Dinamika e integrimit të Shqipërisë në BE
2024-06-07 16:06:55

Që prej fillimit të procesit të anëtarësimit Shqipëria ka bërë hapa përpara për përmbushjen e secilit prej tyre, por nga ana tjetër një sërë fushash kyçe mbeten ende për t’u përmbushur, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kriteret politike, shtetin e së drejtës, sistemin zgjedhor, reformën në drejtësi dhe administratën publike, luftën  kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.  Si ka qenë performanca e Shqipërisë në procesin e gjatë të integrimit në BE?

Dr.Zemaida Kastrati në intervistë për CMG

Dr.Zemaida Kastrati në intervistë për CMG

Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Zemaida Kastrati  Mozali  Doktore  e Shkencave  Politike, master në studime europiane,  autore e librit “Integrimi Europian, probleme dhe perspektiva”, analizon procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

CMG: Cila eshte arsyeja qe ju e trajtoni prej vitesh BE dhe integrimin?

Dr.Zemaida Kastrati Mozali: Kjo pyetje më kthen pas në vite qëkur kam bërë aplikimin e pare për master për studime europiane, në vitin 1999, kohë kur ishte në proces Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, i cili në atë kohë kishte tre tryeza. Tryeza e pare kishte lidhje me demokratizimin dhe shef i saj ishte Panajotis Rumejotis, të cilin pata fat ta takoj në Tiranë dhe që atëherë isha e lidhur me zyrën e Paktit të Stabilitetit. Mundësia që ofrohej për studentët në atë kohë ishte masteri për studime europiane. Provova dhe nuk ishte aspak e thjeshtë sepse një shqiptare bashkë me studentë të tjerë europianë u bë pjesë e këtij programi mjaft interesant. Pasi  u diplomova me Master Europian të akredituar nga  Capodistrian University of Athens u ktheva në Shqipëri dhe vendosa që njohuritë që kisha marrë atje t’i transmetoja.

CMG: Në atë periudhë në Shqipëri nuk ka patur një terren shumë të populluar me ekspertë të këtij profili

Zemaida Kastrati Mozali: Sinqerisht fjala “Master në Studime Europiane” tingëllonte disi çuditshëm, ndërsa sot është krejt tjetër. Ideja që unë kisha marrë aq shumë njohuri dhe kapacitet ishte që do t’ua transmetoja audiencave të ndryshme. Nga ai moment e deri më sot e ndjej veten misionare për të shpërndarë këtë informacion, pasi e shoh se popullata ka nevojë për informacion.

Që në vitin 1991 Shqipëria ka nënshkruar dhe ka hyrë në fuqi në 1992 Marrëveshjen e pare të Bashkëpunimit Ekonomik dhe të Tregtisë së Lirë me Bashkimin Europian.

CMG: Nisur nga eksperienca juaj në këtë fushë le të ndalemi tek fazat e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE kalon nëpër disa faza: 2009 shteti shqiptar dorëzoi kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE; më 2010 Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi heqjen e vizave me Shqipërinë; 2014 Këshilli i Ministrave i BE-së miratoi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë dhe më 2020 Këshilli i Europës miratoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Cila është procedura që një vend duhet të kalojë per t'u anëtarësuar në BE?

Zemaida Kastrati Mozali:Do të filloja me kriteret e Kopenhagës, të përcaktuara në 1993 për të cilat mendoj se nuk ka aq njohuri, informacion apo qartësi. Janë 3 kritere, ku i pari është kriteri politik, demokracia sa funksionale është në të gjitha nivelet. Kriteri i dytë është kriteri ekonomik, ekonomia e lire e tregut dhe kriteri i tretë ka të bëjë me aftësitë administrative dhe të plotësimit të të ashtuquajturit “ acquis communautaire”,që do të thotë korniza ligjore e BE-së. Sa jemi në gjendje ne apo ndonjë vend tjetër të marrë përsipër kriteret e anëtarësimit dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së. Kjo është e shkruar që në fillim të krijimit të Komunitetit Ekonomik Europian që çdo vend i cili aplikon për t’u bërë anëtar i këtij komuniteti asokohe, i cili më pas mori emrin Bashkimi Europian në vitin 1992. Komuniteti u pagëzua me këtë emër në Mastricht dhe mundësia për çdo vend që plotësonte kriterin gjeografik, por dhe disa kritere të tjera, mund të bëhej anëtar i Bashkimit Europian.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kemi disa periudha nëpër të cilat kaloi Shqipëria. Pas viteve 90-të Shqipëria ishte pjesë e së ashtuquajturës Europa Juglindore, ku bënte pjesë dhe ish-Jugosllavia dhe nga kjo Shqipëria hyri e para në raport kontraktual me BE-në. Ndërkohë deri në vitin 1999 kur lindi Procesi i Stabilizim Asocimit nënshkruheshin marrëveshjet europiane të asocimit.

Në atë kohë ndodhi Lufta e  Kosovës, që e detyroi BE-në të ndërmarrë një qasje të re që ishte që përpara se të asociohej një vend duhet të stabilizohej. Kështu u krijua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, pjesë e së cilës u bë edhe Shqipëria.  Ndërkohë disa vende u bënë pjesë e BE-së dhe nënshkruan marrëveshjet e asocimit ku bëjnë pjesë ato që quhen “Big Bang” pse “10+1” , por Shqipëria nuk ishte pjesë e saj dhe u fut në një grup të dytë .

Sot Shqipëria është pjesë e të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor dhe janë haput negociatat, që nuk janë të lehta për t’u sqaruar, prandaj insistoj që duhet të shtjellohen këto procese për popullatën.

CMG: Kjo është e domosdoshme sepse ne si popull kemi pritur me dëshirë të madhe këtë integrim dhe kjo u tregua pas 2010 kur u hoqën vizat dhe u shtuan ndjeshëm daljet jashtë vendit të shqiptarëve. Një motiv i rëndësishëm për këtë ishte emigracioni, sepse shumë familje shqiptare për shkak të vizave prej vitesh nuk kishin pare fëmijët e tyre emigrantë. Sa i përket kritereve të anëtarësimit në BE nuk është vetëm detyrë e qeverisë, por dhe sipërmarrja shqiptare duhet të jetë e informuar për plotësimin e kritereve. Në cilin nivel të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit ndodhet Shqipëria?

Dr. Zemaida Kastrati Mozali: Ne nuk kemi thjeshtë anëtarësimin, por kemi procesin e përgatitjes të standardizimit, të kualifikimit për ta merituar që të bëhemi pjesë e kësaj familjeje europiane. Ideja është që nuk është as prone ekskluzive, as meritë e asnjë qeverie ky process, por mbarë populli duhet të jetë pjesë e këtij procesi. Në mënyrë që populli të jetë aktor dhe faktor i këtij procesi i duhet bërë e qartë që Bashkimi Europian është ky organizëm kompleks dhe kërkon këto “detyra shtëpie”. Nuk është ai që të zgjidh problemet  brenda një nate, por ka aq shumë detyrime sa kujtoj një studiues, i cili thoshte “ Sa më shumë të jeni koshient në lidhje me atë që kërkon BE, aq më pak do të këtkojmë të futemi në këtë organizëm”, sepse detyrat nuk janë aspak të thjeshta.

Foto:VCG

Foto:VCG

Prandaj mendoj që secili duhet të kontribuojë nga pozicioni i vet. Meqënëse në vitin 2022 u realizua Konferenca e pare Ndërqeveritare, për të cilën kishte vite që përgatiteshim, sepse shënonte hapjen zyrtare të negociatave. Ku konsistojnë këto negociata? Në një krah kemi Europën dhe në tjetrin është vendi kandidat. Në rastin konkret është Shqipëria dhe është e rëndësishme që vendi të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, duke i bërë të qartë Europës se i ke marrë përsipër detyrimet dhe je gati në të gjitha pikëpamjet administrative, teknike, politike dhe ekonomike.

Janë 35 kapituj negociatash nga të cilat 33 kanë lidhje me Shqipërinë. Në këto negociata vendosen përballë BE-ja dhe përfaqësuesit e delegacionit shqiptar, në varësi të kapitujve, të cilët kanë lidhje me të gjitha fushat, duke mbuluar nga lëvizja e lire e njerëzve, mallrave, tregtia, energjia, arsimi, shkenca, edukimi, bujqësia etj.

I pari proces i bisedimeve ka të bëjë me atë që quhet  “screening of acquis”, ose procesi shqyrtues dhe mund të kalojnë dhe 9 ditë në varësi të volumit të kapitullit ku vendi kandidat sqarohet nga ekspertët e BE-së në lidhje me atë që kërkohet në kapitullin përkatës. Gjithashtu ekziston një bazë e përbashkët mbi të cilën ndërtohen bisedimet dhe duhet të hartohen pozicionet negociuese, pra është një proces i vështirë dhe delikat. Këto pozicione hartohen nga të dy krahët dhe nga vendi kandidat duhet të marrin pjesë të gjithë aktorët e përfshirë, jo thjesht institucionet.

Unë insistoj që pjesë duhet të jetë dhe shoqëria civile, ndërsa nga ana tjetër pozicioni negociues i BE-së kalon nëpër disa etapa dhe miratohet nga të gjitha vendet anëtare, deri sa ato të japin miratimin për hapjen e bisedimeve. Pas fillimit të bisedimeve vendi përkatës duhet të prezantojë arritjet, të cilat janë të matshme dhe të verifikueshme.

Ndërkohë në 2019 presidenti francez Macron prezantoi të ashtuquajturën “Metodologji e re”, e cila u miratua në vitin 2020. Kjo metodologji e bëri më të sofistikuar dhe më kërkuese rrugën dhe procedurën e anëtarësimit. Një pike delicate e procedures është se ajo është “ e kthyeshme”, që do të thotë se nëse një vend nuk ka plotësuar kriteret mund të kthehet procesi nga e para.

CMG: Në fillim të majit me rastin e Ditës së Europës, kryeministri Rama tha se “kjo ditë e gjen Shqipërinë më afër se kurrë ëndrrës së vjetër shqiptare për anëtarësim në BE”. Ndërsa ministri i jashtëm Hasani u shpreh se” Integrimi europian mbetet detyrim i madh moral i yni ndaj brezave të rinj”. Kryenegociatorja dhe ministrja e Shtetit, Majlinda Dhuka nënvizoi se  “Shqipëria po punon për përmbushjen e kritereve për anëtarësim deri në vitin 2030”. A ka vend për parashikim datash për anëtarësimin europian të Shqipërisë?

Dr. Zemaida Kastrati Mozali: Nuk është aspak e thjeshtë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Por është një datë shpresëplotë dhe ne si shqiptarë kemi nevojë që të kemi data të caktuara për të ruajtur tempizmin. Kujtoj një shprehje të Angela Merkel përpara se të mbyllte misionin e saj, gjatë vizitës në Shqipëri bëri deklaratën “ Ne i duam ata si shqiptarë në Bashkimin Europian”. Patjetër që ka probleme dhe mjafton të përmendim sundimin e ligjit, median, gjyqësorin, por Europa duhet të konsiderojë përpjekjet e bëra deri tani dhe të mos vijë me detyra të reja, kërkesa dhe kritere të reja, të cilat burojnë dhe nga problemet e brendshme të Bashkimit Europian.

Europa duhet të jetë e vëmendshme në raport me përpjekjet shumëvjeçare të shteteve siç është dhe Shqipëria. Funksionari i lartë i BE-së Charles Michel më 1 maj të këtij viti gjatë ceremonisë së 20 vjetorit të zgjerimit të fundit të Unionit, përmendi datën 2030 për t’i dhënë shteteve të rajonit një shpresë se ka një datë të caktuar për anëtarësim. Kjo varet nga vullneti dhe dashamirësia, por dhe problemet e BE-së, të cilat mund të konsiderohen si ekzistenciale. Nga ana tjetër varet dhe nga përpjekjet e vetë vendit kandidat. Ne shpesh përmendim reformat, por a jemi duke i zbatuar ato?

Foto:VCG

Foto:VCG

Secili vend duhet të jetë i qartë se kalon etapat, negociatat, i harmonizon ligjet e vendit me të BE-së dhe i zbaton këto ligje. Në këtë mënyrë ti jep një pasqyrë të gjendjes së vendit përkatës duke iu përgjigjur BE-së.

Demokracia jonë është e brishtë, ekonomia jonë po ashtu ndaj nuk mund të themi që kemi bërë tranzicionin dhe kemi arritur në një finale të suksesshme, prandaj duhen përpjekje për të rritur standardet, duke iu përgjigjur kritereve të BE-së. Këto me mbylljen e negociatave prezantohen dhe futen në traktatin e anëtarësimit, i cili nëpërmjet procedurave të BE-së, ku kemi Komisionin Europian si iniciator, Këshilli Europian me drejtues Charles Michel si organi më i lartë politik, Këshilli i Bashkimit Europian. I gjithë ky mekanizëm funksionon dhe traktati i anëtarësimit kalon në të gjitha shtetet anëtare për t’u miratuar, pastaj një vend bëhet anëtar i BE-së.

Kjo kërkon kohën e vet por unë uroj dhe shpresoj që 2030 të jetë viti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria është një rast unik ku në vazhdimësi barometri ka treguar euro-optimizëm dhe nuk jemi prekur nga e ashtuquajtura “european fatigue” si disa shtete të tjera që janë lodhur nga pritja. Ndaj duhet respektuar dhe optimizmi dhe europianizmi i shqiptarëve duke u marrë në konsideratë nga Europa. Lexova para disa ditësh se BE-ja është në prag të dy valëve të zgjerimit, e para me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe me tre vende të tjera, përfshirë Ukrainën, madje një funksionar i lartë është shprehur se “Ukrainës i duhet prerë bileta e trenit ekspres”. Të mos harrojmë se për vetë  BE-në është jashtëzakonisht e vështirë të përthithë 9 anëtarë të rinj, sepse kështu duhet të ketë bërë një reformim të jashtëzakonshëm. Jemi para zgjedhjeve parlamentare europiane nga 6-9 qershor dhe vetë Europa ndodhet në një moment të jashtëzakonshëm, i cili kërkon mobilizim, reflektim dhe reagim që vetë Europa të jetë në gjendje të na pranojë dhe nga ana tjetër të jemi ne ata që e meritojmë anëtarësimin në Europë.

Intervistoi Eda Merepeza