Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, me biletat më të lira në botë?
2024-06-07 11:47:59

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit (Foto TIA)

Fluksi i udhëtarëve në Aeroportin e Rinasit (Foto Albanian Construction Portal)

Agjencia e fluturimeve Ryanair (Foto katror.info)

Sipas gazetës së mirënjohur italiane “Corriere della Sera”, në një shkrim të saj të datës 24 maj 2024, me titull :”Biletat me kosto të ulët: sfida Rayan Air-Wizz Air me goditje skontosh në Shqipëri” Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka kaq shumë udhëtarë që vijnë dhe nisen javët e fundit, saqë struktura tashmë është e ngopur dhe për këtë arsye po punohet për zgjerimin e saj.

Kjo nuk është rastësi. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë (në anglisht, Airports Council International Europe) dhe platformës së specializuar të të dhënave të trafikut ajror civil ndërkombëtar Cirium, në periudhën janar-prill 2024, Aeroporti Ndërkombëtar Rinasi përfaqësonte aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë, me mbi 200 përqind të pasagjerëve, krahasuar me vitin 2019,.

Kjo ka ardhur, falë bumit të flukseve turistike në Shqipëri, që bëri që të shfaqen disa linja ajrore me kosto të ulët në vitet e fundit. Dhe këtu, arsyeja kryesore qëndron në betejën e paprecedentë mes dy kompanive lider në Evropë për fluturimet me kosto të ulët, Ryanair dhe Wizz Air, me tarifa aq të ulta, sa që e bëjnë Shqipërinë vendin me biletat më të lira ajrore në botë.

Në fund të dhjetorit 2023, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit rregjistroi shifrën rekord të 7.2 milionë pasagjerëve.  Krahasuar me vitin 2022, Rinasi ka pritur e përcjellë 35 përqind më shumë udhëtarë. Më shumë se një të tretën!

Shtimi i pikave elektronike të kontrollit kufitar në aeroport, zgjerimi i parkingut të avionëve, shtimi i hapësirës pritëse të pasagjerëve me 3 mijë e 500 metra katrorë ishin ndër pikat kyçe të investimit mbi 100 milionë euro të kryer në vitet e fundit në Rinas.

Nëse në vitin 2018, nga Rinasi niseshin vetëm vetëm 16 fluturime në ditë, sot ka mesatarisht 78 të tilla. Ka ditë që ka edhe 100 fluturime në 24 orë.

Prania e këtyre dy kompanive që fluturojnë me çmime të ulura ka sjellë jo vetëm parkimin e përhershëm të avionëve të tyre në hangarët e Rinasit, jo vetëm rritjen e fortë të vizitorëve të huaj tek ne, por edhe vizitat e shpeshta të qytetarëve tanë jashtë vendit.

Për fluturimet në Rinas dhe nga Rinasi, janë në dispozicion këtë vit mbi 14.7 milionë bileta. Edhe pse ende nga INSTAT nuk kemi shifrën se sa realisht jemi që banojmë në truallin tonë, me siguri i bie që një qytetar banues në Shqipëri të ketë udhëtuar më shumë se njëherë jashtë vendit përmes Rinasit.

Kjo ka ndodhur, ngaqë kosto mesatare e një bilete udhëtimi në Rinas është ulur me 87 përqind në pesë vitet e fundit. Nëse, përmes Rinasit, deri pesë vite më parë, udhëtonin vetëm 7 përqind e shqiptarëve të Shqipërisë, për shkak të çmimeve të shtrenjta, sot Rinasin e përdorin tre në shtatë shqiptarë të vendit, ose mbi 38 përqind e tyre, ose pesë herë më shumë qytetarë shqiptarë.

Çmimet e ulura të fluturimeve na kanë krijuar mundësi të gjithëve të udhëtojmë përmes Rinasit, për të parë të afërmit tanë emigrantë, miq jashtë vendit, ose për të udhëtuar për të njohur vende të tjera.

Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të nisë fluturimet në muajin mars të vitit 2025. Aeroporti është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan, e cila mund të përpunojë edhe avionë transoqeanikë.  Ai, që në vitin e parë të operimit, do të ketë pasagjerë më shumë se sa parashikimet më optimiste.

Eksperti i aviacionit civil Altin Progonati komenton këtë rritje të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit dhe përballimin e fluksit të fluturimeve

Eksperti Altin Progonati në intervistë për CMG

CMG: Sipas gazetës së mirënjohur italiane “Corriere della Sera”, në një shkrim të saj të datës 24 maj 2024, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit është sot më i liri në botë, për biletat e fluturimeve me kosto të ulët. A ndani edhe ju të njëjtin mendim?

Altin Progonati: Po është e vërtetë, aeroporti i Rinasit si destinacion ka biletat me të lira.

Veçse, jo ai vetë si aeroport, por kompanitë ajrore që operojnë në aeroport. Këtu meritë kanë Wizzair dhe Ryanair, që janë kompani ndërkombëtare me fluturime me kosto të ulët (low cost) dhe që janë edhe liderë globalë në Europë.

CMG: Në vitin 2018, vetëm gjashtë vite më parë, Aeroporti i Rinasit, pasi përfaqësonte një ndër aeroportet më të shtrenjtë të Evropës. Si ndodhi ndryshimi, metamorfoza?

Altin Progonati: Po ta marrim me llogjikë të thjeshtë ekonomike, rritja e numrit të pasagjerëve sjell ulje të çmimit, pasi kemi më shumë fluks pasagjerësh.

Gjithashtu, edhe shteti ka bërë punën e vet me uljen e taksave. Madje disa taksa edhe duke i eleminuar fare. Prandaj kemi këtë situatë që flasim sot.

Sot kemi edhe një situatë tjetër, që këto kompani me kosto të ulët operojnë me incentiva nga qeveria.

Pra, shtetet ku operojnë, i paguajnë këto kompani, ose u ofrojnë lehtësira. Dhe këto kompani i ulin çmimet e biletave.

E gjitha kjo shkon në interesin e qytetarit, që blen bileta më të lira dhe ka mundësi të udhëtojë edhe më shpesh.

CMG: Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit sot po zgjat dhe zgjeron pistën, po shton sipërfaqen e hangarit të avionëve dhe po punon për një terminal të ri pasagjerësh. A janë këto investimet e duhura për të ardhmen e tij?

Altin Progonati: Këto janë investime shumë të duhura, madje të vonuara.

E vërteta është se ka pasur bum turistik dhe kjo nuk i la kohë koncensionarit dhe aeroportit të bënte investimet e duhura.

Investimet erdhën shpejt dhe janë të vonuara disi, por rëndësi kanë që afatet të kapen. Dhe kryesorja është, që këto investime të bëhen si duhet.

Mbaj mend që pista ka pasur një degradim gjatë këtyre viteve dhe tani nuk është problem vetëm rritja e gjatësisë së pistës.

Problem është edhe riasfaltimi i shtresës së sipërme të pistës, rrugëve lidhëse të saj, planifikimi i vendeve të reja për parkim avionësh, pasi po shtohet numri i tyre. Këto investime janë shumë të domosdoshme.

CMG: A besoni se objektivin e 10 milionë pasagjerëve për Rinasin mund ta arrijmë brenda vitit 2025, duke patur parasysh rritjen e pritshme të turizmit për këtë vit me të paktën 30%?

Altin Progonati: Shifra e 10 milionë pasagjerëve-turistë që do të vijnë në Shqipëri është më se e arritshme.  Problem është për Rinasin se si do të ndahet me Vlorën. Sa nga këta turistë do të marrë Vlora?

Kjo, pasi në vitin 2025, në pranverë fillon punën aeroporti ndërkombëtar në Vlorë. Dhe mendoj që Vlora në vitin e parë do të fillojë me rritje të madhe.

CMG: Sa i rëndësishëm është aktiviteti cargo (transport mallrash) për Rinasin dhe a duhet rritur ky aktivitet në të ardhmen?

Altin Progonati: Aktiviteti “Cargo” është një element shumë i rëndësishëm i aeroportit, pasi avionët nuk transportojnë vetëm njerëz, por edhe mallra.

Fitimet nga cargo janë shumë të mëdha. Cargo ka patur shumë shifra të larta. Ka patur edhe rënie kohët e fundit, por cargo është shumë i rëndësishëm si biznes për aeroportin.

CMG: A është e vërtetë që Aeroporti i Rinasit po mbingarkohet? Nëse po, ç’duhet bërë?

Altin Progonati: Rinasi ka disa vite që është mbingarkuar. Koncesionari i ri bëri disa shtesa, ndryshime, shtoi hapësirat për pasagjerët. Mirëpo nuk duhet të harrojmë që nuk është vetëm terminali i pasagjerëve. Kemi shtesa në to, por edhe në apron(vendqëndrimin e avionëve).

Kjo, pasi vendqëndrimet kanë qenë 17. Tani janë bërë 21 dhe normalisht duhet të jenë 30 minimumi.

Aeroporti duhet të bëjë ndarje më të mirë të avionëve që ata të vijnë, të ulen dhe të lënë radhën për avionin e radhës.

CMG: Aeroporti i Rinasit me atë të Vlorës janë relativisht afër. Do ta konkurrojnë ata njeri-tjetrin?

Altin Progonati: Aeroportet kanë karakteristika të ndryshme. Aeroporti i Rinasit është aeroport kryeqyteti.

Njerezit preferojnë të zbresin në kryeqytet si, p.sh. biznesmenët, qeveritarët, delegacionet e huaja, turistët, por edhe emigrantët që kanë blerë shtëpi në Tiranë. Tirana është bërë mbi 1 milion e gjysëm banorë. Flas këtu edhe për Durrësin, Krujën dhe Elbasanin. Kjo masë pasagjerësh do t’i mbetet Tiranës.

Kurse Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë cargo, do të jetë për fluturimet turistike. Do të ketë turistë që duan të shkojnë afër detit dhe të evitojnë rrugën e gjatë me makinë, apo mjete të tjera.  Pra, të dy aeroportet janë të ndarë nga njeri-tjetri.

CMG: Shumë qytetarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi po zgjedhin të udhëtojnë përmes Aeroportit të Rinasit. A ka të ardhme kjo zgjedhje?

Altin Progonati: Aeroportet si infrastruktura, në të gjithë botën janë njësoj.

Dy janë arsyet që i bëjnë qytetarët e Malit të Zi, Kosovës apo Maqedonisë së Veriut, që të përzgjedhin destinacionet që dëshirojnë.

Së pari, çmimet e lira dhe së dyti, shumëllojshmëria e madhe e destinacioneve që mund të arrijnë nga ky aeroport.   Më parë, shqiptarët udhëtonin për në Mal të Zi, Maqedoni apo Kosovë, për të shkuar në destinacionet e duhura përmes aeroporteve në këto vende. Kështu që është lojë midis aeroporteve.  Mbajtja e madhe e numrit të destinacioneve dhe çmimet e ulta do ta zgjasin këtë trend.

CMG: Si e shikoni të ardhmen e vëllimit të punës së Rinasit për 4-5 vitet e ardhshëm?

Altin Progonati: Edhe aviacioni ndjek trendet e veta. Do të kemi një kurbë të rritjes, por edhe të renies, kur të arrijë pjesën e ngopjes.

Atëhere, do të kemi pjesën e rënies tek numri i pasagjerëve. Nuk e di se sa do zgjasë kjo ngritje, por besoj se do të zgjasë, pasi Shqipëria vazhdon të jetë atraksion turistik.

Nga ana tjetër, nëse qeveria do të vazhdojë me këto masa lehtësuese, si dhe duke i dhënë rëndësinë e duhur turizmit, sigurisht që edhe Aeroporti i Rinasit do të ketë rritjen e vet. Se sa do të zgjasë kjo rritje, është bisedë tjetër.

CMG: A jeni optimist se Rinasi do të vijojë të rritet me shtim dyshifror në vitet 2025-2028, apo do të tejngopet kërkesa për fluturime përmes tij?

Altin Progonati: Ne shqiptaret jemi një popull i lidhur ngushtë me familjen. E respektojmë atë dhe kujdesemi për të.

Kështu që shqiptarët do të duan të vijnë në Shqipëri. Më parë, për të udhëtuar për në Londër, bileta e udhetimit kushtonte nga 800-1,000 paund.

Pra, për një udhëtim, një familje shqiptare duhet të shpenzonte 2000-3000 paund në bileta. Ndërsa sot ka një ulje deri në 200 paund.

Kjo patjetër që e bën vendin edhe më atraktiv dhe që patjetër që do të sjellë shtim më të madh të fluturimeve të emigrantëve për në Shqipëri.

Qeveria duhet të bëjë punën e saj, për të rregulluar ato që ka për detyrë dhe  emigrantët patjetër do të vijnë më shpesh.

Intervistoi Fatos Çoçoli