmijë.
CMG: Si erdhi bashkëpunimi me autorët e këngës, për çfarë flet kënga, cili është mesazhi i saj?
Rejna Koçi: Kënga është kompozuar nga Sajmir Çili dhe tekstin e ka shkruar vajza e tij Isea Çili. Që në fillim kam kërkuar një këngë që të përcjellë një mesazh, dashurie në të gjithë botën. Nënat sjellin gjithmonë dashuri.
CMG: Kujt ia dedikon këtë fitore?
Rejna Koçi: Këtë fitore ia dedikoj gjithë nënave, familjes time, në veçanti mamit e babit që më kanë mbështetur shumë. Kompozitorit Sajmir Çili, si dhe mësueses time Alma Strazimiri, të cilën e dua shumë sepse më ka mbështetur gjithmonë.
CMG: Cili ishte urimi më i bukur që more këtë herë?
Rejna Koçi: Urime mora shumë, por urimi më i bukur ishte që të shihja familjen time, të cilit u bënë shumë krenar për mua.
CMG: A zure shoqëri të re në këtë festival me fëmijët e tjerë pjesëmarrës? Cili ishte urimi i tyre?
Rejna Koçi: Po, unë zura shoqëri në këtë festival sepse ndenjëm katër ditë së bashku dhe kur unë fitova, të githë më kanë uruar.
Ameis Demiraj Fituese e kategorise se femijeve 10-14 vjeç (Foto nga instagrami)
Ndërsa këngëtarja tjetër fituese e çmimit të parë në kategorinë e fëmijëve të moshës 10- 14 vjeç Ameis Demiraj, është shprehur e emocionuar pas fitores së çmimit të parë për këtë kategori: “Ndjehem shumë e emocionuar pasi fitova dhe çmimin si “Interpretuesja më e mirë” dhe nuk e prisja që të fitoja dhe çmimin e parë, gjë që më surprizoi pa masë. Jam shumë e lumtur dhe jam shumë mirënjohëse ndaj të gjithëve që më kanë suportuar”.
-Një tjetër konkurent i këtij festivali ishte dhe këngëtari Etnik Balidemaj, 11 vjeçari nga Plavë-Guci e Malit të Zi. Ai jeton në Tiranë dhe studion në shkollën ‘Wilson’. Etniku merret me muzikë që në moshën 7 vjeçare.
Ai është shprehur për Radio Ejani rreth pjesëmarrjes së tij në këtë festival.
CMG: Përshëndetje Etnik! Na trego për veten dhe pjesëmarrjen tënde në këtë festival?
Etnik Balidemaj: Unë quhem Etnik dhe jam 11 vjeç, kam lindur në Plavë-Guci dhe jetoj në Tiranë, ku ndjek mësimet dhe aktivitetet jashtë shkollore, për kanto dhe pikturë. Kënga me të cilën mora pjesë në këtë festival mban titullin “Atje do bëhem burrë”. Teksti i kësaj kënge ka të bëjë me jetën time personale. Për arsye personale jam larguar nga vendlindja ime që i vogël. Kur të rritem e të bëhem burrë do kontribuoj për vendin tim, sepse e dua shumë. Me idenë e mamit tim tekstin e shkroi Eriona Rushiti, ndërsa kompozimin dhe orkestrimin e bëri Endrit Shani. Është një këngë që e këndoj me shumë dëshirë dhe çdoherë emocionohem shumë.
CMG: Për ty kjo ishte pjesëmarrja e parë në Festivalin e Shkodrës?
Etnik Balidemaj: Jo nuk ka qenë pjesëmarrja e parë, pasi kam qenë edhe dy vite më parë në edionin e 60-të, ku këndova këngën “Fluturimi i dallëndyshes”. Gjithashtu kam marrë pjesë në shumë festivale të tjera ku jam vlerësuar edhe me çmime.
CMG: Sa kohe ke që merresh me muzikë e pikturë?
Etnik Balidemaj: Unë me muzikë e pikturë merrem që në moshën 7 vjeçare, madje kam disa këngë të miat që kam interpretuar në festivale të ndryshme për fëmijë.
CMG: Cila është ëndrra jote më e madhe?
Etnik Balidemaj: Unë ëndërroj që të bëhem këngëtar, por edhe piktor. Gjithashtu kam edhe një pasion shumë të madh që të merrem me trajnimin e qenve, dhe mendoj që të bëhem pse jo edhe trajner i qenve. Në kohën time të lirë unë pikturoj, e më së shumti pikturoj kafshë dhe natyrën sepse këto më pëlqejnë më shumë.
Etnik Balidemaj (Foto personale)
Dorian Kurila (Foto nga instagrami)
-Artistja Eriona Rushiti e ka pasuruar fonotekën e muzikës shqiptare, si me këngë për të rritur ashtu edhe për fëmijë. Ajo njihet tashmë si tekstshkruese dhe kompozitorja e çmimeve dhe më e suksesshmja e momentit. Ka fituar shumë çmime të para si në festivale për fëmijë gjithashtu edhe në festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, madje ka qenë disa herë edhe përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovizion. Në këtë festival ajo u vlerësua me çmimin e parë me tekstin e këngës “Sytë e saj” në bashkëpunim me Enis Mullaj, por gjithashtu Eriona realizoi edhe të tjera këngë pjesëmarrëse, të cilat edhe pse nuk u vlerësuan, do mbeten ndër këngët më të bukura të këtij festivali. E tillë është edhe kënga që mban titullin “Do”, të cilën e interpretoi këngëtari Dorian Kurila.
Doriani është shrehur për Radio Ejani rreth pjesëmarrjes së tij në këtë festival.
CMG: Flasim për këngën tënde dhe pjesëmarrjen në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër
Dorian Kurila: Unë quhem Dorian, jam 11 vjeç nga Tirana. Kënga ime mban titulli “Do”, tekstin e ka shkruar Eriona Rushiti dhe muzikën gjithashtu, ndërsa orkestrimin e ka realizuar Enis Mullaj.
CMG: Si ishte ky festival për ty?
Dorian Kurila: Ishte festival mjaft i bukur, por unë e mora me pak emocione.
CMG: Kjo ishte pjesëmarrja jote e parë?
Dorian Kurila: Po, ishte hera e parë që merrja pjesë aty.
CMG: Dëshiron që të marrësh pjesë sërish vitin e ardhshëm?
Dorian Kurila: Po, me shumë kënaqësi.
CMG: Sa kohë ke që merresh me muzikë?
Dorian Kurila: Me muzikë kam rreth 6 vite e gjysmë që mësoj për violinë dhe 3 vite e gjysmë mësoj kanto.
-Nata finale e Festivalit të 62-të Mbarëkombëtar të Fëmijëve ka ngjallur shumë emocione në qytetin e Shkodrës, e cila ka mikpritur fëmijët e talentuar nga të gjitha trevat shqipfolëse. Ky festival ka nxjerrë ndër vite këngëtar, të cilët më pas janë bërë emra të njohur të skenës muzikore, duke lënë gjurmë në ecurinë e artit në Shqipëri. Një emocion mjaft të bukur përcolli edhe artistja Aurela Gaçe, e cila së bashku me vajzat e saj solli pas 41 vitesh këngën ”Do bëhem makiniste” që e ka interpretuar në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër në vitin 1983.
Në këtë festival nuk munguan edhe të ftuar të tjerë si: Rosela Gjylbegu, Elhaida Dani dhe Alis Kallaçi. Në festivalin Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër prej tre vitesh akordohet edhe çmimi “Kujtim Alija”, që në këtë edicion shkoi për mjeshtrat e korit: Bardhyl Hysa, Arben Jubani dhe Leonora Luca. Kori i fëmijëve këtë vit numëronte 106 fëmijë, i konsideruar si numri më i lartë i korit të fëmijëve pas viteve ’90-të. Juria përzgjodhi dy këngë fituese sipas kategorive respektive të ndara në grupmosha, nga 6-9 vjeç si dhe për fëmijët më të rritur 10-14 vjeç.
Intervistoi: Sava Lena