Presidenti rus: Nëse Ukraina na sulmon me armët e Perëndimit, do të përgjigjemi ashpër
2024-06-07 15:50:51

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin (Foto RTSH)

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kërcënuar Perëndimin se do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë nëse vendet perëndimore lejojnë Ukrainën të përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë.

Putin ka deklaruar se Rusia do ta konsideronte kërcënim të drejtpërdrejtë kundër vendeve perëndimore nëse lejojnë Ukrainën të godasë Rusinë me raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi, shkruan “RTSH”.

Këtë deklaratë Putin e bëri gjatë një konference me redaktorët e agjencive ndërkombëtare të lajmeve në Shën Pjetërburg.

Zyrtarët amerikanë thanë fillimisht në prill se Ukraina kishte filluar të përdorte raketa balistike me rreze të gjatë të ofruara fshehurazi nga SHBA-ja dhe më 30 maj, një zyrtar i lartë tha se presidenti amerikan, Joe Biden, kishte hequr kufizimet ndaj Ukrainës për të përdorur armët e dërguara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër objektivave në territorin rus, por vetëm për të mbrojtur rajonin e Kharkiv-it nën zjarr. (Elona)